jump over navigation bar
Embassy SealDepartamenti i Shtetit i Sh.B.A.
Ambasada E Shteteve Të Bashkuara (Tiranë, Shqipëri) - Faqja Kryesore flag graphic
Ambasada
 
  Ambasadori Rreth Ambasadës Seksionet e Ambasadës Zyra e Marrëdhënieve me Publikun Deklarata për Shtyp Aktivitete të Ambasadës Aktivitetet Gjatë 2006 Mundësi Punësimi Adresa të ndryshme Festat për 2008

MAJ 2009

Arti dhe Kultura rrëzojnë Barriera

Në 27 Maj, Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun Bix Aliu ishte i ftuari special i spektaklit të njohur “Star Akademi” në Televizionin Klan.  Në mbrëmjen e veçantë të titulluar “Nata Amerikane”, konkuruesit kënduan dhe kërcyen muzikë amerikane.  Bix përgëzoi prezantuesen Zana Çela për mbështetjen që i jep artit dhe kulturës si dhe për kthimin e ëndrrave në realitet.  Duke komentuar sekuencën që shfaqte konkuruesit duke folur për zgjedhjet, Bix nënvizoi progresin e shpejtë që rinia shqiptare ka bërë në zhvillimin demokratik.  “Vura re që këta të rinj kanë rrëzuar barrierat.  Ata e kanë kuptuar që zhvillimi individual është shumë i rëndësishëm dhe se e drejta e votës dhe pjesmarrja civile janë përgjegjësi e madhe… sonte, këta të rinj na treguan se arti dhe kultura mund të bëjnë të mundur atë që diplomacia nuk mundet”


Përvoja ime e vlefshme si praktikante e Marrëdhënieve me Publikun

Gazeta Shqiptare botoi në numrin e datës 27 Maj një intervistë me Ira Salataj, e cila ishte pjesmarrësja e parë në programin e ri lokal të Ambasadës për Praktikë.  Irma është studente në Universitetin e Gjuhëve të Huaja, në specialitetin e studimeve amerikane.  “Kam mësuar shumë, që nga gjërat më të vogla si përpunimi i një dokumenti, deri tek ato më të rëndësishmet, si komunikimi, puna në grup dhe të qenurit profesioniste”, është shprehur Ira.  E pyetur mbi projektin e saj të preferuar, ajo ka thënë se e ka të vështirë të zgjedhë pasi të gjithë projektet, që nga ardhja e shkrimtarit Sean Thomas Dougherty në Shqipëri deri tek koncerti I grupit të bluzit Eli Yamin, kanë qenë shumë emocionues dhe të dobishëm në përmirësimin e aftësive të saj profesionale.  “Për mua ishte një përvojë e vlefshme dhe unë ia rekomandoj të gjithë studentëve shqiptarë”.  Ky program për praktikë,i mbështetur nga Sekretari i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun Bix Aliu, synon të kthehet në traditë.


Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun viziton Revistën Kult

Në 22 Maj, Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun Bix Aliu vizitoi Revistën Kult si dhe u takua me drejtorin e përgjithshëm Ylli Sula dhe pjestarë të stafit.  Gjatë vizitës Bix konfirmoi se Ambasada Amerikane mbështet zhvillimin e artit dhe kulturës në Shqipëri.  Biseda u fokusua mbi vështirësitë e ushtrimit të artit në Shqipëri dhe në ndërtimin e një tradite midis artistëve dhe publikut në dhënien e çmimeve e vlerësimeve.  Në 10 Qershor Revista Kult organizon edicionin e 5-të të ndarjes së çmimeve Kult dhe Drejtori Sula ftoi Bix për të prezantuar çmimin e “Programit më të mirë kulturor të vitit”, si një mirënjohje për kontributin që Ambasada Amerikane ka dhënë në jetën kulturore në Shqipëri.  Bix diskutoi mbi mënyrat se si mund të përmirësohet skena kulturore shqiptare dhe se si Ambasada mund të ndihmojë në mbështetjen dhe promovimin e komunitetit të artistëve.


Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun: Fjala Vizionar është e Duhura për Të 

Gjatë ceremonisë përkujtimore për themeluesin e grupit Top Media, Dritan Hoxha, mbajtur në 22 Maj, Bix Aliu vlerësoi aftësinë e Hoxhës për të qenë “vazhdimisht në kërkim të së resë” dhe theksoi se “Ai ishte një lider i vërtetë – I fortë, këmbëngulës dhe i paduruar”.  Bix përmendi kontributin që Z. Hoxha dha në ndryshimin dramatik të Shqipërisë me ngritjen e Top Albania Radio dhe Top Channel.  Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun e krahasoi Hoxhën me Sarnoff te NBC dhe tha se “fjala vizionar e përshkruan atë më së miri”.


Ambasadori Amerikan – Mbroni Të Drejtat e Njeriut

Ambasadori Amerikan Withers ishte folësi kryesor në evenimentin e 21 Majit, me rastin e ditës ndërkombëtare kundër homofobisë, organizuar nga disa shoqata të Të Drejtave të Njeriut dhe studentët e Universitetit të Tiranës. Pasi citoi shprehjen e famshme “Unë ngrihem” të Maya Angelou, ambasadori Withers u tha të pranishmëve se “ka ardhur dita që të mbrojmë të drejtat e lezbikeve, geive, biseksualëve dhe transeksualëve si të drejta themelore, të barabarta me të drejtat e tjerat”. Sipas ambasadorit amerikan ka ardhur koha që “së bashku të fitojmë ndaj frikës dhe diskriminimit me të cilën jetojnë njerëzit LGBT në mbarë botën, përfshirë Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara”.  Disa nga televizionet e pranishëm në këtë eveniment e pasqyruan takimin në edicionet e tyre kryesore të ditës.


Diplomati popullor heq kravatën

Në numrin e muajit maj, revista “G” boton në rubrikën e saj “Gentleman” një artikull mbi Sekretarin e Marrëdhënieve me Jashtë, Bix Aliu dhe familjen e tij.  “I bërë popullor si rrallëherë për një diplomat”, ai ka folur mbi punën në Ambasadën Amerikane, në një pozicion që “mund të të mbajë duke punuar edhe 18 orë”.  “Kuptuam që kjo familje e do Shqipërinë me të vërtetë… këtë mund ta lexoje në vështrimin e tyre…”, shkruhet në artikull.  I pyetur rreth stadit të zhvillimeve në Shqipëri, Aliu ka thënë se shpreson që gjithçka do të bëhet më mirë. “Çdo gjë do të përmirësohet me kalimin e kohës”.

 


Banda e Muzikes Blues Eli Yamin Së Shpejti në Tiranë

Shefi i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun Bix Aliu njofton turin rajonal të Bandës së Blues-it Eli Yamin gjate muajit Maj, si pjesë e Ritmit të Rrugës: Muzika Amerikane në Udhëtim, një program të Byrosë së Çështjeve për Arsimin dhe Kulturën të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, të administruar nga Jazz në Qendrën Linkoln.  Banda e përbërë nga Eli Yami (Pianist dhe këngëtar), Kate McGarry (këngëtare), LaFrae Sci (bateriste), Chanell Crichloë (tuba) do të mbërrijnë në Tiranë më 27 Maj për të performuar për publikun shqiptar botën e pasur dhe të shumëllojshme të blues-it - formën parësore muzikore të artit amerikan, dhe të ofrojë master  klase për nxënësit e studentët shqiptar.


Ambasadori Withers: Së bashku kundër homofobisë

 

Gazeta e përditshme shqiptare “Shekulli”, botoi në numrin e datës 17 maj, editorialin e ambasadorit amerikan Withers, dedikuar ditës ndërkombëtare kundër homofobisë. Duke nxitur të gjithë që të mos lejojnë diskriminimin, që të flasin hapur dhe të sfidojnë homofobinë, Withers citoi Dr. Martin Luther King, duke thënë se “padrejtësia në cilindo vend është një kërcënim për padrejtësinë kudo”.


Zëvendës Ambasadori: Shqipëria dhe Amerika Kanë një Marrëdhënie të Bukur

 

Në numrin e datës 16 Maj, revista javore MAPO, i dedikoi kopertinën e saj intervistës së zëvendës ambasadorit amerikan Steve Cristina. Bazuar në rapotin vjetor për të Drejtat e Njeriut, Cristina renditi trafikimin, ndërhyrjet në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe trajtimin e të burgosurve si fushat ku Shqipëria duhet të përmirësohet më shumë. Cristina nënvizoi se “nëse nuk zbatohen standartet për zgjedhje të lira dhe të drejta, ky do të jetë një hap prapa për aspiratën e Shqipërisë për t’u bashkuar në BE”.


Sekretari i Zyres se Marrëdhenieve me Publikun Viziton të Përditshmen

 

Në 15 Maj, Sekretari i Marrëdhënive me Jashtë, Bix Aliu, vizitoi ambientet e të përditshmes “Gazeta Shqiptare” si dhe u takua me kryeredaktoren e stafin e gazetës. Gjatë vizitës Aliu shprehu mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj pavarësisë në media dhe nënvizoi se, pavarësisht rrethanave, asnjëherë nuk duhet të ketë presion mbi mediat. 


Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë Nga Ambasadori i Sh.B.A. Xhon L. Uidhers, II (17 Maj 2009)

Sot është Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, një ditë për të ndërmarrë një qëndrim kundër homofobisë dhe për të mbështetur personat lezbikë, gei, biseksualë dhe transeksualë (LGBT) në luftën e tyre për barazi dhe pranim. Njerëzit LGBT ndeshen me padrejtësi, intolerancë, madje edhe dhunë e vdekje, në shumë vende të botës. Shpesh ata janë të detyruar të jetojnë në hije, me frikën se zbulimi i identitetit të tyre do të çojë në përjashtim prej familjes dhe shoqërisë, humbje të vendit të punës, e ndoshta edhe dhunë fizike.

Ndoshta më shqetësuese, pasojat e homofobisë janë tek të rinjtë, të cilët mund të përjetojnë përçmim apo tallje në shkollë ose kanë frikë nga refuzimi i prindërve. Në Sh.B.A., studimet kanë treguar se të rinjtë LGBT janë katër herë më shumë të prirur ndaj vetvrasjes në krahasim me bashkëmoshatarët heteroseksualë. Ndërsa kur familjet e veta i refuzojnë, këta të rinj janë nëntë herë më shumë të prirur për të kryer vetvrasje në krahasim me bashkëmoshatarët heteroseksualë.

Këto pasoja janë të papranueshme në cilëndo shoqëri, por veçanërisht në demokraci, ku drejtësia, barazia dhe liria janë të garantuara për çdo qytetar. Nuk mund të quhet drejtësi kur qytetarë që jetojnë në demokraci, vuajnë dhunë dhe refuzim shoqëror vetëm për shkak të personit që ata duan. Nuk mund të quhet barazi kur një vajzë lezbike apo një djalë gei humbet punën vetëm për shkak të diskriminimit. Nuk mund të quhet liri kur personat LGBT janë të detyruar të jetojnë duke fshehur identitetin e tyre të vërtetë nga të gjithë, përfshirë familjen dhe miqtë e tyre. Është dhunim i të drejtave themelore të njeriut.

Në 1948, në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, shkruhej “njohja e dinjitetit të natyrshëm dhe e të drejtave të barabarta e të patjetërsueshme të të gjithë pjestarëve të familjes së madhe njerëzore, është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë”. Personat LGBT janë pjesë e familjes sonë, si e familjes së madhe njerëzore, ashtu edhe pjesë e komunitetit ku ne jetojmë; vëllezërit dhe motrat tona, djemtë dhe vajzat tona, miqtë dhe fqinjët tanë. Ne duhet të njohim dinjitetin dhe të drejtat e tyre njerëzore themelore, si dhe të sigurohemi që personat gei dhe lezbikë të jetojnë jetën e tyre pa frikën e homofobisë dhe diskriminimit.

Po çfarë mund të bëjmë ne si individë për të luftuar homofobinë, për të mbështetur personat LGBT dhe për të promovuar atë që është e drejtë? Së pari, flisni në mënyrë pozitive për çdo problem që ka lidhje me personat LGBT. Duhet t’u tregoni njerëzve se ju mendoni dhe besoni që personat LGBT duhet ta jetojnë jetën e tyre lirisht, haptazi dhe të barabartë me të gjithë. Së dyti, bëni të ditur për këdo që nuk do të toleroni asnjë lloj diskriminimi në punë, në shtëpi apo në bisedat tuaja. Flisni hapur dhe sfidojeni homofobinë sa herë që përballeni me të. Së treti, mbështesni personat lezbikë apo gei që kanë kurajon e mjaftueshme për t’ju thënë të vërtetën e tyre. Tregojuni atyre se ju i doni dhe kujdeseni për ta pa kushte, pavarësisht se kë duan.

Shqipëria ka përgjegjësinë ndaj të gjithë qytetarëve të saj që të sigurojë që cilido trajtohet drejt dhe ka mundësinë të jetojë lirisht. Personat lezbikë, gei, biseksualë dhe transeksualë duhet të kenë mbrojtje të barabartë nga ligji, ndërsa këto të fundit duhet të zbatohen. Mbrotja ndaj diskriminimit në punësim, aksesi i drejtë ndaj arsimit dhe shërbimit shëndetësor, si dhe siguria që policia do t’i mbrojë të gjithë njerëzit në mënyrë të barabartë, janë pjesë thelbësore në garantimin e të drejtave themelore të njeriut për të gjithë anëtarët e shoqërisë shqiptare.

Dr. Martin Luter King ka thënë se “padrejtësia në cilindo vend është një kërcënim për padrejtësinë kudo”. Homofobia është një padrejtësi e madhe në mbarë botën, prandaj ne të gjithë duhet ta luftojmë së bashku atë, për të siguruar drejtësi të vërtetë për të gjithë.


Si të Aplikoni per VIZAT JO-EMIGRUESE

I dashur aplikant i vizës jo-emigruese:

Duke filluar nga data 15 Qershor 2009, ju do të caktoni takimin tuaj për vizë jo-emigrimi (p.sh.: biznes, turist, vizitor, student, punë, etj.) sipas udhëzimeve të paraqitura në faqen tonë të Internetit:

http://tirana.usembassy.gov/how_to_apply.html

Caktimi i takimeve në Internet në dhe mbas kësaj date, është i detyrueshëm. Ne nuk do të pranojmë më kërkesa të dërguara me e-mail, faks, apo postë. Ju lutemi lexoni udhëzimet me vëmendje në mënyrë që të shmangni ngatërrimet.

Vetëm aplikantët me takime të caktuara do të lejohen të hyjnë në Seksionin Konsullor. Pasi të keni caktuar një takim interviste, ju lutemi mos dërgoni pasaportat, pagesat e vizave ose dokumentacionin mbështetës me postë, faks, ose e-mail. Dokumentacioni mbështetës duhet të paraqitet në kohën e intervistimit për vizë.

Pagesat e vizave do të mblidhen ditën e intervistës. Pagesa aktuale e aplikimit për vizë jo-emigrimi është 131 Dollarë ose e barasvlefshme në Leke sipas kursit të shkëmbimit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, e paguar me para në dorë dhe është e pakthyeshme. Pasi caktohet takimi, aplikantët duhet të mbërrijnë në seksionin konsullor të Ambasadës Amerikane në Tiranë në orën 8:00 paradite. Orari i intervistave fillon në orën 9:00 paradite dhe vazhdon deri në drekë. Ju lutemi planifikoni kohën tuaj në përputhje me rrethanat.


Ambasadori i Sh.B.A. Përgëzon NjPH të Tiranës

Gjatë një ceremonie më 6 maj, për të festuar dyvjetorin e Njësisë së Përbashkët të Hetimit (NjPH) të Tiranës dhe për të shënuar ngritjen e gjashtë njësive të tjera rajonale në Shqipëri, Ambasadori i Sh.B.A. tha, “NjPH e Tiranës duhet përgëzuar se ‘ka bërë drejtësi’ duke luftuar korrupsionin…dhe përbën modelin për bashkëpunimin prokurorë-polici.”  Uidhers përgëzoi Prokurorinë që ishte institucioni publik me përmirësimin më të madh për 2009, siç u tregua nga sondazhi i USAID për korrupsionin, nxjerrë javën e kaluar, ndërkohë që vuri në dukje, “Porkurorisë ende i mungon besimi dhe mbështetja e shumicës së publikut.”  Televizionet kryesore ndoqën aktivitetin dhe një stacion lajmesh e transmetoi ceremoninë drejtpërdrejt.  NjPH rajonale janë pjesë e Programit të Pragut II të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit me Shqipërinë.


Banda e Ushtrisë së Sh.B.A. në Europë Zbarkon në Tiranë


Më 5 maj, Komandantja dhe Dirigjentja e Bandës së Ushtrisë së Sh.B.A. për Europën NënKolonele Beth Still bisedoi me stacionin e njohur Vizion+ mbi udhëtimin dhe aktivitetet e bandës në Shqipëri. Banda me 70 anëtarë është në Shqipëri si pjesë e një turi në Europë që do t’i çojë ata në Kroaci, Austri, etj.  Duke folur mbi klasën muzikore me 100 nxënësit e shkollës së mesme të muzikës “Jordan Misja,” Still tha, “Është e mrekullueshme të mund të kapërcesh boshllëkun gjuhësor dhe kulturor me fëmijët e shkollës së mesme nëpërmjet gjuhës ndërkombëtare të muzikës.” Banda do të japë një koncert në Tiranë të mërkurën.


Sh.B.A. Dhuron Pajisje për Kontrollin e Kufijve

Gjatë një ceremonie më 5 maj, Ambasadori Uidhers dorëzoi pajisje gjurmuese me vlerë $200,000 për Policinë e Shtetit dhe Doganat Shqiptare, blerë nëpërmjet programit të Ndihmës për Kontrollin e Eksporteve dhe Sigurinë e Kufijve në Shqipëri.  Gjatë ceremonisë, pasqyruar gjerësisht nga televizionet kryesore, Uidhers u tha të pranishmëve, “Oficerët e policisë së kufirit dhe të doganave janë vija e parë e mbrojtjes kundër kërcënimit të përhapjes së armëve” dhe i falënderoi ata “që i bëjnë kufijtë e Shqipërisë më të sigurt.” Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ahmet Prençi falnderoi mbështetjen afatgjatë të qeverisë së Sh.B.A. për policinë shqiptare.


Ekspertja nga Sh.B.A.: Mos Bëni Gabimet Tona


Në një intervistë më 2 maj për gazetën më të madhe shqiptare Shekulli, specialistja Kethlin Roxhers, presidente e Rrjetit Dita e Tokës, iu përgjigj pyetjeve mbi planet e Shqipërisë për të ndërtuar fabrika me qymyr dhe bërthamore.  Roxhers i tha gazetës, “Qymyri nuk ka asgjë të mirë,” dhe “Një central bërthamor është një aksident që pret të ndodhë.”  Duke folur mbi takimet e saj me specialistë shqiptarë, zyrtarë të qeverisë dhe studentë, Roxhers tha, “Shqipëria ka mundësinë e jashtëzakonshme që të shmangë gabimet që ka bërë Sh.B.A.,” si dhe rekomandoi një rol të fortë për shtypin, bashkësinë e OJQve, si dhe një qeveri të hapur e të ndershme.  Gjatë intervistës me gazetën kryesore si dhe gjatë daljes në programin e mëngjesit të TV Ora, Roxhers theksoi përfitimet që kanë bizneset dhe bashkësitë kur zgjedhin “të jenë të gjelbra.”

Kthehu Lart ^

Mjetet e Faqes:

Printer_icon.gif Printoni artikullin



 

    Linke të jashtme në faqe të tjera interneti nuk duhen interpretuar si mbështetje e pikëpamjeve apo politikave të fshehtësisë që përfshihen ketu.

Ambasada E Shteteve Të Bashkuara
Turn Admin On!