Skip Global Navigation to Main Content
Skip Breadcrumb Navigation
Turn Admin On!
2010 – Deklarata

Raporti për Të Drejtat e Njeriut: Shqipëria

11 Mars 2010

Raportet e Vendeve mbi Praktikat e Të Drejtave të Njeriut për vitin 2009

Republika e Shqipërisë është një demokraci parlamentare me një popullsi prej afërsisht 3.6 milionë banorë. Kushtetuta ia njeh autoritetin legjislativ Kuvendit Popullor (parlamentit) me një dhomë, i cili zgjedh edhe kryeministrin edhe presidentin. Kryeministri kryeson qeverinë, ndërkohë që presidenca ka pushtet të kufizuar ekzekutiv. Më 28 qershor, vendi zhvilloi zgjedhje parlamentare, të cilat Zyra për Institucione Demokratike dhe Të Drejtat e Njeriut (ODIHR) e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) i përshkroi si zgjedhje që shënuan përparim krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, por që nuk përmbushën plotësisht standardet ndërkombëtare. Ndërkohë që ODIHR konstatoi se zgjedhjet përmbushën shumicën e angazhimeve demokratike të vendit, vëzhguesit shënuan probleme, përfshirë keqpërdorimin e burimeve qeveritare nga të dyja palët për qëllimet e fushatës, mangësi në trajnimin dhe përgatitjet për numërimin e votave, si dhe fakte për votim familjar, anshmëri të medias, si dhe presion mbi punonjësit e sektorit publik për të marrë pjesë në aktivitete të fushatës. Partia Socialiste (PS) në opozitë bojkotoi parlamentin pas shtatorit, duke bërë thirrje për një hetim mbi pretendime për mashtrime në zgjedhje. Autoritetet civile përgjithësisht mbajtën kontroll të efektshëm të forcave të sigurisë.

Pati raportime që policia rrahu dhe keqtrajtoi rëndë të dyshuarit gjatë marrjes në pyetje dhe gjatë ndalimit. Korrupsioni në radhët e policisë dhe mosndëshkueshmëria vazhduan. Korrupsioni në qeverisje mbeti një problem serioz dhe i pazgjidhur. Diskriminimi ndaj femrave, fëmijëve, personave homoseksualë dhe pakicave ishin problem. Trafikimi i qenieve njerëzore mbeti problem.

RESPEKTIMI I TË DREJTAVE TË NJERIUT

Seksioni 1 Respekti për Integritetin e Personit, Përfshirë Lirinë Nga:

a. Mohimi Arbitrar apo i Jashtëligjshëm i Jetës

Nuk pati raportime se qeveria apo agjentët e saj kryen vrasje arbitrare apo të jashtëligjshme. Vrasjet e dy figurave politike – deputetit të Partisë Socialiste Fatmir Xhindi dhe një udhëheqësi Demokristian Aleks Keka – ishin nën hetim dhe mbeteshin të pazgjidhura në fund të vitit.

Vazhduan hetimet mbi pretendimet se gjatë konfliktit të Kosovës në vitin 1999, trafikantët të kishin rrëmbyer civilë nga Kosova dhe i kishin sjellë në Shqipëri, ku disa të ishin vrarë dhe organet e tyre të ishin shitur. Në prill, Misioni i BE-së për Zbatimin e Ligjit në Kosovë shpalli se kishte filluar një hetim paraprak mbi pretendimet. Në gusht, raporteri i posaçëm i Këshillit të Europës Dik Marti udhëhoqi një mision në Serbi dhe Shqipëri për të hetuar më tej. Raporti i Martit për Këshillin e Europës nuk ishte përgatitur ende në fund të vitit.

Gjatë vitit pati raportime të vazhdueshme për vrasje shoqërore, përfshi edhe “gjakmarrjet”  e brezave edhe vrasjet për hakmarrje. Vrasje të tilla hera-herës përfshinin banda kriminale. Sipas Ministrisë së Brendshme, pati një vrasje të lidhur me gjakmarrjen gjatë vitit, çka ishte një rënie nga vitet e mëparshme. Sipas OJQ-ve, afro 120 familje ishin faktikisht të burgosura në shtëpitë e tyre nga frika e ndëshkimeve për shkak të gjakmarrjes; gjysma e këtyre familjeve ishin të vendosura në Shkodër. Gjykata e Krimeve të Rënda gjykoi çështje të lidhura me gjakmarrjen. Ligji ndëshkon vrasjen me paramendim, kur kryhet për hakmarrje apo gjakmarrje, me 20 vjet burg ose burgim të përjetshëm.

b. Zhdukja

Nuk pati raportime për zhdukje me motive politike.

Në fund të vitit, vazhdonte gjyqi ndaj Arben Sefgjinit, i cili më parë kishte shërbyer si kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror (ShISh) dhe tre kolegë të tij të ShISh, Budion Meçe, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro, për zhdukjen dhe torturimin e Remzi Hoxhës dhe dy shtetasve të tjerë në vitin 1995. Fati i Hoxhës mbeti i paditur.

c. Tortura dhe Trajtime apo Ndëshkrime të Tjera Mizore, Çnjerëzore apo Poshtëruese

Kushtetuta dhe ligji i ndalojnë veprime të tilla; megjithatë, policia dhe rojet e burgjeve hera-herës rrahën dhe abuzuan të dyshuarit dhe të ndaluarit.

Më 21 janar, Komiteti për Parandalimin e Torturës (CPT) i Këshillit të Europës nxori një raport mbi vizitën në qershor 2008 nga një delegacion i CPT në disa prej burgjeve dhe qendrave të paraburgimit në vend. CPT raportoi pretendime të besueshme keqtrajtimi fizik; abuzimet ndodhnin kryesisht gjatë marrjes në pyetje nga policia, përfshi rrahje të rënda ku bënin pjesë goditje në këmbë dhe në pëllëmbët e kurrizet e duarve me objekte të tilla si shkopinj gome. Pretendimet më të rënda që mori delegacioni kishin të bënin me stacionet e policisë në Korçë, Pogradec, dhe Elbasan. Megjithatë, në kontrast me vizitat e CPT në vitet 2005 dhe 2006, shumica e personave të intervistuar nga delegacioni kishin qenë trajtuar në mënyrë korrekte gjatë kohës që ishin në mjediset e policisë.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) dhe Grupi Shqiptar i Të Drejtave të Njeriut (GShDNj) raportuan që policia hera-herës kishte përdorur forcë të tepërt apo trajtim çnjerëzor. Në vitin 2008, KShH raportoi se kishte marrë 91 ankesa për keqtrajtim nga policia. Shumica e këtyre ankesave kishin të bënin me ndalime të pajustifikuara nga policia, mbajtje në paraburgim përtej afateve ligjore, mosarritje për të njoftuar shtetasit për të drejtat e tyre gjatë ndalimit, dhe kushtet e këqia në qendrat e paraburgimit. Sipas GShDNj, policia më shpesh i keqtrajtonte të dyshuarit në kohën e arrestimit apo të ndalimit fillestar. Romët, egjiptianët ballkanas, dhe personat e përfshirë në sjellje homoseksuale ishin posaçërisht të prekshëm nga abuzimi i policisë.

Ashtu si në vitet e kaluara, policia hera-herës përdorte kërcënime dhe dhunë për të nxjerrë dëshmi.

Kushtet në Burgje dhe Qendrat e Paraburgimit

Ministria e Drejtësisë administronte të gjitha mjediset e paraburgimit; megjithatë, Ministria e Brendshme mbikqyrte mjediset e ndalimit nga policia, të cilat mbanin të ndaluar për deri në 48 orë pas arrestimit të tyre. Pas 48 orësh, të arrestuarit vendoseshin nën mbikqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Në raprotin e vet të 21 janarit mbi kushtet e qendrave të paraburgimit në vend, delegacioni i CPT vërejti se, me përjashtim të ofrimit të ushqimit, thuajse nuk ishte bërë kurrfarë përmirësimi  në kohën e vizitës së tij në qershor 2008 për të përmirësuar kushtet fizike të ndalimeve në qendrat e ndalimit të policisë. Në veçanti, delegacioni konstatoi që kushtet e paraburgimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Tiranë ishin “tërësisht të papranueshme.” U konstatua se të gjitha qelitë ishin tepër të vogla, në kushte të këqia riparimi dhe higjenike, dhe se kishin pak ose aspak akses ndaj dritës natyrale dhe ajrit të pastër. Kishte gjithashtu edhe raporte për mbipopullim të burgjeve. Për të lehtësuar mbipopullimin, qeveria hapi pesë burgje të reja gjatë vitit dhe në prill kaloi një ligj për shërbimin e provës që lejon personat e dënuar për krime të lehta të lirohen mbi bazë prove. Afro 80 ish të burgosur morën pjesë në këtë program. Në raportin e vet të 21 janarit, delegacioni i CPT vërejti se disa qeli në njësinë për të burgosura femra në Burgun 313 n ëTiranë ishin tejet të mbipopulluara, me deri në katër të burgosura që mbaheshin në një qeli prej shtatë metrash katrore (75 këmbë katrore). Ky ishte i vetmi mjedis në të gjithë vendin për të paraburgosura femra. Në nëntor, qeveria nënshkroi një memorandum me një OJQ vendase për të zgjeruar përmasat e mjedisit.

Qeveria lejoi grupe vendase dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, median dhe të tjerë për të monitoruar kushtet e burgjeve. Ligji parashikon një ombudsman për të zbatuar Mekanizmin Kombëtar për Parandalimin e Torturës. Avokati i Popullit mori ankesa për abuzime nga qeveria dhe ka autoritetin të monitorojë procedurat gjyqësore dhe të inspektojë mjediset e paraburgimit dhe burgjet; avokati i popullit mund të nisë çështje në të cilat një viktimë nuk ka vullnetin apo mundësinë të dalë publikisht.  Edhe pse Avokatit të Popullit i mungonte fuqia për të vënë në zbatim vendimet, ai vepronte si monitories i shkeljeve të të drejtave të njeriut. Rastet më të shpeshta përfshinin ankesa të shtetasve për abuzim pushteti nga policia dhe ushtria, mungesë zbatimi të vendiveme gjyqësore në çështjet civile, shkarkimet e gabuara nga puna dhe mosmarrëveshjet për pronat.

Si rezultat i konstatimit nga avokati i popullit në qershor 2008 se të burgosurit në burgun e Burrelit vuanin abuzim thelbësor psikologjik dhe fizik, Ministria e Drejtësisë kreu më shumë trajnime për personelin e burgjeve dhe pakësoi mbipopullimin. Gjatë vitit, avokati i popullit nuk mori ankesa lidhur me burgun e Burrelit.

Gjatë vitit, avokati i popullit konstatoi se të miturit mbaheshin sëbashku me të rriturit në burgun e Korçës dhe mjediset e paraburgimit të Durrësit. Konkretisht, ai konstatoi se personat në moshën 14 deri 18 vjeç mbaheshin sëbashku. Avokati i popullit rekomandoi që kjo praktikë të ndalojë; zbatimi ishte në proces në fund të vitit.

Gjatë vitit, ishin nisur procedime disiplinore ndaj 186 roje dhe zyrtarë burgjesh për  shkelje.

Arrestimi apo Ndalimi Arbitrar

Kushtetuta dhe ligji ndalojnë arrestimin apo ndalimin arbitrar; megjithatë, pati disa raportime se policia me raste arrestoi dhe ndaloi persona në mënyrë arbitrare.

Roli i Policisë dhe Aparatit të Sigurisë

Njësitë vendore të policisë raportojnë tek Ministria e Brendshme dhe ishin forca kryesore përgjegjëse për sigurinë e brendshme.

Pavarësisht nga reformat në rekrutimin e oficerëve të policisë dhe standardizime të tjera nga Ministria e Brendshme, performanca e gjithanshme e zbatimit të ligjit mbeti e dobët. Sjellja joprofesionale dhe korrupsioni, përzier me pagat e ulëta, mbetën pengesa madhore për zhvillimin e një force policore civile të efektshme.

Gjatë vitit, avokati i popullit përpunoi dhe përfundoi 151 nga 169 ankesa kundër policisë kryesisht për çështje të lidhura me arrestimin dhe ndalimin; avokati zgjidhi 63 prej tyre në favor të shtetasit që kishte paraqitur ankesën.

Procedurat e Arrestimit dhe Trajtimi Gjatë Ndalimit

Kushtetuta kërkon që autoritetet të informojnë personat e ndaluar menjëherë për akuzat kundër tyre dhe të drejtat e tyre. Policia duhet të informojë menjëherë prokurorin për një arrestim. Prokurori mund ta lirojë të dyshuarin ose t’i drejtohet gjykatës brenda 48 orësh për ta mbajtur personin më gjatë. Gjykata duhet të vendosë brenda 48 orësh nëse një shtetas duhet mbajtur në paraburgim, të kërkojë garanci, të ndalojë udhëtimin, apo të kërkojë që i pandehuri të paraqitet rregullisht tek policia. Në praktikë, prokurorët kërkonin ndalimin dhe gjykatat urdhëronin ndalimin në mënyrë rutinë.

Gjykatat duhet t’u ofrojnë të pandehurve të varfër një avokat falas. Policia shpesh dështoi t’i informonte të pandehurit për këtë të drejtë. KShH dhe një numër OJQ-sh të tjera ofruan këshillim ligjor falas dhe shërbime avokatie për personat e varfër.

Ligji kërkon përfundimin e shumicës së hetimeve para gjyqit brenda tre muajsh, megjithatë, një prokuror mund ta zgjasë këtë periudhë deri në dy vjet ose më gjatë. Ligji siguron që ndalimi maksimal në paraburgim nuk duhet të kalojë tre vjet; nuk pati raportime gjatë vitit për shkeljen e këtij kufiri. Megjithatë, ndalimet e stërzgjatura në paraburgim shpesh ndodhnin për shkak të hetimeve të vonuara, gabimeve në mbrojtje, apo dështimit të avokatëve mbrojtës për t’u paraqitur.

Burimet e kufizuara material, mungesa e hapësirës, administrimi i keq i kalendarit të gjykatës, si dhe personeli i pamjaftueshëm e ndalonin sistemin e gjykatave që t’i gjykonin çështjet në kohë.

e. Mohimi i Gjyqit të Drejtë Publik

Kushtetuta siguron një gjyqësor të pavarur; megjithatë, presioni politik, kanosja, korrupsioni i përhapur gjerësisht dhe burimet e kufizuara hera-herës nuk e lejonin gjyqësorin që të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe eficiente.

Sistemi gjyqësor përbëhet nga gjykatat e rretheve, gjykata e krimeve të rënda, gjykatat ushtarake, dhe gjykatat e apelit. Ekziston një Gjykatë e Lartë që dëgjon apelimet nga gjykatat e apelit dhe një Gjykatë Kushtetuese që shqyrton çështjet që kanë të bëjnë me interpretimin dhe konfliktet kushtetuese mes degëve të qeverisjes dhe çështjeve të individëve që pretendojnë mohimin e procesit të rregullt ligjor.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka autoritetin të emërojë, disiplinojë, dhe shkarkojë gjyqtarë të gjykatave të rretheve dhe apelit. Këshilli përbëhet nga presidenti, ministri i drejtësisë, kreu i Gjykatës së Lartë, nëntë gjyqtarë të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore, dhe tre anëtarë të zgjedhur nga parlamenti. Gjyqtarët mund të apelojnë shkarkimin e tyre në Gjykatën e Lartë.

Më 16 shkurt, Gjykata Kushtetuese pezulloi dhe ia referoi Komisionit të Venecias së Këshillit të Europës për shqyrtim të mëtejshëm ligjin e debatueshëm të “lustracionit,” i cili lejon shkarkimin nga detyra të një game të gjerë zyrtarësh që kishin marrë pjesë në “procese politike” ndërkohë që shërbenin në poste të nivelit të lartë gjatë qeverisjes komuniste. Gjykimi i këtyre rasteve do të trajtohej nga një komision jashtë gjyqësorit, emëruar nga parlamenti i kontrolluar nga qeveria. Ligji dukej se synonte të arrinte qëllimet politike partiake të qeverisë. Në tetor, Komisioni i Venecias vendosi që ligji i lustracionit, siç ishte shkruar, nuk përputhet me kushtetutën e vendit.

Në vitin 2008, Gjykata Europiane e Të Drejtave të Njeriut nxori një gjykim kundër vendit për shkelje të Nenit 6 (e drejta për një gjyq të drejtë) të Konventës Europiane për Të Drejtat e Njeriut.

Procedurat e Gjyqeve

Ligji siguron të drejtën për një gjyq të drejtë ku të pandehurit prezumohen të pafajshëm deri sa të dënohen. Sistemi i gjykatave nuk siguron gjyqet me juri. Prokurorët dhe avokatët mbrojtës ia paraqesin argumentat një gjyqtari apo paneli gjyqtarësh dhe të pandehurit kanë të drejtë të kenë akses ndaj të gjitha fakteve që prokurorët i paraqesin gjyqtarëve. Të pandehurit kanë të drejtën e apelit. Ligji mandaton një sistem dënimi alternativ për të miturit.

Të Burgosur dhe Të Ndaluar Politikë

Nuk pati raportime për të burgosur apo të ndaluar politikë; megjithatë, ish të burgosurit politikë gjatë qeverisjes komuniste u ankuan që ose nuk kishin marrë kompensim që u takonte sipas ligjit ose që pagesat kryheshin shumë ngadalë.

Procedurat Gjyqësore Civile dhe Ankimet

Ekziston një sistem funksional i së drejtës civile ku shtetasit kanë të drejtën e ankimimit; megjithatë, ky sistem ishte i prekshëm nga korrupsioni, ineficienca dhe ndërhyrjet politike. Zyra e Përmbarimit është përgjegjëse për ekzekutimin e gjykimeve civile. Ligji lejon përmbaruesit privatë që të ekzekutojnë gjykimet, duke lehtësuar si entet publike ashtu edhe ato private që të ndihmojnë ekzekutimin e vendimeve. Megjithatë, gjatë vitit ligji nuk u vu në zbatim.

Kthimi i Pronave

Ligjet që rregullojnë kthimin ose kompensimin e pronave private apo fetare të konfiskuara gjatë kohës së komunizmit janë komplekse dhe një numër i madh çështjesh që kanë të bëjnë me pretendimet nga pronarët e rinj dhe shtetit, nga njëra anë dhe pronarëve të mëparshëm mbetën të pazgjidhura. Në shtator 2008, Parlamenti Europian nxori një dokument informues mbi kthimin e pronave në vend, i cili vërejti se raundi i parë i gjykimeve nga Gjykata Europiane për Të Drejtat e Njeriut kishte konstatuar “mangësi serioze” në sistemin administrativ dhe gjyqësor të vendit  për sa i përket kthimit dhe kompensimit të pronave për pronarët e mëparshëm. Probleme të tjera të identifikuara në dokument përfshinin ngadalësinë e qeverisë në ngritjen e strukturave administrative në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si në nivel qendror edhe në nivel rajonal si dhe mbizotërimin e procesit të kthimit nga transaksione informale dhe korruptive.

Gjatë vitit, qeveria ofroi 1.2 miliardë lekë ($12 milionë) për kompensimin e ish-pronarëve të pronave private. Ashtu si në vitet e kaluara, qeveria nuk ofroi kthim apo kompensim për organizatat fetare me prona dhe objekte fetare që kishin qenë konfiskuar apo dëmtuar gjatë regjimit komunist.

f. Ndërhyrja Arbitrare në Privatësi, Familje, Shtëpi, apo Korrespondencë

Kushtetuta dhe ligji i ndalojnë veprime të tilla dhe qeveria përgjithësisht i respektoi ato në praktikë.

Seksioni 2  Respekti për Liritë Civile, Përfshirë:

a. Liria e Fjalës dhe Shtypit

Kushtetuta dhe ligji garantojnë larine e fjalës dhe të shtypit. Ndërkohë që qeveria përgjithësisht i respektoi këto të drejta, pati raportime që qeveria dhe bizneset ushtruan presion të tërthortë mbi median. Ndërkohë që media ishte gjerësisht aktive dhe e pakufizuar, pati problem serioze me keqpërdorimin e medias për qëllime politike. Këto probleme u përkeqësuan gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, ku shumica e organizatave të medias treguan anshmëri të qartë ndaj dy partive më të mëdha politike dhe media publike tregoi anshmëri të dallueshme ndaj Partisë Demokratike në pushtet.

Në përgjithësi, individët mund ta kritikonin qeverinë publikisht ose privatisht pa u ndëshkuar, megjithëse pati disa përjashtime.

Radio dhe Televizioni Publik administronte një kanal kombëtar televiziv dhe një stacion kombëtar radio dhe, me ligj, merr 50 përqind të buxhetit të tij nga qeveria. Stacioni mbeti nën kontroll rigoroz në linjën e vet editoriale. Me raste, presioni politik dhe mungesa e fondeve kufizuan median e pavarur të shtypur. Pati raste presioni të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë mbi median, përfshi edhe kërcënime të drejtpërdrejta ndaj gazetarëve. Gazetarët raportuan se praktikonin vetëcensurim të gjerë.

Roli investigativ i medias vazhdoi të rritej. Një program investigativ satirik, Fiks Fare, çoi në pushime nga puna dhe ndjekje penale kundër zyrtarëve publikë të korruptuar, përfshi një ministër të akuzuar për kundravajtje seksuale.

Më 6 janar, një gjykatë pezulloi nxjerrjen nga mjediset të urdhëruar nga Ministria e Brendshme në dhjetor 2008 të gazetës Tema, një gazetë që kishte qenë kritike ndaj partisë në pushtet, me pretendimin e arsyeve të “sigurisë kombëtare.” Gjykata urdhëroi që gazeta të lejohej të vazhdonte botimin deri sa të përfundonte procesi ligjor. Megjithatë, duke injoruar atë vendim, qeveria vazhdoi t’iu mohonte stafit të gazetës akses në shtypshkronjë apo zyrat e gazetës në fund të vitit.

Në pranverë, Këshilli Ministrave modifikoi vendimin e vet të vitit 2006 për të ndaluar qeradhënien për 20 vjet të hapësirës për Top Channel, një stacion televiziv privat hera-herës kritik ndaj qeverisë dhe urdhëroi stacionin të lëshonte ndërtesën shtetërore ku ndodhej. Këshilli ra në një mendje të lejonte Top Channel të lëvizte në një pronë tjetër shtetërore. Më 14 shtator, Ministria e Ekonomisë e njoftoi Top Channel se duhej të lëshonte mjediset në të ashtuquajturën “Ekspozita,” ku kryheshin disa prej veprimtarive të tij, për shkak të procedurave të privatizimit, duke ndërprerë në këtë mënyrë kontratën e qerasë së Top Channel. Ministria deklaroi se e kishte njoftuar stacionin gjatë dy viteve të mëparshme për privatizimin, një pretendim që stacioni e hodhi poshtë si të pavërtetë. Stacioni pretendoi se këto veprime ishin ndëshkime për linjën e tij editoriale. Më 15 shtator, një zëdhënës i ministrisë pohoi se qeraja kishte përfunduar pas privatizimit të ndërtesës. Një numër seancash gjyqësore pasi stacioni kishte bërë padi ku kundërshtonte vendimin e qeverisë u shtynë. Në fund të vitit, çështja vazhdonte.

Ligji e ndëshkon shpifjen me denim me burg deri në dy vjet dhe gjobë. Gjatë vitit, nuk pati padi për shpifje kundër gazetarëve. Megjithatë, dy organizata të medias, Vizion Plus dhe Shekulli, bënë padi për shpifje kundër kryeministrit në dhjetor për deklarata publike paragjykuese kundër tyre në parlament. Në fund të vitit, pati seanca gjyqësore.

Politizimi i medias mbeti shqetësim që u përkeqësua gjatë fushatës zgjedhore. Për herë të parë, partitë politike dërguan kaseta të filmimeve të fushatës për t’u përdorur nga stacionet në vend të mbulimit të aktiviteteve të fushatës nga vetë stacionet. Botuesit dhe pronarët e gazetave vazhduan të diktonin artikuj për t’u shërbyer interesave të veta politike dhe ekonomike dhe hera-herës bllokuan artikuj që binin ndesh me ato interesa. Pati transparencë minimale lidhur me financimin e medias.

Vazhduan forma të ndryshme të kanosjes ndaj medias. Gazetarët vazhduan të ankoheshin që botuesit dhe redaktorët censuronin punën e tyre, drejtpërdrejt ose tërthorazi në përgjigje të presioneve politike apo të biznesit. Shumë gazetarë u ankuan se mungesa e kontratave të punës për ta shpesh pengonte aftësinë e tyre për të raportuar në mënyrë objektive.

Në 2 nëntor, një kritik i hapur i qeverisë, gazetari Mero Baze, pronar i gazetës Tema dhe drejtues i një programi në Vizion Plus, u sulmua në një klub në Tiranë. Dëshmitarët pohuan se u sulmua nga Rezart Taçi, një biznesmen i njohur dhe i afërt me qeverinë, dhe nga truprojat e tij për shkak të raportimeve nga Baze për pretendime për korrupsion në privatizimin e ARMO, rafineria shtetërore e naftës, të cilën qeveria më parë ia kishte shitur Taçit. Në fund të vitit, policia po hetonte incidentin dhe biznesmeni dhe dy nga truprojat e tij të akuzuar ishin liruar me kusht në pritje të gjyqit.

Partitë politike, sindikatat, dhe grupe të tjera botonin gazeta apo revista të pavarura nga ndikimi i qeverisë. Ekzistonin rreth 200 botime, përfshi gazeta, revista, buletine e pamflete të përditshme dhe të përjavshme.

Sipas të dhënave zyrtare, vendi ka 64 stacione televizive private dhe 44 stacione radio private, por numri faktik ishte më i lartë sipas raportimeve. Ndërkohë që stacionet përgjithësisht funksiononin të lira nga ndikimi i qeverisë, shumica e pronarëve besonin se përmbajtja e programeve të tyre mund të ndikonte veprimet e qeverisë ndaj bizneseve të tjera të tyre.

Liria e Internetit

Nuk kishte kufizime nga qeveria mbi aksesin ndaj internetit apo raportime që qeveria të kishte monitoruar postën elektronike apo dhomat e diskutimit në internet. Individët dhe grupet mund të përfshiheshin në diskutime paqësore të pikëpamjeve në internet, përfshi edhe me postë elektronike. Aksesi ndaj internetit u rrit me shpejtësi gjatë vitit, por mbeti i kufizuar, sidomos jashtë qendrave kryesore urbane. Sipas statistikave të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit për vitin 2008, rreth 15 përqind e banorëve të vendit përdornin internetin; megjithatë, kishte raportime të tjera se përdorimi mund të ishte deri në 30 përqind.

Liria Akademike dhe Veprimtaritë Kulturore

Nuk pati kufizime nga qeveria të lirisë akademike apo aktiviteteve kulturore.

Ligji siguron zgjedhjen e rektorëve të universiteteve nga pedagogët dhe studentët. Zgjedhjet e përgjithshme u zhvilluan nëjanar 2008 në të gjitha universitetet publike. Pati edhe raportime për presion të ushtruar mbi disa studentë gjatë zgjedhjeve.

Korrupsioni në sistemin e arsimit ishte i përhapur gjerësisht. Zyrtarët e universiteteve sipas raportimeve kërkonin pagesa që studentët të siguronin regjistrimin. Për një pagesë, pedagogët supozohej se shkruanin materiale apo detyra për studentët, të cilët braktisnin orët e mësimit në mënyrë rutinë. Zyrtarët hera-herës kërkonin ryshfet apo favore seksuale nga studentët që ata të kalonin klasat apo provimet.

b. Liria e Grumbullimit Paqësor dhe Shoqatave

Kushtetuta dhe ligji sigurojnë larine e grumbullimit dhe shoqatave dhe qeveria në përgjithësi i respektoi këto të drejta në praktikë.

Ligji u kërkon organizatorëve të tubimeve në vende publike që të njoftojnë policinë tri ditë përpara; nuk pati raportime se policia mohoi të tilla tubime arbitrarisht. Megjithatë, përpara zgjedhjeve të qershorit, qeveria përdori policinë për të penguar përgatitjet nga opozita për tubimin e vet të mbylljes së fushatës. Mosmarrëveshja u zgjidh vetëm me anë të ndërhyrjes ndërkombëtare.

Ligji ndalon formimin e ndonjë partie apo organizate që nuk është transparente apo është e fshehtë; nuk pati raportime që qeveria ta kishte përdorur këtë dispozitë kundër ndonjë grupimi gjatë vitit.

c. Liria e Fesë

Kushtetuta dhe ligji sigurojnë lirinë e fesë dhe qeveria përgjithësisht e respektoi këtë të drejtë në praktikë.

Bashkësitë kryesore fetare – myslimanët sunitë, myslimanët bektashianë, ortodoksët, dhe katolikët – gëzonin një nivel më të lartë njohjeje zyrtare (për shembull, festat kombëtare) dhe status shoqëror se sa disa grupe të tjera fetare. Qeveria nuk kërkon regjistrim apo licensim të grupeve fetare.

Kushtetuta kërkon marrëveshje të veçanta dypalëshe për të rregulluar marrëdhëniet midis qeverisë dhe bashkësive fetare. Në tetor 2008, qeveria nënshkroi marrëveshje me bashkësitë myslimane, ortodokse dhe bektashiane. Kisha Katolike e ka pasur një marrëveshje të tillë me qeverinë qysh nga viti 2002. VUSH, një organizatë protestante ombrellë, ka kërkuar përfundimin e një marrëveshjeje dypalëshe. Mes avantazheve të pasjes së një marrëveshjeje janë njohja zyrtare e bashkësisë, kthimi me përparësi i pronave, si dhe përjashtimet nga taksat. Mbeten për t’u zbatuar mbështetja financiare qeveritare dhe pagat e subvencionuara nga shteti për klerikët, bazuar mbi një ligj mbi financimin e bashkësive fetare më 5 qershor.

Abuzimet dhe Diskriminimi nga Shoqëria

Në vend jetonin më pak se 100 hebrenj; në vend nuk kishte sinagoga apo qendra komunitare funksionale dhe as raportime për akte anti-semite.

Për një diskutim më të hollësishëm, shih Raportin Ndërkombëtar për Lirinë e Fesë 2009 në adresën www.state.gov/g/drl/rls/irf.

d. Liria e Lëvizjes, Personat e Zhvendosur në Vend, Mbrojtja e Refugjatëve dhe Personat Pa Shtetësi

Kushtetuta dhe ligji garantojnë lirinë e lëvizjes në vend, udhëtimin jashtë, emigracionin dhe riatdhesimin dhe qeveria përgjithësisht i respektoi këto të drejta në praktikë. Qeveria bashkëpunoi me Zyrën e Komisionerit të Lartë për Refugjatët (UNHCR) dhe organizata të tjera humanitare për të ofruar mbrojtje dhe ndihmë për personat e zhvendosur brenda vendit, refugjatët, refugjatët e kthyer, azilkërkuesit, personat pa shtet dhe persona të tjerë që përbënin shqetësim.

Migruesit e brendshëm duhet të transferojnë regjistrimin e tyre civil në vendin e ri të banimit për të përfituar shërbimet e qeverisë dhe duhet të provojnë se janë ligjërisht banorë me anë të pronësisë së pronës, një marrëveshje qeraje prone, apo faturat e utiliteteve. Shumë persona nuk mund të siguronin prova të tilla dhe kështu nuk kishin akses ndaj shërbimeve bazë. Shtetasve të tjerë u mungonte regjistrimi formal në bashkësitë ku banonin, sidomos romët dhe egjiptianët ballkanas.

Ligji ndalon azilin me forcë dhe qeveria nuk e përdori atë.

Mbrojtja e Refugjatëve

Vendi është palë në Konventën e vitit 1951 lidhur me Statusin e Refugjatëve dhe me Protokollin e vitit 1967 lidhur me Statusin e Refugjatëve. Ligjet e saj garantojnë dhënien e azilit apo statusit të refugjatit dhe qeveria ngriti një sistem për sigurimin e mbrojtjes për refugjatët.

Në praktikë, qeveria ofroi mbrojtje ndaj dëbimit apo kthimit të refugjatëve në vendet ku jetët apo liria e tyre do të kërcënoheshin mbi bazën e racës, fesë, kombësisë, anëtarësisë në një grup shoqëror, apo mendim politik. Me ligj, kërkesat për azil duhen bërë brenda 10 ditësh pas mbërritjes në vend dhe qeveria duhet të marrë vendim lidhur me dhënien e azilit brenda 51 ditësh nga kërkesa fillestare. Qeveria bashkëpunoi aktivisht me UNHCR dhe Shërbimet e Refugjatëve dhe Migrantëve në Shqipëri, të cilat ofruan ndihmë për refugjatët.

Qeveria ofroi mbrojtje të përkohshme për refugjatët dhe individët që mund të mos kualifikohen si refugjatë dhe ua siguroi atë 99 personave gjatë vitit.

Në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare, qeveria, me anë të programit të BE-së për Asistencë të Komunitetit për Rindërtim, Zhvillim dhe Stabilizim, kontrolloi migrantët pa dokumenta në të gjitha pikat e kalimit të kufirit. Sipas programit, një OJQ dhe një ekip i qeverisë ndihmuan policinë e kufirit që të identifikonte migrantët pa dokumenta që ishin viktima të mundshme të trafikimit, azilkërkues, apo migrantë ekonomikë.

Seksioni 3  Respekti për Të Drejtat Politike: E Drejta e Shtetasve për të Ndryshuar Qeverinë e Tyre

Kushtetuta dhe ligji u garantojnë shtetasve të drejtën të ndryshojnë qeverinë e tyre në mënyrë paqësore dhe shtetasit e ushtruan këtë të drejtë në praktikë me anë të zgjedhjeve periodike bazuar mbi të drejtën universal të votës.

Zgjedhjet dhe Pjesëmarrja Politike

Më 28 qershor, vendi zhvilloi zgjedhjet parlamentare. Raporti zyrtar i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve i Zyrës për Institucione Demokratike dhe Të Drejtat e Njeriut i OSBE-së deklaroi që zgjedhjet përmbushën shumicën e angazhimeve të OSBE-së, por megjithatë “nuk realizuan plotësisht potencialin e vendit për t’iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhjet demokratike.” Ndërkohë që zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar dhe mbulimi nga media ishte pa dyshim i anshëm ndaj dy partive kryesore politike, Partisë Demokratike (PD) dhe Partisë Socialiste (PS), 34 parti kryen fushatë lirisht anembanë vendit. Vëzhguesit e ODIHR vlerësuan votimin pozitivisht në 92 përqind të qendrave të votimit të vizituara, por vërejtën një numër shkeljesh procedural, të tilla si votimi familjar. Mbulimi nga shtypi ishte shumë i anshëm në favor të qeverisë dhe partisë kryesore të opozitës, në kurriz të partive më të vogla. Pati pretendime të shumta, nga të cilat disa u vërtetuan, për të marrë pjesë në aktivitete fushate të PD-së apo për të mos marrë pjesë në veprimtari të opozitës, shpesh shoqëruar me kërcënime për humbje të vendit të punës. Qeveria përdori rregullisht aktivitetet zyrtare, përfshi përurimet e projekteve të infrastrukturës për qëllime të fushatës. Sipas ODIHR, qeveria keqpërdori në mënyrë përssëritur burimet shtetërore – automjete, personel, telekomunikacion, dhe pajisje shumëfishimi – për të ndihmuar fushatën. Edhe kreu i PS-së përdori aktivitetet zyrtare si kryebashkiak i Tiranës për të bërë fushatë për PS-në edhe pse më pak.

Sipas kodit të ri zgjedhor, vetëm kartat e identitetit apo pasaportat mund të përdoreshin si identifikim për votim. Shpërndarja e kartave të identitetit për të lejuar shtetasit pa pasaportë që të votonin filloi në janar dhe kryesisht u krye në kohë për zgjedhjet.  Një përpjekje e përbashkët nga bashkësia ndërkombëtae çoi në një marrëveshje për të përshpejtuar dhënien dhe uljen e kostos së kartave. Nuk pati mosmarrëveshje madhore mbi kartat e identifikimit ditën e zgjedhjeve. Nga rreth 1.4 milionë aplikime për karta identiteti, me përjashtim të 3,321, të gjitha u përpunuan përpara ditës së zgjedhjeve.  Rreth 257,000 shtetas pa pasaporta nuk aplikuan.

Për shkak të mangësive administrative, vëzhguesit e ODIHR e vlerësuan numërimin e votave si të keq ose shumë të keq në 22 nga 66 qendra numërimi. Megjithatë, misioni i ODIHR nuk gjeti fakte për votim të parregullt apo manipulim rezultatesh dhe as parregullsi madhore në qendra. Megjithatë, opozita i kundërshtoi këto përfundime dukshëm kontradiktore dhe një parti e vogël politike transmetoi pamje që dukej se tregonin parregullsi në numërimin e votave në të paktën një qendër votimi. Kërkesat e opozitës për rinumërim u mohuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me votim partiak. Edhe Kolegji Zgjedhor bipartizan përgjithësisht  mohoi kërkesat për rinumërim. Procesi i apelimeve paszgjedhore u krye në mënyrë profesionale dhe u duk i përshpejtuar, sipas misionit të ODIHR. Shpallja përfundimtare e ndarjes së vendeve dhe rezultatet zgjedhore u kaluan nga KQZ me votimin unanim të të dy partive kryesore.

Pas zgjedhjeve, partia kryesore e opozitës, PS, bojkotoi parlamentin dhe bëri thirrje për hetime mbi mashtrime të pretenduara zgjedhore dhe kërkoi hapjen e kutive nga zgjedhjet e 28 qershorit. PD në pushtet deklaroi se hapja e kutive të votimit do të ishte e jashtëligjshme, duke argumentuar se opozita i kishte shterruar të gjitha mundësitë ligjore për apelim parashikuar në kodin zgjedhor. Në fund të vitit, bojkoti vazhdonte.

Partitë politike funksiononin pa kufizime apo ndërhyrje nga jashtë.

Në tërësi, femrat ishin të keqpërfaqësuara në nivelet kombëtare dhe vendore të qeverisjes, pavarësisht angazhimeve nga partitë kryesore për të rritur përfaqësimin e tyre. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, në parlamentin me 140 vende, kishte 23 femra, një rritje prej nëntë vendesh nga parlamenti i mëparshëm. Këto përfshinin kryetaren e parlamentit dhe një femër në Këshillin e Ministrave.

Ligji kërkon që femrat të zënë 30 përqind të posteve të emëruara dhe të zgjedhura dhe kodi zgjedhor siguron që 30 përqidn e kandidatëve duhet të jenë femra. Megjithatë, jo të gjitha partitë e zbatuan kodin zgjedhor dhe shumë i vendosën emrat e femrave poshtë në fletën e votimit, duke siguruar praktikisht që nuk do të fitonin një vend në parlament sipas sistemit parlamentar proporcional rajonal të vendit në të cilin votat u caktohen kandidatëve sipas radhës së paraqitjes së tyre në fletën e votimit.

Një numër anëtarësht të pakicës greke shërbyen në parlament dhe në degën ekzekutive në poste ministrore dhe nënministrore, përfshi edhe si ministër i punës.

Seksioni 4  Korrupsioni Zyrtar dhe Transparenca e Qeverisë

Ligji siguron ndëshkime penale për korrupsionin zyrtar; megjithatë, pavarësisht një numri arrestimesh të zyrtarëve të lartë të qeverisë qendrore dhe vendore, korrupsioni qeveritar mbeti një pengesë madhore për reformat domethënëse. Indekset e Bankës Botërore për qeverisjen për vitin 2008 tregonin se korrupsioni ishte një problem serioz. Qeveria ndoqi penalisht zyrtarë të korruptuar dhe administroi ankesat për korrupsionin në polici me anë të avokatit të popullit.

Gjatë vitit, task forca antikorrupsion e qeverisë kundër krimit të organizuar vazhdoi të bashkërendonte veprimtaritë antikorrupsion. Taskforca, e kryesuar nga Kryeministri, përfshinte një numër ministrash dhe krerë të agjencive të pavarura shtetërore, të tilla si kompania publike e energjisë dhe përfaqësues të policisë dhe organizatave të inteligjencës.

Ligji ua ndalon ministrave të qeverisë dhe anëtarëve të afërt të familjes të zotërojnë një kompani të lidhur drejtpërdrejt me përgjegjësitë e tyre zyrtare. Qysh nga formimi në vitin 2003, Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë (ILDKP) mori deklarata pasurie nga 9,413 zyrtarë. Gjatë vitit, pati 424 zyrtarë të rinj që deklaruan pasuritë e tyre për herë të parë. ILDKP administron rregullat për konfliktin e interesit dhe gjatë vitit gjobiti 27 individë për vonesa në dorëzimet e tyre dhe gjobiti tre për konflikt interesi.

Gjatë vitit, Ministria e Brendshme raportoi se policia e shtetit kishte hetuar 1,610 raste të lidhura me korrupsionin dhe krime financiare. Qeveria konfiskoi afërsisht 700 milionë lekë ($7 milionë) në asete, nga të cilat 550 milionë lekë ($5.5 milionë) ishin nga pastrimi i parave; pjesa tjetër ishte nga kontrabanda e mallrave dhe produkteve ilegale. Sipas Ministrisë së Brendshme, policia shpërbëri 24 grupe kriminale të organizuara në 38 operacione policie. Megjithatë, krimi i organizuar mbeti një problem serioz.

Njësia e Përbashkët Hetimore për Luftën Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit (NjPH) hetoi dhe ndoqi penalisht korrupsionin publik dhe krime të tjera financiare, megjithëse aftësia e saj për të hetuar dhe ndjekur penalisht gjyqtarë, anëtarë të parlamentit dhe zyrtarë të tjerë të korruptuar u pengua nga imuniteti i gjerë prej ndjekjes penale ofruar nga kushtetuta. NjPH përbëhej nga prokurori i përgjithshëm, ministrant e brendshëm dhe të financës, dhe drejtori i ShISh. NjPH përdori një strukturë ekipi për të përqendruar kapacitetet dhe për të kultivuar komunikimin e nevojshëm për hetime dhe ndjekje penale të efektshme. NjPH merrte referime të drejtpërdrejta nga shtetasit.

Gjatë vitit, NjPH hetoi dy ish-kryebashkiakë të një komune pranë Tiranës për një skemë mashtrimi me pronat. Ata u dënuan për korrupsion, pastrim parash dhe akuza të tjera sëbashku me tre zyrtarë dhe dy shtetas të tjerë. Gjykata vendosi dënime që varionin nga tre në gjashtë vjet burgim; megjithatë, Gjykata e Apelit më pas i pakësoi disa prej akuzave dhe shumicën e dënimeve, duke shkurtuar dënimin më të gjatë në tre vjet.

Në një çështje të bujshme që kishte të bënte me kthimin e pronave në Komunën e Kasharit, shtatë persona u dënuan për korrupsion, pastrim parash dhe akuza të tjera. Kjo komunë e vogël, midis Tiranës dhe Durrësit, përfshin tokë me vlerë pranë autostradës kryesore. Të shtatë ranë në një mendje për një gjykim të shkurtuar për të ulur dënimet. Gjykata vendosi dënime me burgim që varionin nga tre në gjashtë vjet për ish-zyrtarët, përfshi dy ish-kryetarë të komunës dhe gjoba që varionin nga një milionë në gjashtë milionë lekë ($10,000 deri në $60,000). Dy shtetas të komunës u dënuan për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh, dhe një prej tyre mori dënimin më të rendë në grup – gjashtë vjet dhe tetë muaj burgim.

Në një çështje mashtrimi me prokurimet në Ministrinë e Mbrojtjes, tre nga katër të pandehur u dënuan, përfshi Shkëlzen Madanin, drejtor i administrimit të burimeve. Madani, dënuar për korrupsion pasiv dhe falsifikim dokumentesh, u dënua me dy vjet e gjysmë burgim, një gjobë prej 1.8 milionë lekë ($18,000) dhe iu ndalua mbajtja e postit publik për një vit. Madani, një bashkëpunëtor i afërt i ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu dhe të tjerët kishin marrë rreth 2,000 euro ($2,860) si ryshfete për çdo licensë importi dhe eksporti municionesh që Ministria e Mbrojtjes i jepte enteve civile. Dy të pandehur të tjerë u dënuan me më pak se dy vite burgim.

Në shtator, prokuroria rrëzoi akuzat kundër ish-ministrit të jashtëm Lulzim Basha, i cili ishte paditur për abuzim detyre në lidhje me projektin më të madh të punëve publike në vend, për arsye teknike, lidhur me imunitetin e tij si ministri i ri i rendit.

Gjatë vitit, Gjykata e Lartë vendosi që ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu kishte imunitet ndaj ndjekjes penale në lidhje me hetimin e shpërthimit në vitin 2008 në një depo çmilitarizimi në Gërdec, e cila çoi në vdekjen e 26 personave. Imuniteti i Mediut, i cili ishte revokuar në vitin 2008, u rivendos pas rizgjedhjes së tij në parlament në 28 qershor. Për pasojë, çështja u rrëzua. Deri në fund të vitit, nuk kishte pasur kërkesë nga prokuroria e përgjithshme për t’i hequr imunitetin Mediut.

Shtetasit dhe joshtetasit, përfshi median e huaj, kanë të drejtën të marrin informacion lidhur me veprimtaritë e organeve qeveritare dhe personave që ushtrojnë funksione zyrtare shtetërore; megjithatë, shtetasit shpesh u përballën me probleme serioze në marrjen e informacionit nga institucionet publike dhe qeveritare.

Ligji kërkon që zyrtarët publikë të japin të gjithë informacionin dhe dokumentet zyrtare me përjashtim të dokumenteve të klasifikuara dhe sekreteve shtetërore. Shumica e ministrive dhe agjencive qeveritare afishonin informacionin publik drejtpërdrejt në faqet e tyre të internetit. Megjithatë, bizneset dhe shtetasit u ankuan për mungesë transparence dhe dështimin për të publikuar rregullore apo legjislacion që duhet të ishte informacion publik bazë.

Seksioni 5 Qëndrimet e Qeverisë Lidhur me Hetimin Ndërkombëtar dhe Joqeveritar të Shkeljeve të Pretenduara të Të Drejtave të Njeriut

Një numër grupesh vendase dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut përgjithësisht funksionuan pa kufizime nga qeveria, duke hetuar dhe duke publikuar konstatimet e tyre mbi çështjet e të drejtave të njeriut. Zyrtarët qeveritarë përgjithësisht bashkëpunuan dhe iu përgjigjën pikëpamjeve të tyre. Një grup OJQsh të të drejtave të njeriut bashkëpunuan për të prodhuar një raport mbi të drejtat e njeriut në vend që u bë publik në dhjetor.

Qeveria bashkëpunoi me organizatat ndërkombëtare, të tilla si UNHCR dhe Organizata Ndërkombëtare e Migracionit, dhe nuk kufizoi aksesin e tyre.

Avokati i popullit për të drejtat e njeriut ka autoritetin të monitorojë procedurat gjyqësore dhe të inspektojë mjediset e paraburgimit dhe burgjet; avokati mund të fillojë çështje në të cilat një viktimë nuk ka vullnetin apo mundësinë të dalë publikisht. Megjithëse avokatit të popullit i mungonte fuqia për të siguruar zbatimin e vendimeve, ai vepronte si monitories për shkeljet e të drejtave të njeriut. Çështjet më të zakonshme kishin të bënin me ankesa të shtetasve për abuzim me detyrën nga policia dhe ushtria, mungesë të ekzekutimit të vendimeve të gjykatave në çështjet civile, shkarkime të padrejta nga puna dhe mosmarrëveshje për pronat.

Në shumë raste, qeveria ndërmori hapa konkrete për të korrigjuar problemet në përgjigje të konstatimeve të avokatit të popullit. Bashkëpunimi midis Ministrisë së Brendshme dhe avokatit të popullit u përmirësua dhe qeveria zbatoi disa prej sugjerimeve të paraqitura nga avokati i popullit.

Seksioni 6 Diskriminimi, Abuzimi nga Shoqëria, dhe Trafikimi i Personave

Ligji ndalon diskriminimin e bazuar mbi racën, seksin, etninë, paaftësinë, gjuhën apo statusin shoqëror; megjithatë, qeveria nuk i vuri në zbatim efektshëm këto ndalime dhe diskriminimi kundër gruas, egjiptianëve ballkanas, romëve dhe personave homoseksualë vazhdoi.

Femrat

Kodi penal penalizon përdhunimin, përfshi përdhunimin bashkëshortor; megjithatë, viktimat rrallë raportonin abuzim bashkëshortor dhe zyrtarët nuk e ndiqnin penalisht përdhunimin bashkëshortor në praktikë. Koncepti i përdhunimit bashkëshortor nuk ishte i konsoliduar mirë dhe autoritetet dhe publiku shpesh nuk e konsideronin si krim. Ligji imponon dënime për përdhunimin dhe sulmet në varësi të moshës së viktimës. Për përdhunimin e një të rrituri, dënimi me burg është tre deri në 10 vjet; për përdhunim të një adoleshenti në moshat 14 deri 18 vjeç, dënimi është pesë deri në 15 vjet dhe, për përdhunim të një fëmije nën 14 vjeç, dënimi është shtatë deri në 15 vjet.

Dhuna në familje kundër gruas, përfshi abuzimin bashkëshortor, mbeti një problem serioz. Gjatë vitit, policia raportoi 1,063 raste të dhunës në familje dhe qeveria ngriti padi në 747 raste. Departamenti për shanse të barabarta në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta mbulon çështjet e femrave, përfshi dhunën në familje.

Qeveria nuk financoi programe specifike për të luftuar dhunën në familje apo për të ndihmuar viktimat, edhe pse këtë ndihmë e ofruan organizatat joqeveritare. OJQ-të raportuan që ishin në funksionim tetë linja të dedikuara telefonike për dhunën në familje. Linjat, të cilat shërbenin kryesisht për pjesën veriore të vendit, merrnin secila afërsisht 25 telefonata në muaj nga femra që raportonin ndonjë formë dhune. OJQ-të administronin katër streha për femra të dhunuara në Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Gjirokastër. OJQ-të shënuan një rritje në raportimet mbi dhunën në familje, në radhë të parë për shkak të ndërgjegjësimit më të madh mbi shërbimet.

Në shumë komunitete, sidomos ato në verilindje të vendit, femrat përballeshin me diskriminim nga shoqëria si rezultat i normave sociale tradicionale që i konsideronin femrat të nënshtruara ndaj meshkujve.

Ligji e ndalon prostitucionin; megjithatë, mbeti problem.

Ligji ndalon ngacmimin seksual; megjithatë, zyrtarët rrallë e zbatonin ligjin.

Në mars, kryeministri shkarkoi ministrin e kulturës, rinisë, turizmit dhe sporteve Ylli Pango, një orë pasi një program televiziv i njohur transmetoi një video të regjistruar nga një kamera e fshehtë që tregonte Pangon të kërkonte favore seksuale nga një vajzë në këmbim të një vendi pune në ministrinë e tij. Një hetim i Pangos mbaroi në dhjetor për shkak të mungesës së provave të tjera veç videos, të vlerësuar nga prokurorët si kurth.

Të drejtat riprodhuese respektohen nga qeveria. Shtetasit kanë akses ndaj kontraceptivëve. Sipas ligijt, kujdesi shëndetësor u ofrohet të gjithë shtetasve; megjithatë, cilësia dhe aksesi ndaj kujdesit, përfshi kujdesin obstetrik dhe pas lindjes, ishin të pakënaqshëm, sidomos në zonat e largëta fshatare.

Ligji siguron të drejta të barabarta për meshkujt dhe femrat sipas kodit të familjes, ligjit për pronën dhe në sistemin gjyqësor. As ligji dhe as praktika nuk i përjashtonte femrat nga ndonjë post; megjithatë, ato nuk ishin të mirëpërfaqësuara në nivelet më të larta të fushave të tyre. Ligji kërkon pagesë të barabartë për punë të barabartë; megjithatë, qeveria dhe punëdhënësit nuk e zbatonin plotësisht këtë dispozitë.

Fëmijët

Në përgjithësi, prindërit duhet t’i regjistrojnë fëmijët në të njëjtin komunitet ku janë të regjistruar vetë. Megjithatë, sipas Qendrës për Të Drejtat e Fëmijëve të Shqipërisë (CRCA), fëmijët e lindur nga migrantë të brendshëm shpesh nuk kishin certifikata lindjeje apo dokumente të tjera ligjore dhe, për pasojë, nuk ishin në gjendje të ndiqnin shkollën.

Ligji siguron nëntë vite arsim falas dhe autorizon shkollat private. Ndjekja e shkollës është e detyrueshme deri në klasën e nëntë ose deri në moshën 16 vjeç, cilado arrihet më parë; megjithatë, në praktikë, shumë fëmijë e braktisnin shkollën më herët se sa e lejonte ligji për të punuar me familjet e tyre, sidomos në zonat fshatare. Prindërit duhet të blenin pajisjet, librat, uniformat dhe ngrohës për disa klasa, diçka e pamundur financiarisht për shumë familje, sidomos për romët dhe pakica të tjera. Shumë familje gjithashtu përmendën këto kosto si arsye për mosdërgimin e vajzave në shkollë.

Sipas shifrave të Ministrisë së Arsimit për vitin 2007-08, regjistrimi në shkollat e mesme publike (moshat 15 deri në 18 vjeç) për djemtë dhe vajzat ishte 96.7 përqind, ndjekja e shkollës fillore (moshat gjashtë deri në 14 vjeç) ishte 99.1 përqind dhe niveli i braktisjes së shkollës ishte 0.9 përqind. Në dhjetor, ministria shpalli një program të ri që synonte uljen e nivelit të braktisjes më tej duke ofruar tekste shkollore mbi bazë rimbursimi për familjet që kualifikoheshin si edhe transportin për në dhe nga shkolla.

Ashtu si në vitet e mëparshme, abuzimi i fëmijëve, përfshi abuzimin seksual, ndodhën me raste, edhe pse viktimat rrallë e raportonin atë. Trafikimi i vajzave për shfrytëzim seksual përfitimi ishte problem. Fëmijët gjithashtu trafikoheshin në Greqi dhe Kosovë si dhe brenda vendit për të lypur dhe forma të tjera pune të fëmijëve në sektorët formalë dhe joformalë.

Martesa e fëmijëve mbeti problem në shumë familje rome dhe në mënyrë tipike ndodhte kur fëmijët ishin 13 ose 14 vjeç.

Fëmijët e zhvendosur dhe të rrugës mbetën problem, sidomos fëmijët romë, të cilët përbënin deri 90 përqind të fëmijëve të rrugës. Fëmijët e rrugës lypnin ose bënin punë të vogla; disa migruan në vendet fqinjë, sidomos gjatë verës. Këta fëmijë ishin në rrezikun më të madh për trafikim të brendshëm dhe disa u bënë viktima të trafikimit.

Trafikimi i Personave

Ligji ndalon trafikimin e personave për të gjitha qëllimet dhe siguron ndëshkime për trafikantët; megjithatë, individët dhe grupet e krimit të organizuar trafikuan persona, sidomos femra dhe fëmijë, nga dhe brenda vendit.

Vendi ishte burim për meshkuj, femra dhe fëmijë të trafikuar për qëllime shfrytëzimi seksual dhe punë të detyruar, përfshi lypjen me forcë dhe punën bujqësore. Viktimat trafikoheshin në radhë të parë në Greqi, por edhe në Itali, Maqedoni, Kosovë, Spanjë, Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera të Europës Perëndimore si dhe brenda vendit.

Trafikimi i personave është i dënueshëm me ligj, me dënime penale që variojnë nga pesë në 15 vjet burg për kundravajtje të trafikimit seksual dhe nga katër në 15 vjet burgim për trafikim për punë. Në çështjet penale, dënimet me burgim shoqërohen nga gjoba nga 50,000 në katër milionë lekë ($500 to $40,000). Ekzistojnë edhe mundësi për ankimim civil.

Gjatë vitit, qeveria rriti ndjekjet penale për kundravajtjet e trafikimit të personave. Deri në fund të vitit, policia kishte referuar 14 raste të reja trafikimi pranë Prokurorisë së Përgjithshme, një rënie nga viti i kaluar, kur autoritetet kishin hetuar 20 persona për akuza trafikimi. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka 24 çështje në procedim; shtatë prej tyre u regjistruan gjatë vitit. Autoritetet referuan pesë raste pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda; gjykata ndoqi penalisht 31 persona, duke dënuar 11 për trafikim. Gjykata dënoi shtatë kundravajtës me 15 dhe 16.5 vjet burgim; gjobiti gjashtë kundravajtës me shtatë milionë lekë ($70,000).

Në çështje të veçanta gjatë vitit, Gjykata e Lartë rrëzoi dënimet e tre trafikantëve për arsye të ndryshme, përfshi ndalimin e viktimave të pretenduara – bashkëshortet e trafikantëve të dënuar – që të dëshmonin kundër tyre në gjykatë.

Qeveria vazhdoi zbatimin e ngadalshëm të planit kombëtar të veprimit për t’u ofruar shërbime viktimave të trafikimit. Qeveria ofroi shërbime të kufizuara për viktimat e trafikimit, duke administruar një strehë pranë Tiranës; megjithatë, ajo nuk ofroi mbështetje financiare për katër streha joqeveritare.

Strategjia Kombëtare për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore ishte mjeti parësor me anë të të cilit qeveria trajtoi trafikimin. Nëpërmjet strategjisë, qeveria ofroi trajnim për 270 anëtarë të personelit dhe sponsorizoi duzina fushatash ndërgjegjësimi publik gjatë vitit për të parandaluar trafikimin.

Raporti për Trafikimin e Personave i përvitshëm i Departamentit të Shtetit mund të gjendet në adresën www.state.gov/g/tip.

Personat me Paaftësi

Kushtetuta dhe ligji ndalojnë diskriminimin kundër personave me paaftësi; megjithatë, punëdhënësit, shkollat, ofruesit e kujdesit shëndetësor, si dhe ofrues të shërbimeve të tjera shtetërore shpesh diskriminuan ndaj personave me paaftësi. Ligji kërkon që ndërtesat e reja të jenë të aksesueshme nga personat me paaftësi, por kjo kërkesë u zbatua vetëm në mënyrë sporadike nga qeveria. Varfëria e përhapur gjerësisht, kushtet e parregulluara të punës, si dhe kujdesi i dobët shëndetësor përbënin problem domethënëse për shumë persona me paaftësi.

Gjatë vitit, avokati i popullit vazhdoi të inspektonte institucionet e shëndetit mendor dhe konstatoi se kushtet fizike në mjediset në Vlorë dhe Shkodër ishin përmirësuar. Megjithatë, avokati i popullit gjithashtu konstatoi që të njëjtat mjedise kishin mungesa në personel dhe furnizim të dobët dhe se kushtet higjieno-sanitare ishin të papranueshme. Avokati i popullit, i cili kreu inspektime në vitet 2008 dhe 2009 në Elbasan, Shkodër dhe Vlorë, rekomandoi një rishikim madhor ligjor, organizativ dhe buxhetor të sistemit të kujdesit për shëndetin mendor në vend. Një raport i posaçëm mbi statusin e trajtimit për shëndetin mendor iu dërgua parlamentit në qershor 2008; megjithatë, nuk ishte ndërmarrë ndonjë veprim. Pranimi dhe lirimi i pacientëve në institucionet e shëndetit mendor ishte problem për shkak të mungesës së burimeve të mjaftueshme financiare për të ofruar vlerësimet e duhura psikiatrike.

Kodi zgjedhor garanton dhoma votimi të arritshme nga karriget me rrota si dhe lehtësi të posaçme për personat e verbër për të votur. Sipas ODIHR, më shumë se 2,000 votues me paaftësi, të cilët nuk kishin një pasaportë të vlefshme nuk mund të aplikonin për një kartë të re identiteti sepse qendrat e aplikimit ishin të vështira ose të pamundura për t’u arritur. Votuesit e detyruar të rrinin në shtëpi gjithashtu nuk patën mundësi të aplikonin, sepse nuk kishte stacione të lëvizshme aplikimi. Pas një fillimi të ngadaltë, për të verbrit kishte në dispozicion fletëvotimi për zgjedhjet e 28 qershorit, por këto mungonin në disa qendra votimi.

Pakicat Kombëtare/Racore/Etnike

Pati raportime për diskriminim nga shoqëria. Si pakica të dukshme, anëtarë të bashkësive rome dhe egjiptiane ballkanike vuajtën abuzim dhe diskriminim domethënës nga shoqëria.

Ligji lejon statusin zyrtar të pakicës për grupet kombëtare dhe veçmas për grupet etnogjuhësore. Qeveria i përkufizonte grekët, maqedonasit dhe malazezët si grupe kombëtare; grekët përbënin grupin më të madh të këtyre. Ligji i përkufizonte arumunët (vllehët) dhe romët si grupe pakicash etnogjuhësore.

Në tetor, Këshilli i Ministrave miratoi Planin Kombëtar të Veprimit për Dhjetëvjeçarin e Përfshirjes së Romëve dhe Egjiptianëve për periudhën 2010-15. Buxheti total për zbatimin e planit pesë-vjeçar pritej të ishte afërsisht 2.5 miliardë lekë ($25 milionë).

Pakica etnike greke ndoqi pakënaqësitë me qeverinë lidhur me zonat zgjedhore, arsimin në gjuhën greke, të drejtat e pronësisë dhe dokumentat qeveritare. Udhëheqës të pakicës përmendën mungesën e vullnetit të qeverisë për të njohur qytetet greke etnike jashtë “zonave të pakicave” të kohës së komunizmit; për të përdorur greqishten në dokumente zyrtare dhe në shenjat publike në zonat etnike greke; për të përcaktuar përmasat e popullsisë etnike greke; apo për të përfshirë një numër më të madh grekësh etnikë në administratën publike.

Në prill, Vasil Bollano, kryebashkiaku grek etnik i Himarës u gjet fajtor për abuzim me postin. U dënua me gjashtë muaj burg, u gjobit me rreth $5,000 dhe u ndalua të mbante post publik për tre vjet. Çështja ishte në apel në fund të vitit. Çështja e kishte fillimin në vitin 2008, kur Bollano u akuzua për shkatërrim të pronës shtetërore pasi urdhëroi heqjen e një numri shenjash rrugore të reja në zonën e Himarës sepse ishin shkruar në shqip dhe anglisht, por jo në greqisht.

Abuzimet, Diskriminimet dhe Aktet e Dhunës nga Shoqëria Bazuar mbi Orientimin Seksual dhe Identitetin Gjinor

Nuk ka ligje që kriminalizojnë orientimin seksual dhe ligji nuk bën dallime midis llojeve të marrëdhënieve seksuale. Pati pak organizata lesbike, gay, biseksuale dhe transgjinore (LGBT) në vend, edhe pse numri dhe aktivitetet e tyre po fillonin të rriteshin. Grupet funksiononin pa ndërhyrje nga policia apo aktorë të tjerë shtetërorë, kryesisht sepse ishin përgjithësisht të veçuara. Pati raportime të përsëritura që individë u rrahën, pushuan nga puna, apo iu nënshtruan diskriminimit për shkak të orientimit të tyre seksual. Shpesh, këto raste nuk raportoheshin.

Në qershor, një burrë pretendohej se vrau vëllain e tij për shkak të orientimit të tij seksual. Vrasësi u deklarua fajtor dhe u dënua me tetë vite burg. Në gusht, katër burra u arrestuan në Durrës për prostitucion dhe për përfshirje në aktivitet seksual në publik. Burrat pretenduan se policia i kishte diskriminuar meqenëse policia shpesh nuk arrestonte prostitutat femra apo klientët e tyre kur kapeshin. Në mungesë të një ligji kundër diskriminimit, diskriminimi nga shoqëria bazuar mbi orientimin seksual ishte konstant. Pati një numër raportimesh informale për ngacmim, mohim shërbimesh, dhe diskriminim në punësim për shkak të orientimit seksual. Për shembull, klientëve homoseksualë shpesh u mohohej shërbimi në klube dhe restorante. Pati raportime se persona LGBT ngacmoheshin në rrugë. Shpesh nuk raportonin kundravajtje penale apo civile të kryera kundër tyre nga frika e ndëshkimeve ekonomike dhe fizike. Personat LGBT nuk janë një grup i mbrojtur sipas ligjit. OJQ-të pretenduan se policia në mënyrë rutinë i ngacmonte personat homoseksualë.

Seksioni 7 Të Drejtat e Punëtorëve

a. E Drejta e Shoqatës

Punëtorët kanë të drejtën të formojnë sindikata të pavarura dhe e ushtruan këtë të drejtë në praktikë; megjithatë, ligji ndalon anëtarët e ushtrisë dhe zyrtarët e lartë qeveritarë të bashkohen në sindikata dhe kërkon që një sindikatë të ketë të paktën 20 anëtarë për t’u regjistruar. Afro 15 përqind e forcës punëtore ishte pjesë e sindikatave.

Ligji lejon të drejtën për grevë për të gjithë punonjësit, me përjashtim të punonjësve civilë dhe punëtorët e ushtruan këtë të drejtë në praktikë. Punonjësit civilë nuk kanë të drejtë të kryejnë greva; kjo ka vlerë për pjesën pa uniformë të ushtrisë, policisë, personelin e domosdoshëm mjekësor dhe spitalor, personat që ofrojnë kontroll të trafikut ajror dhe shërbimet e burgjeve, si dhe punëtorët e domosdoshëm dhe jo të domosdoshëm në ndërmarrjet e ujit dhe energjisë. Ligji ndalon grevat që gjykatat i gjykojnë si politike.

b. E Drejta për T’u Organizuar dhe Negociuar Kolektivisht

Shtetasit në të gjitha fushat e punësimit civil kanë të drejtën kushtetuese të organizohen dhe të negociojnë kolektivisht dhe ligji përcakton procedura për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve nëpërmjet marrëveshjeve kolektive të negocimit. Megjithatë, sindikatat funksiononin nga pozita të dobëta. Në praktikë, sindikatat që përfaqësonin punonjësit e sektorit publik negocionin drejtpërdrejt me qeverinë. Negocimi kolektiv i efektshëm mbeti i vështirë dhe marrëveshjet ishin të vështira për t’u vënë në zbatim.

Gjatë vitit, parlamenti miratoi një ligj që kërkonte që organet përfaqësuese të punëtorëve në ndërmarrje me 20 apo më shumë punëtorë që të informonin punëtorët për të gjitha çështjet që ndikonin ata dhe kompanitë e tyre.

Ligji nuk ndalon diskriminimin antisindikatë dhe pati disa raportime për ndodhi të tilla. Sipas Sindikatës së Pavarur të Tekstileve, Veshjeve dhe Lëkurës, punëdhënësit në sektorët e veshjeve, lëkurës dhe këpucëve i shihnin sindikatat si armike. Sipas raportimeve, ato kishin kërcënuar të zhvendoseshin jashtë vendit nëse punëtorët krijonin sindikata. Në tetor, parlamenti miratoi një ligj që do të sekuestronte pronat që i përkisnin sindikatave të vendit. Federata Ndërkombëtare e Sindikatave Kimike, Energjitike, Minerare dhe Të Përgjithshme të Punëtorëve paraqiti një padi kundër këtij ligji.

Ligji përcaktonte zona ekonomike dhe parqe industriale dhe qeveria miratoi gjashtë parqe industriale për zhvillim. Deri në janar, këto parqe ishin në zhvillim.

c. Ndalimi i Punës me Forcë ose Të Detyruar

Ligji ndalon punën me forcë ose të detyruar, përfshi nga fëmijët; megjithatë, femrat dhe fëmijët trafikoheshin për shfrytëzim seksual dhe punë.

d. Ndalimi i Punës së Fëmijëve dhe Mosha Minimale për Punësim

Ligji kriminalizon shfrytëzimin e fëmijëve për shërbime pune apo me forcë; megjithatë, qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë të efektshme. Sipas një përllogaritjeje të CRCA, nxjerrë gjatë vitit, më shumë se 50,000 fëmijë nën moshën 18 vjeç punonin me kohë të plotë ose të pjesshme. CRCA raportoi që shumica e punëtorëve fëmijë punonin si shitës rruge apo dyqanesh, lypës, fermerë apo barinj, shpërndarës droge, larës makinash, punëtorë të fabrikave të tekstileve, minatorë, apo lustraxhinj. Kërkimet sugjeronin se lypja, me forcë ose jo, fillonte në një moshë të vogël – deri edhe katër apo pesë vjeç – dhe kishte lidhje me varfërinë dhe diskriminimin. Policia përgjithësisht i injoronte praktika të tilla. Në janar 2008, kodi penal u ndryshua për të përfshirë shfrytëzimin e fëmijëve për lypje sin jë kundravajtje e veçantë penale.

Ligji përcakton moshën minimale të punësimit në 14 vjeç dhe rregullon sasinë dhe llojin e punës që mund të kryejnë fëmijët nën moshën 18 vjeç. Fëmijët midis moshave 14 dhe 16 vjeç mund të punojnë në mënyrë të ligjshme në vende pune me kohë të pjesshme gjatë pushimeve të verës; fëmijët midis moshave 16 dhe 18 vjeç mund të punojnë gjatë gjithë vitit në punë të caktuara specifike. Ligji siguron që Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta është përgjegjëse për zbatimin e kërkesave për moshën minimale me anë të gjykatave; megjithatë, nuk pati një zbatim i tillë u krye. Inspektorët e punës përgjithësisht hetonin vetëm sektorin formal të punës, ndërkohë që pjesa më e madhe e punës së fëmijëve ndodhte në sektorin informal. Shumica që inspektonin ishin fabrikat e këpucëve dhe tekstileve.

Në mars 2008, një shpërthim masiv vrau një numër fëmijësh të punësuar në mënyrë të jashtëligjshme në një depo municioni në Gërdec. Shpërthimi vrau 26 persona dhe lëndoi qindra të tjerë, disa prej tyre rëndë.

Qeveria, sëbashku me një numër OJQ-sh dhe donatorësh ndërkombëtarë kishin disa programe specifike që synonin parandalimin e punës së jashtëligjshme të fëmijëve.

Gjatë vitit, Njësia e Punës së Fëmijëve në Ministrinë e Punës vazhdoi zbatimin e fazës së dytë të nismës së saj për monitorimin e punës së fëmijëve në rajonet e Elbasanit dhe Shkodrës. Si rezultat i këtyre përpjekjeve, 315 fëmijë u tërhoqën nga forma të ndryshme punësimi dhe u kthyen në shkollë. Gjithashtu, Ministria e Turizmit vendosi një kod sjelljeje për parandalimin e turizmit të seksit të fëmijëve që u nënshkrua nga 24 agjenci turistike dhe hotele.

e. Kushtet e Pranueshme të Punës

Që nga maji, paga minimale kombëtare ishte 18,000 lekë ($180) në muaj. Megjithatë, nuk ishte e mjaftueshme për të siguruar një standard të denjë jetese për një punëtor dhe familjen. Sipas INSTAT, paga mesatare për punonjësit shtetërorë ishte 42,000 lekë ($420) në muaj. Instituti i Statistikave raportoi gjithashtu që pagat mesatare mujore në sektorin publik ishin rritur 16 përqind krahasuar me vitin 2008.

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka përgjegjësinë për zbatimin e kërkesave për pagën minimale.

Ligji përcakton javë pune 40-orëshe; megjithatë, java tipike e punës përcaktohej nga marrëveshjet kolektive ose individuale. Shumë persona punonin gjashtë ditë në javë. Ligji kërkon pagesën e orëve jashtë orarit dhe periudhave të pushimit; gjithsesi, këto parashikime nuk u zbatuan gjithmonë në praktikë nga punëdhënësit. Qeveria nuk kishte caktuar standarde për minimumin e pushimit për javë, kufizime mbi maksimumin e numrit të orëve të punës për javë, ose shumën e pagesës shtesë për orët jashtë orarit dhe nuk ndalonte orët e tepruara të punës së detyrueshme jashtë orarit.

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta është përgjegjëse për zbatimin e standardeve dhe rregullave qeveritare të shëndetit dhe sigurisë; megjithatë, zbatimi mungonte në përgjithësi. Kushtet në vendin e punës shpesh ishin shumë të këqija dhe në disa raste të rrezikshme. Gjatë vitit media raportoi një numër rastesh të vdekjeve të lidhura me vendin e punës, veçanërisht në industrinë e ndërtimit dhe minierave. Minierat e kromit në Bulqizë vazhduan të ishin ndër vendet e punës më të rrezikshme në vend, me të paktën 16 vdekje të raportuara nga prilli 2007 deri në fund të vitit 2008. Gjatë vitit, minatorët e Bulqizës kryen një grevë urie për të protestuar kundër kushteve të këqija të punës; minatorët ndaluan grevën për t’i dhënë qeverisë kohë që të hartonte propozimet për përmirësimin e kushteve të punës dhe për të miratuar një ligj të posaçëm për statusin e minatorit. Deri në fund të vitit, qeveria nuk kishte bërë ndonjë propozim.

Ligji nuk u njeh punëtorëve të drejtën të vetëlargohen nga situata të rrezikshme pa kërcënuar punësimin e tyre.