Shkurt 2009
Fjala e Ambasadorit të Sh.B.A. John L. Withers II tek Konferenca e Kartës së Adriatikut (23 Shkurt 2009)
Z. Kryeministër, Zonja Kryetare e Kuvendit, Ministra, Ambasadorë, të ftuar të nderuar, zonja dhe zotërinj. Është kënaqësi të ndodhem këtu sot dhe dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Kryetaren e Parlamentit Znj. Topalli dhe Z. Demi për organizimin e kësaj konference.
Në pothuaj pesë javë ne do të arrijmë një moment historik. Aleanca më e madhe politike dhe e sigurisë e kohëve moderne do të mirëpresë Shqipërinë si anëtare me të drejta të plota. Ky do të jetë një nga ato momentet në të cilat historia shlyen vetveten. Për një kohë shumë të gjatë vendet e Europës qendrore e lindore u izoluan nga trashëgimia e tyre e vërtetë, anëtarësimi në komunitetin Euro-Atlantik.
Por, në këtë ditë, vetëm pak javë më vonë, të gjitha përpjekjet, të gjitha sakrificat, e gjithë vendosmëria e popullit shqiptar do të shpërblehet dhe ata do të bashkohen me ne dhe aleatët tanë më të ngushtë në aleancën më të madhe të historisë sonë.
Karta e Adriatikut ka qenë një përbërës kyç në suksesin që jemi duke arritur. Përgjatë gjashtë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë qenë krenare të jenë pjesë e Kartë së Adriatikut. Dhe, megjithëse Ballkani ka qenë portretizuar si një rajon konflikti dhe armiqësie, Karta e Adriatikut ka qenë një model i pashoq bashkëpunimi.
Themeluar në vitin 2003 për të përshpejtuar aspiratat integruese të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, Karta ka treguar që kur shtetet bashkohen në një kauze të përbashkët, ky bashkim prodhon nje efekt shumëfishues mbi përpjekjet e tyre dhe në përparimin e reformave. Të mirat e fituara nga ky bashkëpunim mund të shihen sot të mishëruara në ftesën për anëtarësim në NATO e marrë në Samitin e NATOs në Bukuresht në Prill të 2008.
Ne e përgëzojmë Shqipërinë, Kroacinë, dhe Maqedoninë për arritjet e shënuara. Dhe përsëris, ne shohim përpara drejt pjesëmarrjes suaj në një ndër aleancat strategjike më të sukseshme në botë.
Ne presim plotësisht që Maqedonia do të zërë vendin e saj si anëtare e NATO me përfundimin e negociatave me Greqinë dhe ne e presim me dëshirë mbërritjen e kësaj dite.
Ne duhet të kujtojmë megjithatë që NATO është shumë më tepër se thjesht një aleancë kundër kërcënimeve ushtarake. NATO është shtëpia e vlerave të përbashkëta politike dhe demokratike, respektit për të drejtat e njeriut dhe të sundimit të ligjit. Këto vlera përkufizojnë NATO-n po aq sa dhe siguria e përbashkët kundrejt kërcënimeve të jashtme ushtarake. Anëtarësimi në NATO do të shënojë një faqe të re në historinë e Ballkanit, por puna për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë nuk ka përfunduar.
Anëtarësimi në NATO është fillimi. Është një hap drejt arritjes së një pragu të pakthyeshëm përparimi demokratik që të gjithë e kërkojmë në botë. Ne presim që Shqipëria dhe Kroacia të vazhdojnë të rritin ritmin e reformave të tyre demokratike, ekonomike dhe ushtarake, në mënyrë që të mund të japin kontributin më efektiv të mundshëm për këtë aleancë historike.
Dhe tani ne kthejmë dhe një faqe të re në historinë e vetë Kartës. Me zgjerimin e Kartës për të përfshirë Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën në Nëntor 2008, anëtarët e vjetër të Kartës janë kthyer nga vende aspirante në udhërrëfyese. Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia mund të ndajnë tani eksperiencën e tyre me aspirantët e rinj të NATO-s dhe ti ndihmojnë ata të arrijnë të njëjtat qëllime. Dhe ndërsa familja e NATO zgjerohet, Ballkani dhe në fakt gjithë Evropa do të bëhet më e qëndrueshme, më e sigurtë dhe e begatë.
Dhe në të njëjtën kohë, besoj se anëtarët e vjetër të aleancës mund të mësojnë shumë gjëra nga anëtarët e rinj të Kartës. Konferenca të tilla janë një mundësi shumë e mirë për të shkëmbyer ide, eksperienca dhe për të mësuar nga njëri tjetri. Kjo konferencë është një fillim i madh simbolik drejt asaj që shpresojmë do të jetë një konsultim i ngushtë dhe i vazhdueshëm ndërmjet anëtarëve të Kartës, të vjetër dhe të rinj.
Pres me vëmendje diskutimet që do të zhvillojmë gjatë dy ditëve të ardhshme.
Faleminderit për vëmendjen tuaj.

ICITAP Dhuron Sistem te Sofistikuar Trainimi për Policinë Shqiptare (23 Shkurt 2009)
Ambasadori i SHBA, John L. Withers II, së bashku me Ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, Drejtuesin e Programit ICITAP, Darrel Hart, dhe drejtuesit me te lartë të Policisë së Shtetit, morën pjesë në një ceremoni dhurimi në Shkollën Bazë te Policisë. ICITAP (Programi Ndërkombetar i Asistencës për Trajnime në Hetimet Kriminale) i dhuroi Policisë se Shtetit nje Simulator Trainimi për Armë Zjarri (STAZ). STAZ, një sistem i sofistikuar me përdorim të videove ndërvepruese dhe armë me rreze lazer për simulimin e shënjestrimit dhe vendimarrjes për përdorimin e armës t.
Ky projekt i ofron Policisë se Shtetit mundësinë për të trajnuar punonjësit e policisë mbi përdorimin e armëve të zjarrit, vlerësimin e aftësive te tyre qitëse bazë dhe të avancuara, si dhe mundesine për të simuluar kushte dhe situata reale ku punonjësit e policisë duhet të vendosin kur dhe sa forcë të përdorin nën kushtet e stresit. Përveç trajnimit të oficerëve të policisë dhe të rekrutëve te rinj ne mjeshtërine e qitjes, sistemi, falë videove simuluese që ofron, trajnon aftësimin vendimarrës ne lidhje me përdorimin e e justifikuar të forcës vdekjeprurëse. Ky sistem i sofistikuar gjithashtu i ofron Policise së Shtetit mundësinë për të krijuar video ndërvepruese të tjera për t’u përdorur në simulator.
ICITAP ofroi rreth $111,000 si fond kryesor për këte projekt, duke mbuluar blerjen e sistemit STAZ, instalimin e pajisjes si dhe trajnimin e instruktorëve të armëve të zjarrit. Policia e Shtetit kontribuoi ne rinovimin e një klase ekzistuese për përdorimin ekskluziv te këtij sistemi.
Trainimet dhe programet e asistencës me karakter reformues që ICITAP ka ofruar që prej vitit 1998 ka ndihmuar në përgatitjen e një force policore shqiptare më të aftë, profesionale dhe moderne. ICITAP-i ka ndihmuar në riorganizimin e Programit të Trainimit të Akademisë duke kombinuar tre vitet e mëparshme akademike dhe institutin një vjeçar në një program të ri mësimor që përfshin si mësimin në klasë dhe trainimin në terren. Këshilltarët e ICITAP-it kanë punuar gjithashtu për krijimin e një sistemi për ngritje në detyrë, politikës së rekrutimit, dhe krijimit të një Sektori Trainimi në Drejtorinë e Personelit të Policisë Shqiptare, si dhe kanë ofruar trainime të konsiderueshme mbi shkëmbimin dhe menaxhimin e informacionit, përpjekjet kundër trafiqeve, krimit të organizuar dhe korrupsionit, manaxhimin e burimeve njerëzore dhe përgjegjshmërinë e policisë.