Skip Global Navigation to Main Content
Skip Breadcrumb Navigation
2012 Deklarata

Interviste me Philip T. Reeker Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë Zëri i Amerikës, Shqipëria (28 Qershor, 2012)

ZA Shqipëri:  Z. Riker, faleminderit shumë për kohën që vutë në dispozicion për këtë intervistë.

Zëvendës Ndihmës Sekretari Riker:  Është kënaqësia ime. Faleminderit.

ZA Shqipëri:  Pati shumë manovra politike në Shqipëri për të zgjedhur presidentin e ri dhe pritshmëri për një president që do të kishte rezultuar me më shumë vota se sa votat e koalicionit qeverisës. Siç u pa, në fund të procesit ai u zgjodh me votat e koalicionit qeverisës atje.

Cili është qëndrimi juaj në lidhje me procesin e zgjedhjeve presidenciale në Shqipëri?

Zëvendës Ndihmës Sekretari Riker:  Së pari, më lejoni të them se duam të përgëzojmë presidentin e zgjedhur Nishani për zgjedhjen e tij. Ai është mik i Shteteve të Bashkuara. Nëpërmjet ambasadës sonë ne kemi punuar më të nga afër. Kemi pasur marrëdhënie bashkëpunimi të fortë me të si Ministër i Drejtësisë dhe më pas si Ministër i Brendshëm. Prandaj presim të punojmë me të në këtë post të ri të rëndësishëm.

Është e qartë se posti i presidentit ka përgjegjësi të rëndësishme, përfshirë mbrojtjen e disa prej institucioneve të pavarura në demokracinë e Shqipërisë, si shërbimet e inteligjencës, prokuroria e përgjithshme. Këto janë institucione që punojnë ngushtë me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, dhe si rezultat përmbushja e atij roli do të jetë i rëndësishëm për Presidentin. Ne mendojmë se është e rëndësishme të vazhdohet të punohet ngushtë me komunitetin ndërkombëtar ndërsa mbështesim Shqipërinë në perspektivën Euro-Atlantike dhe synimet e saj për t’u integruar plotësisht në familjen Euro-Atlantike.

ZA Shqipëri:  Pati shumë përpjekje, po e bëj pyetjen ndryshe tani. Pati shumë përpjekje, përpara se të zgjidhej Nishani, për të pasur një president që do të merrte më shumë se 71 vota. Ai nuk i mori. Pra, ç’kuptim ka kjo për ju edhe për Shqipërinë?

Zëvendës Ndihmës Sekretari Riker:  Siç po e thekson edhe ti Arben, ishte një votim qartësisht i linjës partiake në raundin e katërt të zgjedhjeve. Në këtë këndvështrim ishte mundësi e humbur, mendoj, për të treguar konsesus kombëtar dhe mundësinë për të arritur kompromis.

Maturia e demokracisë ka të bëjë në fakt me atë të kompromisit dhe mendoj se kjo është ajo që po kërkon Bashkimi Europian, është diçka që po e kërkon edhe populli shqiptar. Ata zgjedhin drejtues, këtyre drejtuesve u jepen përgjegjësi dhe mendojmë se tani është shumë e rëndësishme që drejtuesit politikë të Shqipërisë nga i gjithë spektri politik në Shqipëri të ripërqendrohen në punë. Kanë humbur ca kohë por duhet të fokusohen te rekomandimet e rëndësishme. Ka 12 rekomandime kyçe që Bashkimi Europian dha mbi një vit më parë. Është koha të punohet për to sepse dritarja po mbyllet shpejt. Komisioni Europian do të ulet shpejt për raportin vjetor, raportin e statusit. Prandaj ka një mundësi tani për të bërë përparim të vërtetë, veçanërisht në tre fusha kyçe – reforma parlamentare, reforma zgjedhore dhe heqja e imunitetit. Të gjitha këto janë gjëra të cilat të gjithë politikanët shqiptarë e dinë që duhen bërë në mënyrë që të përmbushen rekomandimet dhe kriteret europiane. Pasi keni lënë pas procesin e zgjedhjeve presidenciale në Shqipëri, ka ardhur koha t’i përvisheni punës për t’i përmbushur këto në mënyrë ideale përpara shkëputjes për pushime në gusht.  

ZA Shqipëri:  Kjo linjë, që ishte “mundësi e humbur” ka ardhur prej jush, prej SHBA-së , Departamentit të Shtetit si edhe prej zyrtarëve të BE-së, por më lejoni ta bëj ndryshe pyetjen. 

Kur u ndryshuan ligjet në Shqipëri, katër vite më pare, Berisha dhe Rama ishin ata që u ulën bashkë dhe ranë dakord për ligjet. Tani zhvendosemi përpara, katër vite më vonë. Berisha është në pushtet. Ai ka votat. Përse të gjithë, le të themi, po i kërkojnë atij të bëjë kompromis mbi presidentin? Këtu në SHBA Presidenti i SHBA-së nuk e fsheh faktin se do të donte te fitonte në të dyja dhomat e Kongresit. Apo jo? Përse po i thonë njerëzit atij të bëjë kompromis, të ketë dikë –

Zëvendës Ndihmës Sekretari Riker:  Ka disa gjëra kyçe që duhen bërë në Shqipëri nëse ajo synon të vazhdojë drejt rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ka kompromise të rëndësishme që duhen bërë.  Kjo përfshin dialogun politik, përfshin njëfarë niveli diskutimi civil, përfshin rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile. Mendoj se vendi juaj është me fat për sa i përket faktit që Bashkimi Europian ka vendosur 12 rekomandime kyçe tek të cilat politikanët dhe institucionet drejtuese duhet të përqendrohen. Këtë do të pasqyrojë edhe raporti mbi statusin nga Komisioni Europian.

Bashkimi Europian po kërkon mundësinë që demokracia e këtij vendi të ecë përpara. Mos shikoni mbas, por shikoni përpara si të përdorni institucionet, si të përdorni fuqinë e demokracisë për të përmbushur kriteret e domosdoshme dhe të ecni përpara në këtë rrugë drejt Europës. Këtë kërkojnë Shtetet e Bashkuara për Shqipërinë. Ambasadori Arvizu në Tiranë e ka bërë shumë të qartë këtë, si publikisht edhe privatisht, ua ka bërë të qartë drejtuesve të Shqipërisë si edhe gjithë spektrit të politikës. 

ZA Shqipëri:  Le të kthejmë vëmendjen për një çast te ndihma që po i jep SHBA-ja Shqipërisë. Ambasadori amerikan Arvizu është përfshirë shumë në zhvillimet politike në Shqipëri. Mendoni se një përfshirje e tillë është, le të themi, e shëndetshme për vendin? A nevojitet në të vërtetë një përfshirje e tillë? E çfarë nënkupton për ju kjo përfshirje në lidhje me shkallën e zhvillimeve demokratike në vend?

Zëvendës Ndihmës Sekretari Riker:  Mendoj se Ambasadori Arvizu ashtu si edhe ambasadorët e tjerë të SHBA përpara tij, edhe ne në Uashington, jemi përpjekur të jemi miq të mirë të Shqipërisë. Kemi marrëdhënie të forta. I vlerësojmë ato marrëdhënie shumë dhe presim të kemi vazhdimësi të së njëjtës marrëdhie të fortë në të ardhmen.

Një prej përparësive të politikave tona në linjën e qëllimit të deklaruar të Shqipërisë është të ndihmojmë për të parë Shqipërinë të arrijë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Për ta bërë këtë ne punojmë shumë ngushtë me partnerët tanë europianë për të ofruar këshilla, bazuar në përvojën tone, se si të veprohet për të arritur këto synime dhe kritere kyçe për anëtarësim në BE. Ambasada jonë ka qenë shumë e angazhuar nëpërmjet programeve tona të ndihmës, nëpërmjet llojeve të ndërveprimit që Ambasadori Arvizu ka drejtuar, nisma e tij e re, VEPRO Tani, e cila fokusohet tek rëndësia e shoqërisë civile në demokraci. Dhe mendoj se e gjithë kjo është pritur shumë mire dhe jemi të kënaqur që mund ta realizojmë këtë. Për këtë janë miqtë dhe partnerët. Këtë duam të vazhdojmë të bëjmë në mënyrë që Shqipëria të arrijë synimet e saj. Sepse populli shqiptar e meriton këtë. Shqipëria është demokraci e re. Këtë e dimë të gjithë. Shtetet e Bashkuara kanë demokraci relativisht të vjetër. Ne mësojmë ende. Kemi përvoja që mund t’i ndajmë me ju e t’i ofrojmë, dhe këtë bëjmë nëpërmjet ambasadës sonë, nëpërmjet programit tonë të asistencës, në partneritet të ngushtë me institucionet shqiptare dhe me partnerët tanë europianë.      

ZA Shqipëri:  Mendoni se Shqipëria po i afrohet marrjes së statusit kandidat në fund të vitit me këtë mundësi të humbur që kaloi për zgjedhjet presidenciale? Cili është qëndrimi juaj në lidhje më këtë? A po i bën me shpejtësinë e duhur reformat Shqipëria për të marrë statusin kandidat apo po rrezikon të mos e marrë atë?

Zëvendës Ndihmës Sekretari Riker:  Po e them përsëri, i takon Komisionit Europian ta vlerësojë këtë. Ata kanë vendosur 12 kritere me të cilat mund të matet përparimi. Duket qartë që është humbur kohë, por siç e thashë më parë, ka ende kohë tani përpara shkëputjes për pushime në gusht për t’iu përveshur punës e për të miratuar reformat e nevojshme në lidhje me reformat zgjedhore, në lidhje me reformën parlamentare dhe heqjen e imunitetit. Është punuar për të gjitha këto. Ne kemi ofruar ndihmë. Bashkimi Europian ka ofruar ndihmë. Këto të gjitha mund të arrihen përpara se parlamentarët të shkëputen për pushimet e gushtit e atëherë ata mundet vërtet t’i meritojnë pushimet. Mendoj se do t’i kalonin më bukur pushimet nëse do të ndienin se e kanë bërë punën e tyre, e kanë përmbushur përgjegjësinë e tyre dhe e kanë përfunduar punën e nisur në këtë drejtim.

Pra ekziston një shanc i vërtetë tani. Shqipëria ka president të ri. Përpjekjet për reforma janë në punë e sipër. Ky përparim mund të arrihet tani, nëse shihni drejt së ardhmes, nëse e merrni seriozisht këtë dhe nëse arrini dialogun politik i cili është i nevojshëm në çdo demokraci për ta çuar procesin përpara.

ZA Shqipëri:  Duhet t’i kthehem përgjigjes suaj të parë për pyejten e parë në lidhje me rolin e presidentit atje. Një prej gjërave që theksuat ju ishte se ju dëshironi që ai të sigurojë ruajten e pavarësisë së disa isntitucioneve në Shqipëri.

Sa shqetësuese është për ju pavarësia e institucioneve të tjera në vend? Kjo gjë është sjellë për diskutim herë pas here nga zyrtarë amerikanë.

Zëvendës Ndihmës Sekretari Riker:  Mendoj se kjo është diçka që duhet parë përherë. E përsëris, Shqipëria është demokraci, ka strukturë kushtetuese dhe institucione që janë themeluar, në disa raste, me mbikqyrjen e presidentit. Kjo është pjesë e rolit të Presidentit. Ka gjithashtu institucione të rëndësishme, kur flasim për shërbimet e inteligjencës, kur flasim për prokurorinë e përgjithshme dhe rolin shumë të rëndësishëm të vendosjes së shteti ligjor në vend. Kjo është kyçe jo vetëm për ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por është kyçe dhe për pozicionin e Shqipërisë në komunitetin ndërkombëtar në këndvështrimin se si investitorët ndërkombëtarë dhe të tjerët e shohin Shqipërinë.

Në këto pika kemi ofruar ndihmën tonë. Në këto pika kemi ofruar komentet tona të sinqerta. Mendoj se për këto ka folur populli i Shqipërisë e ka thënë se në këto pika kërkon të shikojë përmirësime, këto janë ato që duhet të sigurojmë që të mbrohen sipas kushtetutës e të përmbushet perspektiva e madhe e demokracisë së Shqipërisë.

ZA Shqipëri:  Z. Riker, faleminderit shumë.

Zëvendës Ndihmës Sekretari Riker:  Faleminderit juve.

# # # #