Skip Global Navigation to Main Content
Skip Breadcrumb Navigation
2012 Deklarata

Raport i Departamentit të Shtetit të SHBA mbi Lirinë Fetare në Botë (30 Korrik 2012)

SHQIPËRIA  

Përmbledhje e përgjithshme

Kushtetuta dhe ligjet e politikat e tjera mbrojnë lirinë e fesë dhe në praktikë qeveria në përgjithësi e ka respektuar lirinë fetare. Qeveria nuk tregoi ndonjë prirje as për përmirësim e as për përkeqësim në lidhje me respektimin dhe mbrojtjen e të drejtës për lirinë e fesë.

Nuk pati raporte për abuzime shoqërore apo diskriminime mbi baza të përkatësisë fetare, besimit apo praktikimit të fesë.

Qeveria e SHBA-së bëri takime rregullisht me përfaqësues të komuniteteve fetare për të diskutuar mbi punën e tyre dhe mbi çështje që mund të ndikojnë në mundësitë për të praktikuar lirshëm besimin e tyre. Gjatë gjithë vitit ambasada e SHBA-së organizoi mbledhje me drejtues të fesë dhe qeverisë si edhe u takua me drejtues të qeverisë për të diskutuar mbi çështje të paraqitura nga qytetarët, media apo drejtuesit fetarë. Nëpunës të qeverisë amerikane kryen vizita në kisha, xhami dhe vende fetare gjatë gjithë vitit për të qenë të pranishëm në praktika dhe festime fetare.

Seksioni I. Demografia Fetare

Nuk pati të dhëna të besueshme mbi pjesëmarrjen apo anëtarësinë fetare; të dhënat e fundit zyrtare mbi bazë regjistrimi të popullsisë që përfshijnë edhe informacion të tillë vijnë nga viti 1939. Regjistrimi i popullsisë për vitin 2011 i përfunduar në nëntor përfshinte një pyetje pa detyrim për pjesëmarrësit ku mund të shprehnin përkatësinë fetare, por rezultatet e plota të këtij regjistrimi nuk pritet të dalin përpara mesit të vitit 2012. Katër grupet tradicionale fetare janë muslimanët (Suni), bektashinjtë (një formë e Sufizmit Shia), të krishterët ortodoksë (Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë) dhe katolikët e Romës. Gjithashtu, ka disa sekte protestante dhe grupe të tjera fetare, përfshirë besimin Bahai, Dëshmitarët e Jehovait dhe Kisha e Jezu Krishtit e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme (mormonë). Komisioni Shtetëror për Kultet raportoi mbi 230 grupime, organizata, fondacione dhe institucione arsimore fetare që veprojnë në vend. 

Seksioni II. Statusi i Respektimit që i bën Qeveria Lirisë së Fesë

Kuadri Ligjor/Politikat

Kushtetuta dhe ligjet e politikat e tjera mbrojnë lirinë e fesë. 

Vendi është laik me ligj. Sipas kushtetutës, nuk ka fe zyrtare dhe gjithë fetë janë të barabarta; megjithatë, komunitetet e muslimanëve Suni, bektashinjve, ortodoksëve dhe katolikëve gëzojnë njohje më të gjerë (p.sh. në festa zyrtare) dhe status shoqëror në bazë të pranisë së tyre historike në vend. 

Ligji kundër diskriminimit i vitit 2012 krijoi Zyrën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, e cila merr dhe përpunon ankesa për diskriminim, përfshirë ankesat në lidhje me praktikimin e besimit fetar. Megjithatë, ky institucion ka mungesë fondesh dhe stafi të mjaftueshëm.

Komisioni i Shtetit për Kultet, nën juridiksionin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka për detyrë të rregullojë marrëdhëniet mes qeverisë dhe komuniteteve fetare si edhe mbrojtjen e lirisë së fesë dhe nxitjen e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërfetar. Komisioni deklaron se të dhënat e tij mbi organizatat fetare lehtësojnë dhënien e lejeve të qëndrimit nga ana e policisë për nëpunës të huaj të organizatave të ndryshme fetare. Asnjë prej organizatave nuk ka raportuar vështirësi në marrjen e lejes së qëndrimit.

Qeveria nuk kërkon regjistrim apo licensim të grupeve fetare. Megjithatë, Komisioni Shtetëror për Kultet mban të dhëna dhe statistika mbi orgabnizatat e huaja fetare të cilat kërkojnë ndihmën e këtij komisioni. Lëvizjet fetare mund të marrin statusin zyrtar të personit juridik duke u regjistruar në Gjykatën e Rrethit Tiranë sipas Ligjit për Organizata Jofitimprurëse, ligj i cili njeh statusin e shoqatës jofitimprurëse pavarësisht se çfarë karakteri ka organizata, qoftë ky kulturor, argëtues, fetar apo humanitar. Regjistrimi u garanton grupeve fetare të drejtën të kenë llogari bankare dhe zotërim prone si edhe u jep status përjashtimi nga taksat. Katër komunitetet tradicionale fetare kanë nënshkruar marrëveshje me qeverinë në vitin 2008, e cila u garanton atyre përjashtim të gjerë nga taksat dhe privilegje të tjera. 

Neni 10 i kushtetutës kërkon marrëveshje të veçanta dypalëshe për të rregulluar marrëdhëniet mes qeverisë dhe komuniteteve fetare. Kisha Katolike ka pasur një marrëveshje të tillë me qeverinë që prej vitit 2002. Në vitin 2008 qeveria firmosi marrëveshje me komunitetet muslimane, ortodokse dhe bektashi. Qeveria firmosi marrëveshje dypalëshe me Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë (VUSH), organizatë protestante ombrellë, në vitin 2010. Disa nga përparësitë e të paturit marrëveshje janë njohja zyrtare e komunitetit, prioritet në rikthimin e pronave dhe përjashtime nga taksat. Megjithatë, sfidat administrative dhe ligjore lidhur me pretendimet për pronësi në përgjithësi e vështirësuan kthimin e pronës për individët dhe organizatat, përfshirë edhe grupet fetare.

Sipas Ministrisë së Arsimit, shkollat publike janë laike dhe ligji ndalon indoktrinimin fetar dhe ideologjik. Nuk jepen mësime fetare në shkolla shtetërore. Sipas të dhënave zyrtare, komunitetet, organizatat dhe fondacionet fetare kishin 135 filiale shoqatash e fondacionesh të cilat administronin 102 institucione arsimore. Sipas ligjit, këto shkolla duhet të licensohen nga Ministria e Arsimit dhe programet e tyre mësimore duhet të jenë në përputhje me standardet arsimore kombëtare. Grupet katolike dhe muslimane drejtojnë disa shkolla të licensuara dhe nuk kanë raportuar problem në lidhje me marrjen e licensës për të hapur një shkollë të re. kisha ortodokse ka në veprim shkolla fetare, një universitet dhe qendra arsimore për trajnimin e klerikëve. Bektashinjtë gjithashtu drejtojnë qendra fetare për trajnim klerikësh. 

Qeveria shënon zyrtarisht kremtimin e festave fetare të mëposhtme si festa zyrtare: Pashka (katolike dhe ortodokse), Krishtlindja, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël dhe Novruzi. 

Praktikat e qeverisë

Nuk pati raporte për abuzime me lirinë e fesë. Grupet fetare vazhduan t’i bënin kërkesë qeverisë për rikthimin e pasurive të konfiskuara gjatë periudhës së komunizmit. Disa grupe fetare bënë ndërtime të reja gjatë vitit. Nuk pati raporte diskriminimi në ambjentet arsimore. 

Qeveria vazhdoi të shqyrtonte pretendimet nga secili prej katër grupeve tradicionale fetare në lidhje me kthimin e pronave të bllokuara gjjatë periudhës së mëparshme komuniste. Megjithatë, shumë prej pretendimeve për prona mbetën të pazgjidhura. Në vijim të përfundimit të marrëveshjeve dypalëshë të vitit 2008 mes qeverisë dhe grupeve mbizotëruese fetare, Agjencia Kombëtare për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave u udhëzua t’u jepte përparësi pronave të komuniteteve fetare, megjithëse ecuria ishte e ngadaltë në këtë drejtim.

Mosmarrëveshjet për zotërim pronësie dhe problemet në gjurmimin dhe regjistrimin e pronësisë së tokës ua vështirësuan mundësinë grupeve fetare për të marrë tokë të re për ndërtimin e kishave. Disa grupe morrën me qera ndërtesa ekzistuese por raportuan se mundësia e tyre për të organizuar shërbimet fetare ashtu siç duhet pengohej nga pamundësia për të marrë tokë e ndërtuar ambjente për kisha.

Komuniteti Islamik Shqiptar vazhdoi të kërkonte leje ndërtimi për xhami të re në tokën kthyer këtij komuniteti nëpërmjet procesit të rikthimit të pronësisë pas komunizmit. Në nëntor kryebashkiaku i Tiranës pohoi publikisht se do të ngrinte një komision bashkiak për të shpejtuar zhvillimin e një xhamie të re pranë sheshit qendror të Tiranës.

Nuk ka ligj që ndalon mbajtjen e veshjeve dhe simboleve fetare. Drejtorët e shkollave kanë të drejtën të vendosin standard për “veshje të përshtatshme”, të cilët disa herë vendosën kufizime në mbajtjen hapur të simboleve fetare.

Seksioni III. Statusi i Veprimtarive Shoqërore që Ndikojnë Gëzimin e Lirisë së Fesë

Nuk ka patur raportime abuzimesh shoqërore apo diskriminimi mbi baza përkatësie fetare, besimi fetar apo praktimi të besimit fetar.

Seksioni IV. U.S. Politika e Qeverisë

Ambasadori si edhe zyrtarë të tjerë të ambasadës shpesh kanë përfshirë drejtuesit e grupeve fetare në takime, diskutime dhe aktivitete si iftare (vakt darke gjatë Ramazanit) si edhe në tryeza të rrumbullakta. Punonjësit e ambasadës kanë qenë aktivë në nxitjen e tolerancës fetare, përfshirjen e të rinjve, grave dhe anëtarëve të tjerë në aktivitete të përbashkëta si për shembull seminare dhe mbledhje komuniteti. Gjatë vitit ambasada vazhdoi përpjekjet e saj në mbarë vendin me aktivitete të shumta për të nxitur lirinë e fesë dhe tolerancën fetare përfshirë këtu vizita në medrese, shkolla të mesme publike dhe institucone të tjera arsimore me nisma të veçanta komunitare.

Punonjësit e ambasadës vazhduan të nxisnin qeverinë për të shyrtuar pretendimet për pronat e grupeve fetare si edhe për t’u kthyer grupeve fetare ndërtesat, tokën dhe prona të tjera konfiskuar gjatë regjimit komunist.