PRILL 2009
Shqiperia -- Nje Ekonomi e Gjelber qe Pret te Filloje
Më 29 Prill, Presidentja e Rrjetit Dita e Tokës Kethlin Roxhers, diskutoi mbi oportunitetet ekonomike “të gjelbra” dhe zhvillimin e qendrueshëm me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, anëtarë të Dhomës Amerikane të Tregtisë, planifikues urban, aktivistë ambjentalistë, studentë dhe gazetarë. Diskutimet e frutshme u përqendruan në thirrjen e saj për organizatat vendase për të punuar me sektorin privat dhe qeverinë në nisma për zhvillim “të gjelbër”, si rruga për zhvillim që shmang pastrime mjedisore të kushtueshme. Sipas znj. Roxhers “ Shqipëria është një ekonomi e gjelbër që pret të zhvillohet. Ajo mund dhe duhet të kryesojë në zhvillimin e gjelbër ekonomik në botë.” Shumë aktivitete pasuese të vizitës së znj. Roxhers janë në organizim e sipër me Dhomën Amerikane të Tregtisë, organizatat vendase, dhe Vullnetarët e Korpusit të Paqes.
USAID Publikon Raportin mbi Korrupsionin
Publikimi më 30 prill i një sondazhi financuar nga USAID mbi perceptimet dhe përvojat me korrupsionin nxiti vëmendje të gjerë nga organet kryesore të medias së shkruar dhe të transmetuar. Disa media theksuan fjalët e drejtoreshës së USAID në Shqipëri Roberta Mahoni, “Korrupsioni po minon gjithçka që po arrieht.” Sondazhi zbuloi disa shenja përparimi në besimin publik tek gjyqtarët dhe prokurorët, ndërsa tregoi se publiku i shihte deputetët dhe ministrant si “më të korruptuarit.” Raportimet e medias theksuan gjetjen e sondazhit se media shihet nga publiku si kontribuesja më e madhe në luftën kundër korrupsionit.
Kohë Historike në Zhvillimin e Demokracisë Shqiptare
Gjatë sesionit plenar vjetor të 28 prillit të Konsorciumit Ndërkombëtar – një grup që përfshin ambasada, misione ndërkombëtare dhe OJQ që ofrojnë ndihmë të bashkërenduar zhvillimi në fushat e ligjzbatimit dhe sundimit të ligjit në Shqipëri – Zv.Ambasadori Stiv Kristina theksoi se duke arritur objektivin madhor të anëtarësimit në NATO, Shqipëria “ka rritur si përgjegjshmërinë ashtu edhe përgjegjësinë e saj ndaj parimeve dhe idealeve të demokracisë” dhe se “më i rëndësishmi ndër këto është funksionimi i hapësirës së shtetit të së drejtës me institucione të pavarura si policia, prokuroria dhe gjykatat.” Kristina përgëzoi arritjet e Shqipërisë deri tani, ndërkohë që vuri në dukje se “Përpara Shqipërisë ndodhet një ngjarje tjetër historike – zgjedhjet e përgjithshme që janë përcaktuar për në 28 qershor.” Aktiviteti shkaktoi vëmendje intensive nga të gjithë transmetuesit kryesorë në vend.
Ambasadori i Sh.B.A., Ministri i Brendshëm Urojnë Zyrtarë të Lartë të Policisë
Më 24 prill, Ambasadori Uidhers mirëpriti Ministrin e Brendshëm Nishani dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit në një ceremony për dërgimin e 12 oficerëve të policisë në kursin mbi Menaxhimin e Incidenteve Serioze të programit anti-terrorizëm të zyrës së Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit. Kursi zhvillohet në Budapest pranë Akademisë Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit. Uidhers u tha oficerëve të policisë, “Kurse të tilla kanë promovuar një marrëdhënie të shkëlqyer pune mes Ambasadës dhe komunitetit ligjzbatues shqitpar, si dhe kanë ndihmuar shqiptarët të përmirësojnë komunikimin midis agjencive të ndryshme dhe menaxhimit të burimeve.” Ministri i Brendshëm përshëndeti oficerët e policisë duke vërejtur, “Jam i sigurt që në fund të këtij kursi, ne do të kemi vlera të shtuara në kapacitetet tona për mundësimin e një plani menaxhimi të incidenteve serioze, i cili më tej mund të shërbejë si një platform për një plan të plotë kombëtar.” Aktiviteti u mbulua nga media televizive.
ICITAP Dhuron Materiale Mësimore për Ndihmën e Parë për Qendrën e Formimit të Policisë së Shtetit Shqiptar
Të martën, më 14 prill, Drejtori i Qendrës së Formimit Policor dhe Drejtuesi i Programit ICITAP i Departamentit të Drejtësisë të SHBA, Darrel Hart, nënshkruan dokumentin e dhurimit për pajisje trajnimi për ndihmën e parë, të cilat do të përdoren nga Policia e Shtetit. Materialet e trajnimit, të cilat përfshijnë manikina për foshnje, fëmijë dhe të rritur, do të përdoren për t’i mësuar personelit të policisë teknikat e RKP-së. Vlera e pajisjeve është rreth 230,000 lekë. Manikinat për RKP, maskat e frymëmarrjes, dhe pajisjet për ndihmën e parë të cilat po dhurohen, do të përdoren në Qendrën e Formimit Policor nga instruktorë të policisë të certifikuar për ndihmën e parë për trajnimin 25-orësh për ndihmën e parë për Kursin Bazë të Patrullës së Përgjithshme.