Skip Global Navigation to Main Content
Skip Breadcrumb Navigation

Raporti Vjetor për Të Drejtat e Njeriut - 2007 (11 Mars 2008)

SHQIPËRIA

Republika e Shqipërisë është një demokraci parlamentare me një popullsi prej afro 3.6 milionë njerëz. Autoritetin legjislativ e ka Kuvendi Popullor me një dhomë (parlamenti), i cili zgjedh si kryeministrin ashtu edhe presidentin. Kryeministri kryeson qeverinë, ndërkohë që presidenca është një pozicion kryesisht ceremonial me pushtet të kufizuar ekzekutiv. Në korrik, Parlamenti zgjodhi një president të ri në një kalim të rregullt pushteti. Në shkurt, në mbarë vendin u mbajtën zgjedhje vendore, me praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve. Autoritetet civile përgjithësisht mbajtën kontroll efektiv mbi forcat e sigurisë.

Qeveria përgjithësisht i respektoi të drejtat e njeriut të qytetarëve të saj; megjithatë, pati probleme në disa fusha, përfshi vrasjet shoqërore prej “gjakmarrjes,” abuzim nga forcat e sigurisë ndaj të burgosurve dhe të ndaluarve, kushte të këqija në burgje dhe paraburgim, korrupsion dhe mosndëshkim të policisë, diskriminim kundër grave, fëmijëve dhe pakicave, si dhe trafikim të qenieve njerëzore.

RESPEKTI PËR TË DREJTAT E NJERIUT

Seksioni 1 RespektI për Integritetin e Personit, Përfshi Lirinë Nga:

a. Privimi Arbitrar apo i Jashtëligjshëm i Jetës

Nuk pati raportime se qeveria apo agjentët e saj kryen vrasje arbitrare apo të jashtëligjshme.

Vrasjet shoqërore vazhduan gjatë vitit, si rezultat i akteve vigjiluese (përfshi si vrasjet mes brezash nga “gjakmarrja” ashtu edhe vrasjet për hakmarrje), bandave kriminale, dhe krimit të organizuar.

Statistikat mbi veprimtarinë e lidhur me gjakmarrjen variojnë. Sipas Ministrisë së Brendshme, nga 96 vrasjet gjatë vitit, dy kishin lidhje me gjakmarrjen, duke shënuar një rënie në vrasjet për gjakmarrje për shkak të rritjes së hetimeve. Megjithatë, Komiteti për Pajtimin Kombëtar, një organizatë joqeveritare (OJQ), vazhdoi të citonte nivele të larta veprimtarie të lidhur me gjakmarrjen, përfshi mbi 1,000 familje të burgosura në shtëpitë e tyre nga frika e ndëshkimeve për gjakmarrje kundër tyre. Tradita e e gjakmarrjes buron nga një kod nderi tradicional, i cili vazhdon të ndiqet në pak bashkësi të izoluara.
Në shkurt, parlamenti miratoi amendamente në Kodin Penal për të kriminalizuar gjakmarrjen dhe për t’i bërë të ndëshkueshme me dënim 3 vjet.

Gjatë vitit, një konferencë e organizuar nga OJQ i bëri thirrje Këshillit Bashkërendues të Luftës Kundër Gjakmarrjes, një organ i qeverisë, kryesuar nga Presidenti, që të ndërmerrte një rol më proaktiv në luftën kundër gjakmarrjes. Këshilli zhvilloi mbledhjen e tij të parë këtë vit.

Gjykata e Krimeve të Rënda shqyrtoi çështje të gjakmarrjes. Vrasja me paramendim, kur kryhet për hakmarrje apo gjakmarrje, ndëshkohet me 20 vjet burg ose burgim të përjetshëm.
 
b. Zhdukja

Nuk pati raportime për zhdukje të motivuara politikisht.

c. Tortura dhe Trajtime apo Ndëshkime të Tjera të Egra, Çnjerëzore, apo Degraduese

Kushtetuta dhe ligji i ndalojnë veprime të tilla; megjithatë, policia dhe rojet e burgjeve disa herë rrahën dhe abuzuan ndaj të dyshuarve dhe të ndaluarve. Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) dhe Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut (GShDNj) raportuan që policia disa herë përdori forcë të tepërt apo trajtime çnjerëzore. Sipas GShDNj, pjesa më e madhe e keqtrajtimeve ndodhi në kohën e arrestimit apo ndalimit fillestar. Romët, egjiptianët e ballkanit, si dhe homoseksualët ishin veçanërisht të prekshëm nga abuzimi prej policisë.

Në janar, Avokati i Popullit hetoi një ankim për abuzim nga i burgosuri Ardian Kokici se rojet e burgut e kishin abuzuar gjatë një inspektimi të qelisë në Burgun e Rrogozhinës. Avokati i Popullit verifikoi shenja të dukshme dhune fizike në trupin e Kokocit 10 ditë pas ngjarjes. Ndaj zyrtarëve të burgut përgjegjës për abuzimin nuk u ndërmorr kurrfarë veprimi. Avokati i Popullit kishte verifikuar abuzime të ngjashme në burgje të tjera dhe rekomandoi rihartimin e rregullave për inspektimin e qelive, të cilat mungonin në disa burgje dhe ishin nën standarde në disa të tjera.

Komiteti për Parandalimin e Torturës i Këshillit të Europës botoi një raport bazuar mbi inspektimin e vet të vitit 2006 në burgjet dhe qendrat e paraburgimit në vend. Raportoi jepte hollësi për trajtim çnjerëzor dhe abuzim fizik të shumëpërhapur ndaj të burgosurve dhe të ndaluarve, si dhe u shpreh që pak përparim ishte bërë në zbatimin e rekomandimeve të kahershme. Gjatë vitit, pati raportime që policia në lokalitete të ndrsyhme, të tilla si Korça dhe Vlora, rrahu dhe keqtrajtoi persona gjatë arrestimit apo gjatë qëndrimit në paraburgim.

Amnesty International (AI) raportoi pretendime në mars se policia goditi Dorian Lecin në kokë me dorezën e pistoletës dhe e shkelmoi dhe rrahu në kohën e arrestimit në Tiranë. Leci paraqiti një padi penale kundër oficerit të policisë, duke pretenduar përdorimin e forcës, abuzimit të detyrës dhe torturë. Prokurori refuzoi të hapte një hetim për ankesën dhe, sipas raportimeve dështoi në njoftimin e Lecit për këtë vendim, siç kërkohet me ligj. Çështja ishte në gjykim në fund të vitit. Oficeri i policisë u shkarkua nga forca policore.

Në rrahjen e pretenduar të vitit 2006 të Arben Belajt nga Dritan Veizaj, pjesëtar i policisë së Vlorës, Veizaj u shkarkua nga detyra në pritje të një përfundimi nga hetimi i gjykatës. Gjyqi vazhdonte në fund të vitit.

Ashtu si në vitet e kaluara, policia disa herë përdori kërcënimet, dhunën, dhe torturat për të marrë deponime nga të miturit.
 
Gjatë vitit, Bezim Mullai, një oficer policie i akuzuar për dështim në ndjekjen e procedurave korrekte në lidhje me vetëvrasjen e 18-vjeçarit Amarildo Perfundi, u gjet fajtor për abuzim të detyrës dhe u dënua me dy vjet burg. Perfundi vrau veten pasi u ndalua dhe u mor në pyetje nga Mullai.

Kushtet e Burgjeve dhe Qendrave të Paraburgimit

Kushtet e burgjeve nuk përmbushnin standardet ndërkombëtare. Qeveria lejoi monitorim të pavarur të kushteve të burgjeve nga grupe vendore dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, media, dhe të tjerë.

Gjatë një inspektimi në prill, KShH gjeti disa përmirësime, por në përgjithësi kushtet mbetën të këqija dhe nuk përmbushnin standartet e pranuara. Komiteti shënoi probleme serioze me higjenën, mbipopullimin, cilësinë e ajrit, burimet e pamjaftueshme, si dhe aksesin ndaj kujdesit shëndetësor. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve raportoi që në burgje të synuara për afro 2,700 të burgosur, kishte 3,060 të tillë dhe në mjedise të paraburgimit të synuara për 671 persona kishte 752. në vitin 2006, burgu i Peqinit, i cili kishte një kapacitet për 650 të burgosur, mbante 900 dhe disa qeli kishin 12 të burgosur.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pranoi që abuzimi fizik i të burgosurve dhe korrupsioni mes rojeve dhe zyrtarëve të burgjeve mbetën një problem. Në vitin 2006, 178 roje dhe zyrtarë u shkarkuan për korrupsion apo shkelje dhe ndaj pesë zyrtarëve të lartë të burgjeve ishin pezull akuza për korrupsion.

Ministria e Drejtësisë administroi të gjithë burgjet dhe mjediset e paraburgimit. Sipas Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, transferimi i plotë tek kjo ministri i administrimit të qendrave të paraburgimit u krye në korrik. Gjatë vitit, KShH vëzhgoi një përmirësim në kushtet dhe trajtimin e të burgosurve, ndërkohë që problemet e mbipopullimit, infrastrukturës së keqe dhe kushteve johigjenike mbetën.

Përveç mjediseve nën standarte, media vendore raportoi rastin e një të ndaluari 17-vjeçar që u përdhunua dy herë gjatë vitit nga të burgosur të tjerë në burgun e Fierit. Sipas medias, Avokati i Popullit filloi një hetim për rastin, por përfundimet e tij nuk u bënë kurrë publike.

Në maj, zyra e Avokatit të Popullit rekomandoi që Ministria e Drejtësisë të ringrinte menjëherë Komisionin për Ekzekutimin e Vendimeve me Burgim në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Komisioni, mandati i të cilit përfshin verifikimin e ankesave të të burgosurve, nuk kishte funksionuar qysh nga viti 2005.

Qeveria lejoi vëzhgues ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut dhe monitorues vendas të të drejtave të njeriut që të vizitonin si qendrat e paraburgimit ashtu edhe burgjet.

d. Arrestimi apo Ndalimi Arbitrar

Kushtetuta dhe ligji e ndalojnë arrestimin dhe ndalimin arbitrar; megjithatë, pati disa raportime që policia në disa raste arrestoi dhe ndaloi persona në mënyrë arbitrare.

Roli i Policisë dhe Aparatit të Sigurisë

Njësitë e policisë vendase raportonin tek Ministria e Brendshme dhe ishin forca përgjegjëse për sigurinë e brendshme. Ushtria përfshin një njësi të posaçme komando me 90 anëtarë që funksionon me një rol antiterror nën ministrin e mbrojtjes. Ligji e lejon ministrin e brendshëm të kërkojë autoritet mbi këtë njësi gjatë krizave të brendshme. Shërbimi Informativ Kombëtar është përgjegjës për mbledhjen e informacionit të brendshëm dhe të jashtëm të zbulimit si dhe për kundërzbulimin.
 
Paraqitja e gjithanshme e zbatimit të ligjit mbeti e dobët. Sjellja joprofesionale dhe korrupsioni mbetën pengesa madhore për zhvillimin e një force policore civile të efektshme.

Pagat e ulëta dhe korrupsioni i shumëpërhapur në të gjithë shoqërinë e bënin të vështirë luftën kundër korrupsionit në polici. Qeveria ndoqi penalisht zyrtarë të korruptuar dhe menaxhoi ankesat për oficerë policie të korruptuar nëpërmjet Avokatit të Popullit.

Gjatë vitit, Zyra e Kontrollit të Brendshëm paraqiti 159 padi pranë zyrës së prokurorit në lidhje me 221 punonjës të policisë, nga të cilët pesë ishin të lartë, 75 të nivelit të mesëm dhe 141 të gradave më të ulëta. Si rezultat, 85 oficerë policie prisnin të dilnin në gjyq me akuza për korrupsion.

Gjatë vitit, Avokati i Popullit mori 274 ankesa të përgjithshme nga qytetarët kundër policisë. Në fund të vitit, ishin përpunuar 233 dhe Avokati i Popullit kishte konkluduar në favor të qytetarëve ankues në 82 raste. Këto përfshinin ankesa për keqtrajtim fizik.

 Arrestimi dhe Ndalimi

Me ligj, një oficer policie apo prokuror mund të urdhërojë ndalimin e një të dyshuari. Kushtetuta kërkon që personat e ndaluar duhet të informohen menjëherë për akuzat kundër tyre dhe për të drejtat e tyre, dhe një prokuror duhet njoftuar menjëherë pas ndalimit të një të dyshuari nga policia. Policia përgjithësisht i ndoqi këto kërkesa. Brenda 48 orësh nga arrestimi apo ndalimi, i dyshuari duhet të dalë përpara një gjykatësi. Gjykatësi ka edhe 48 orë të tjera në dispozicion për të vendosur nëse i dyshuari duhet të qëndrojë i ndaluar.

Gjykata mund të urdhërojë ndalimin në çështje veçanërisht serioze që mund të paraqesin rrezik për shoqërinë. Një mënyrë alternative është vendosja e një të dyshuari në arrest shtëpie. Mund të kërkohet garanci nëse gjykatësi beson që i akuzuari mund të mos paraqitet në gjyq.

Këshillimi ligjor duhet ofruar falas nëse i pandehuri nuk mund të përballojë një avokat privat; megjithatë, kjo e drejtë nuk njihej gjerësisht dhe shpesh policia dështoi t’i informonte të dyshuarit për të. Aksesi ndaj informacionit ligjor mbeti i vështirë për qytetarët; megjithatë, për segmentin e kufizuar të popullsisë që kishte akses në internet, praktikisht të gjitha ligjet ishin në dispozicion në internet falas dhe pati një numër OJQ-sh që ofronin këshillim ligjor falas për ata që kishin nevojë.

Gjatë vitit, KShH ngriti një klinikë për të ofruar këshillim ligjor falas për ata që nuk kishin mundësi; megjithatë, shërbimet ligjore falas ofruar nga shoqata e avokatëve të shtetit konsideroheshin të pamjaftueshme, të korruptuara, dhe, me raste, me mungesë profesionalizmi.

Pas një ankese formale nga një qytetar, Avokati i Popullit nxori një rekomandim për ndjekje penale kundër një numër oficerësh policie të Tiranës për ndalim të jashtëligjshëm dhe keqtrajtim të tri qytetarëve që ishin ndaluar përtej afatit kohor të ligjshëm. Prokuroria e pranoi këtë rekomandim dhe filloi procedimin penal.

Avokati i Popullit rekomandoi gjithashtu edhe ndjekjen penale të katër oficerëve të policisë në rrethin e Vlorës që ishin akuzuar për ndalimin e jashtëligjshëm dhe keqtrajtimin fizik të pesë qytetarëve. Deri në fund të vitit, prokuroria nuk e kishte pranuar çështjen.

Ligji kërkon plotësimin e hetimeve para gjyqit brenda tre muajsh për krime të lehta dhe brenda 12 muajsh për çështje më të rënda; megjithatë, një prokuror mund ta zgjasë këtë periudhë edhe me shtesa të tjera tre-mujore në raste veçanërisht të vështira. Ndërkohë që ligji siguron që maksimumi i kohëzgjatjes së paraburgimit nuk duhet të kalojë dy vjetët, paraburgimet e gjata shpesh ndodhnin si rezultat i hetimeve të vonuara, gabimesh të mbrojtjes, apo dështimin e avokatit mbrojtës për t’u paraqitur. Në vitin 2005, GSHDNJ raportoi që Elton Gerdhuqi ishte ndaluar gabimisht  në mjediset e paraburgimit të Vlorës për gjashtë vjet, gjatë gjithë kohës së gjyqit fillestar dhe dy apeleve, në shkelje të kodit të procedurës penale. Qysh nga ajo kohë, ai është liruar dhe është në arrest shtëpie në pritje të apelit përfundimtar.

e. Mohimi i Gjyqit të Drejtë Publik

Kushtetuta siguron një gjyqësor të pavarur; megjithatë, presioni politik, kërcënimet, korrupsioni i shumëpërhapur dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe eficiente.

Gjatë vitit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë shkarkoi një gjyqtar dhe ndëshkoi gjashtë të tjerë për paaftësi ose korrupsion.

Sistemi gjyqësor përbëhet nga gjykatat e rretheve gjyqësore, gjykata e krimeve të rënda, gjykatat ushtarake dhe gjykatat e apelit. Ekziston si Gjykata e Lartë ashtu edhe Gjykata Kushtetuese. Gjykata e Lartë shqyrton apelime si nga gjykatat e rretheve ashtu dhe nga ato të apelit. Gjykata Kushtetuese në radhë të parë shqyrton ato çështje që kanë të bëjnë me interpretim kushtetues dhe konflikte midis degëve të qeverisjes, si dhe rastet e individëve që pretendojnë mohim të procesit të përshtatshëm gjyqësor.

Presidenti kryeson Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili ka autoritetin të emërojë, disiplinojë, dhe shkarkojë gjyqtarë të gjykatave të rretheve dhe të gjykatave të apelit. Gjyqtarët që shkarkohen kanë të drejtën e apelit në Gjykatën e Lartë. Këshilli i Lartë përfshin ministrin e drejtësisë, kryetarin e Gjykatës së Lartë, nëntë gjyqtarë nga të gjitha nivelet përzgjedhur nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore, si dhe tri anëtarë të përzgjedhur nga parlamenti.

Në nëntor, parlamenti rekomandoi për herë të dytë që presidenti të shkarkonte prokurorin e përgjithshëm për paaftësi dhe korrupsion; presidenti e shkarkoi prokurorin e përgjithshëm dhe emëroi një të ri brenda po atij muaji. Pritej një vendim mbi apelin nga prokurori i shkarkuar pranë Gjykatës Kushtetuese.

Ashtu si në vitet e kaluara, policia, prokurorët dhe gjyqësori vazhduan të fajësonin njëri-tjetrin për dështimet që lejonin kriminelët të shmangnin burgosjen. Megjithatë, padi disa përmirësime në bashkëpunim, përfshi nisjen në shtator të Njësisë së Përbashkët Hetimore, e cila mblidhte bashkë hetues penalë dhe prokurorë për të punuar mbi çështje specifike. Njësia shënoi suksese të hershme me arrestimin e 13 zyrtarëve të qeverisë për korrupsion gjatë tri muajve të fundit të vitit.

Procedurat e Proceseve Gjyqësore

Kushtetuta dhe ligji garantojnë të drejtën për një gjyq të shpejtë; megjithatë, burimet e kufizuara materiale, mungesa e hapësirës, stafi i pamjaftueshëm dhe i mbingarkuar, në shumë raste penguan sistemin e gjykatave të gjykonte çështjet në kohën e duhur. Çështjet e mbartura disa herë çonin në mbajtjen e të dyshuarve në paraburgim më gjatë se kufijtë ligjorë. Sistemi i gjykatave nuk parashikon gjykimin nga juritë. Prokurorët dhe avokatët mbrojtës paraqesin çështjet para një gjyqtari apo paneli gjyqtarësh, në varësi të seriozitetit të akuzës, dhe të pandehurit kanë të drejtën të njihen me të gjitha faktet që u paraqiten gjyqtarëve. Të pandehurit, dëshmitarët dhe të tjerët që nuk flasin shqip kanë të drejtën për shërbim përkthimi. Të pandehurit kanë të drejtën të apelojnë vendimet brenda 10 ditësh. Të pandehurit ligjërisht prezumohen të pafajshëm deri sa të dënohen.

Gjatë vitit 2006, katër gjyqe u zhvilluan në mungesë, në krahasim me 98 gjyqe të tilla gjatë vitit 2005.

Në qershor, presidenti, me rekomandim të Ministrit të Drejtësisë, krijoi seksione të veçanta të gjykatave për minorenët, dhe Ministria e Drejtësisë fillio t’i ngrinte këto në gjykatat e qyteteve kryesore në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Korçë, dhe Gjirokastër. Përpara qershorit, vendi nuk kishte sistem të drejtësisë për minorenët dhe prokurorët shpesh i paraqisnin çështjet e fëmijëve përpara gjyqtarëve që nuk ishin të trainuar në drejtësinë për minorenët.

Të Burgosur dhe të Ndaluar Politikë

Nuk pati raportime për të burgosur apo të ndaluar politikë.

Procedura Gjyqësore Civile

Zyra e Përmbarimit, e cila është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, siguron që gjykimet civile të vihen në zbatim. Shumë gjykime civile, sidomos çështje të zgjidhjeve për pronat, nuk zbatoheshin për shkak të implikimeve të forta shoqërore apo politike. Për shembull, autoritetet nuk vunë në zbatim urdhrin e gjykatës për t’i dhënë pronarit të ligjshëm ndërtesën që strehonte dy sindikatat kryesore të vendit në Tiranë, siç ishte vendosur nga gjykata. Në vitin 2006, një individ fitoi një çështje në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut kundër qeverisë sepse kjo kishte dështuar t’i paguante kompensimin e urdhëruar nga gjykata për pronën e zënë; kompensimi nuk ishte paguar deri në fund të vitit.

Kthimi i Pronës

Kthimi i pronës së konfiskuar gjatë regjimit komunist mbeti një problem domethënës. Raporti vjetor i Avokatit të Popullit vërente që në vitin 2006, një total prej 125 ankesash lidheshin me kompensimin e pronës. Nga këto, 107 ishin shqyrtuar plotësisht dhe 19 ishin zgjidhur në favor të pretenduesit. Në vitin 2005, qeveria përcaktoi një fond prej 3.6 milionë dollarësh (300 milionë lekë) për t’u ofruar kompensim ankuesve.

Sipas drejtorit të Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës, buxheti i përbashkët 2007-08 përcaktuar nga qeveria për kompensim të pronës ishte afërsisht 11 milionë dollarë. Kostoja totale për kompensimin e pronarëve në mbarë vendin vlerësohej në 3.5 miliardë dollarë. Qysh nga viti 1993, qeveria kishte miratuar 50,000 vendime mbi tituj të pronësisë. Nga këto, 1,000 gëzojnë të drejtën të blejnë objektet e ndërtuara mbi tokën e tyre.

f. Ndërhyrjet Arbitrare në Privatësi, Familje, Banesë dhe Korrespondencë

Kushtetuta dhe ligji i ndalojnë veprime të tilla. Ndryshe nga vitet e mëparshme, qeveria i respektoi ndalime të tilla në praktikë.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, nuk pati raportime për shkatërrim të shtëpive të romëve apo pakicave të tjera.

Seksioni 2 Respekti për Liritë Civile, Përfshi:

a. Liria e Fjalës dhe Shtypit

Kushtetuta dhe ligji sigurojnë lirinë e fjalës dhe të shtypit dhe ndërkohë që qeveria përgjithësisht i respektoi këto të drejta, pati raportime që qeveria dhe bizneset ushtruan presin të tërthortë mbi median. Ndërkohë që media ishte aktive dhe kryesisht e papenguar, pati probleme serioze me përdorimin e medias për qëllime politike.

Gazetarët praktikuan autocensurën.

Në përgjithësi, individët mund ta kritikonin qeverinë publikisht ose privatisht pa u ndëshkuar; ndërkohë që nuk pati përpjekje të publikuara nga qeveria për të shtypur kritikat nga individët, pati raste presioni të tërthortë mbi median.

Politizimi i medias mbeti shqetësim. Polarizimi i organeve të medias në kampe kundërshtare u bë më i theksuar gjatë vitit, duke u përkeqësuar sidomos gjatë fushatës për zgjedhjet vendore në shkurt. Botuesit dhe pronarët e gazetave vazhduan të diktonin lajme për t’u shërbyer interesave të tyre politike dhe ekonomike dhe disa herë bllokuan lajme që ishin në kundërshtim me ato interesa. Pati pak transparencë në financimin e medias.

Në disa raste, presioni politik, profesionalizmi i kufizuar, dhe mungesa e financimeve, shtrëngoi median e shkruar të pavarur. Partitë politike, sindikatat dhe grupet e ndryshme botonin gazetat apo revistat e tyre në mënyrë të pavarur nga ndikimi i qeverisë. Kishte në dispozicion rreth 200 botime, përfshi të përditshmet, revistat javore, buletinet, dhe pamfletet.

Sipas të dhënave zyrtare, kishte 64 stacione televizive private dhe 44 stacione radio private, por numri faktik raportohej më i lartë. Ndërkohë që stacionet përgjithësisht funksiononin të lira nga ndikimi i drejpërdrejtë i qeverisë, shumica e pronarëve besonin që përmbajtja e transmetimeve të tyre mund të ndikonte në veprimet e qeverisë kundrejt bizneseve të tjera të tyre.

Radio dhe Televizioni Shqiptar (RTSh) administronte një kanal televiziv kombëtar dhe një stacion radiofonik kombëtar. Gjatë vitit, drejtpeshimi i raportimit u përmirësua në televizionin publik. Me ligj, qeveria ofron 50 përqind të buxhetit të stacionit, por burimet e kufizuara pengonin aftësinë e tij për të konkuruar me stacionet private.

Në vitin 2005, kryeministri nxori një urdhër që u kërkonte zyrtarëve qeveritarë të përdornin të drejtën e replikës në vend të padive civile apo penale kundër medias. Nuk pati raportime për padi të tilla gjatë vitit.

Nuk pati raportime që policia apo zyrtarë të tjerë abuzuan fizikisht gazetarët.

Kërcënimi politik i medias vazhdoi. Gazetarët vazhduan të ankoheshin që botuesit dhe redaktorët censuronin punën e tyre ose drejtpërdrejt ose tërthorazi në përgjigje të presioneve politike apo tregtare. Shumë gazetarë u ankuan që mungesa e kontratave të punës shpesh pengonte aftësinë e tyre për të raportuar në mënyrë objektive.

Gjatë vitit, parlamenti zëvendësoi përfaqësues të partive politike në Këshillin Drejtues të RTSh dhe Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit (KKRT) me anëtarë të marrë nga shoqëria civile dhe media, siç ishte rekomanduar në vitin 2006 nga opozita.
Në pranverë, KKRT fiku në mënyrë selektive transmetuesit e stacioneve që raportohej se ishin kritikë ndaj qeverisë dhe që transmetonin përtej zonave të tyre të licensuara.
Gjatë vitit, televizioni Top Channel, një stacion televiziv udhëheqës që kishte qenë kritik ndaj qeverisë, bëri padi kundër Ministrisë së Ekonomisë duke kërkuar zbatim të qerasë së ndërtesës ose kompensim. Në vitin 2006, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për ta dëbuar televizionin Top Channel nga një ndërtesë e zotëruar nga shteti në qendër të Tiranës. Televizioni Top Channel e apeloi çështjen dhe deri në fund të vitit çështja nuk ishte zgjidhur.
Në qershor, qeveria kreu një inspektim tatimor të televizionit Top Channel dhe vlerësoi 14.1 milionë dollarë (1.17 miliardë lekë) në gjoba dhe taksa të prapambetura të papaguara. Qeveria pretendoi që inspektimi ishte kryer për evasion të dyshuar fiscal, megjithëse nuk pati inspektime të stacioneve të tjera. Më 18 korrik, sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Europës Jug-Lindore për Median (SEEMO) me qendër në Vjenë i dërgoi kryetares së parlamentit një letër ku kritikonte gjobën dhe pohonte se organet shqiptare të medias dhe SEEMO “besojnë që qeveria po përdor autoritetet tatimore për të sulmuar pavarësinë e medias.” Letra vërejti që fakti që gjoba u aplikua kundër një organi të medias që kishte kritikuar qeverinë “na bën të besojmë që qeveria po përpiqet të kërcënojë median shqiptare.” Megjithëse ligjërisht gjoba ishte ende e vlefshme, nuk kishte përpjekje institucionale për ta marrë atë. Megjithatë, raportimi politik dhe ekonomik i televizionit Top Channel u bë dukshëm më pak kritik ndaj qeverisë.
Shpifja është një krim që mund të dënohet me burg deri në dy vjet dhe me gjobë. Ndërkohë që organizata Freedom House vërejti se në të kaluarën “paditë kundër gazetarëve për kritika të ligjshme” ishin të zakonshme, nuk pati padi kundër medias raportuar pas nëntorit 2006, kur, sipas një raporti nga SEEMO, një komision parlamentar shqiptar paditi TV Klan dhe një agjenci reklamash sipas kodit penal për fyerje dhe shpifje të zyrtarëve publikë. SEEMO raportoi që padia lindi nga një raport i TV Klan se kompanitë e duhanit kishin “blerë” anëtarë të komisionit parlamentar gjatë debatit mbi projekt-Ligjin për Mbrojtjen e Shëndetit Kundër Duhanit.
Liria e Internetit
Nuk pati kufizime nga qeveria mbi aksesin ndaj internetit apo raportime se qeveria monitoronte sallat e komunikimit me email apo internet. Individët dhe grupet mund të angazhoheshin në shprehjen paqësore të pikëpamjeve përmes internetit, përshi me anë të postës elektronike. Aksesi ndaj internetit u rrit gjatë vitit, por mbeti i kufizuar, sidomos jashtë zonave urbane kryesore.
Liria Akademike dhe Veprimtaritë Kulturore
Nuk pati kufizime nga qeveria mbi lirinë akademike apo veprimtaritë kulturore; megjithatë, kontrolli i qeverisë mbi emërimet akademike dhe kultura e korrupsionit minuan lirinë akademike. Studentëve disa herë u kërkohej të jepnin ryshfet tek zyrtarët për regjistrim apo për të kaluar provimet.
Gjatë vitit, qeveria miratoi një ligj mbi arsimin e lartë që i jep fuqi ministrit të arsimit të emërojë zyrtarë të universiteteve që më parë zgjidheshin nga trupa pedagogjike dhe studentët. Rektorët e universiteteve akuzuan që ligji lejonte kontrollin e qeverisë mbi menaxhimin e universiteteve, përfshi ndërhyrjen në emërimet akademike; qeveria pretendoi që ligji do të ulte korrupsionin.

Gjatë vitit, qeveria miratoi legjislacion për të reformuar Akademinë e Shkencave, një organ studiuesish akademikë që kryejnë punë kërkimore financuar nga qeveria. Partitë opozitare, OJQ dhe akademikët pretenduan që kjo ishte një përpjekje për të ndikuar përbërjen dhe pikëpamjet e akademisë. Qeveria pretendoi që po reformonte dhe rigjallëronte akademinë si dhe përmendi shqetësime buxhetore.
 
 b. Liria e Grumbullimit Paqësor dhe Shoqatave

Liria e Grumbullimit

Kushtetuta dhe ligji sigurojnë lirinë e grumbullimit dhe qeveria përgjithësisht e respektoi këtë të drejtë në praktikë.
Ligji u kërkon organizatorëve të grumbullimeve në vende publike të njoftojnë policinë tri ditë përpara; nuk pati raportime që policia të kishte mohuar arbitrarisht grumbullime të tilla.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, nuk pati raportime që policia të ketë keqtrajtuar protestues.

Nuk pati veprime disiplinore ndaj punonjësve të policisë që qëndruan indiferentë ndërkohë që një mbështetës i qeverisë sulmoi fizikisht një demonstrues në vitin 2006.

Liria e Shoqatave

Kushtetuta dhe ligji sigurojnë të drejtën e shoqatave dhe qeveria përgjithësisht e respektoi këtë të drejtë; megjithatë, ligji ndalon formimin e ndonjë partie politike apo organizate që është jotransparente apo e fshehtë. Nuk pati raportime që kjo dispozitë të ishte përdorur kundër ndonjë grupi gjatë vitit.

c. Liria e Fesë
 
Kushtetuta dhe ligji sigurojnë lirinë e fesë dhe qeveria përgjithësisht e respektoi këtë të drejtë.

Bashkësitë mbizotëruese fetare, myslimanët sunitë, myslimanët bektashinj, ortodoksët, dhe katolikët romakë, gëzonin një nivel më të lartë njohjeje zyrtare (për shembull, festat kombëtare) dhe statusi shoqëror se sa disa grupe të tjera fetare. Qeveria nuk kërkon regjistrimin apo licensimin e grupeve fetare.
Ashtu si në vitet e mëparshme, qeveria vazhdoi të shqyrtonte kërkesa nga të gjitha organizatat fetare për të kryer rikthimin e pronave dhe objekteve fetare që ishin konfiskuar apo dëmtuar gjatë komunizmit. Këto çështje ishin nën shqyrtim deri në fund të vitit.

Abuzimi dhe Diskriminimi Shoqëror

Sipas raportimeve, në vend pati më pak se 100 hebrej; nuk pati raportime për sinagoga apo qendra komunitare që funksiononin në vend apo ndonjë akt anti-semit.

Në Ditën Ndërkombëtare të Shpëtimtarëve në janar, një Ligë Kundër-Shpifjes nderoi, pas vdekjes, Mefail dhe Njazi Bicaku, një familje shqiptare, me “Medaljen Kurajo për t’u Kujdesur” në qytetin e Nju Jorkut, sepse kishte shpëtuar 26 hebrej nga nazistët dhe i kish çuar ata të sigurtë në malet e Shqipërisë së Mesme.

Për një diskutim më të hollësishëm, shih Raportin Ndërkombëtar mbi Lirinë Fetare 2007.

d. Liria e Lëvizjes, Personat e Zhvendosur Brenda Vendit, Mbrojtja e Refugjatëve dhe Personat pa Shtet

Kushtetuta dhe ligji sigurojnë lirinë e lëvizjes brenda vendit, udhëtimin jashtë, emigracionin, dhe riatdhesimin, dhe qeveria i respektoi këto të drejta në praktikë. Qeveria bashkëpunoi me zyrën e Komisionerit të Lartë për Refugjatët të OKB (UNHCR) dhe organizata të tjera humanitare për të ofruar mbrojtje dhe ndihmë për personat e zhvendosur brenda vendit, refugjatët, refugjatët e kthyer, azilkërkuesit, personat pa shtet, dhe persona të tjerë që përbëjnë shqetësim.

Migruesit e brendshëm duhet të transferojnë regjistrimin e tyre civil në bashkësinë e re për të pasur të drejtën për të përfituar shërbimet qeveritare dhe duhet të provojnë që janë ligjërisht të regjistruar ose nëpërmjet pronësisë së pronës, një marrëveshjeje qeraje për prone, ose faturë dritash/uji. Shumë persona nuk mund të paraqesin prova të tilla dhe për rrjedhojë u mungon aksesi ndaj shërbimeve thelbësore. Qytetarëve të tjerë u mungonte regjistrimi formal në bashkësitë ku banonin, sidomos romët dhe egjiptianët ballkanikë.

Gjatë vitit, qeveria ngriti grupe pune për të shqyrtuar krijimin e një dokumenti të standartizuar kombëtar identifikimi.

Ligji ndalon azilin e detyruar dhe qeveria nuk e përdori atë.

Mbrojtja e Refugjatëve

Ligji siguron dhënien e azilit apo statusit të refugjatit në përputhje me Konventën e vitit 1951 të OKB-së në lidhje me Statusin e Refugjatëve dhe protokollin e saj të vitit 1967, dhe qeveria ka ngritur një sistem për t’u ofruar mbrojtje refugjatëve. Në praktikë, qeveria ofroi mbrojtje kundër kthimit të personave në një vend ku ka arsye të besohet se i trembeshin përndjekjes. Sipas ligjit, kërkesat për azil duhen bërë brenda 10 ditësh nga mbërritja në territorin e vendit dhe vendimi për dhënien e statusit të azilantit duhet dhënë brenda 51 ditësh nga kërkesa fillestare.

Gjatë vitit, qeveria akordoi mbrojtje të përkohshme për katër persona. Në vend janë një total prej gjashtë refugjatësh që mbajnë status mbrojtjeje të përkohshme, dy prej të cilëve e morën këtë mbrojtje në vitin 2006.

UNHCR ofroi shërbime shoqërore dhe ligjore, mbulim të kujdesit shëndetësor, siguracion, si dhe mbështetje të kufizuar trainimi për bashkësinë e vogël të refugjatëve, si dhe bashkërendoi ndihmë të mëtejshme nëpërmjet një rrjeti OJQsh.

Bashkë me organizatat ndërkombëtare, qeveria, nëpërmjet programit të Asistencës për Rindërtim, Zhvillim dhe Stabilizim Komunitar të Bashkimit Europian shqyrtoi migrantë pa dokumenta të ndaluar në të gjitha pikat e kalimit të kufirit. Sipas këtij programi, një OJQ dhe një ekip qeveritar ndihmoi policinë kufitare për të identifikuar migrantë pa dokumenta që ishin viktima të mundshme për trafikim, azilkërkues, apo migrantë ekonomikë.

Seksioni 3 Respekti për Të Drejtat Politike: E Drejta e Qytetarëve për të Ndryshuar Qeverinë e Tyre

Kushtetuta dhe ligji u sigurojnë qytetarëve të drejtën të ndryshojnë qeverinë e tyre në mënyrë paqësore dhe qytetarët e ushtruan këtë të drejtë në praktikë nëpërmjet zgjedhjeve periodike të zhvilluara mbi bazën e të drejtës universale të votës.

Zgjedhjet dhe Pjesëmarrja Politike

Në korrik, parlamenti zgjodhi Bamir Topin president, në përputhje me udhëzimet kushtetuese.
 
Në shkurt, u mbajtën zgjedhje vendore. Konfliktet mes udhëheqësve politikë shkaktuan negociata të stërzgjatura dhe rezultuan në zgjedhje të shtyra. Vonesat çuan në zgjedhje të organizuara dobët si dhe në rregulla e rregullore të pavolitshme. Ashtu si në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, votimet familjare dhe nga persona të besuar vazhduan të ishin probleme. Vëzhguesit e zgjedhjeve nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) deklaruan që zgjedhjet i përmbushën vetëm pjesërisht standardet ndërkombëtare.

Partitë politike funksionuan pa kufizime apo ndërhyrje nga jashtë.

Në Kuvendin Popullor me 140 vende kishte nëntë gra, përfshi kryetaren, si dhe një grua në Këshillin e Ministrave. Në përgjithësi, gratë ishin të përfaqësuara dobët në nivelet kombëtare dhe vendore të qeverisjes, pavarësisht angazhimeve nga partitë politike kryesore për të rritur përfaqësimin femëror. Shumë parti prezantuan kuota të brendshme partiake për gratë, megjithatë, rirenditjet paszgjedhore e pakësuan ndikimin e këtyre rregullave.

Një numër anëtarësh të pakicës greke shërbenin si në Kuvendin Popullor ashtu edhe në degën ekzekutive në poste ministrore apo nënministrore, përfshi si ministër i punës.  Asnjë pakicë tjetër etnike nuk përfaqësohej në Kuvendin Popullor apo në Këshillin e Ministrave.

Korrupsioni dhe Transparenca në Qeverisje

Ligji siguron ndëshkime penale për korrupsionin e zyrtarëve. Pavarësisht nga një numër arrestimesh të zyrtarëve të lartë vendorë dhe qendrorë, korrupsioni mbeti një pengesë madhore ndaj reformave domethënëse. Treguesit Botëtorë të Qeverisjes të Bankës Botërore pasqyronin që korrupsioni ishte një problem serioz.

Në dhjetor, parlamenti hoqi imunitetin e Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha pas pretendimeve për parregullsi në projektin më të madh të punëve publike në vend.

Në shtator, Prokuroria arrestoi gjashtë punonjës qeveritarë të nivelit të lartë nën akuza për korrupsion, përfshi një zëvendës-ministër të punëve publike, drejtorin e përgjithshëm të rrugëve dhe drejtorin e prokurimeve; të gjithë pretendohej se ishin përfshirë në një skemë ryshfetesh për tendera ndërtimesh. Deri në fund të vitit, nuk ishte përcaktuar datë për gjyq.

Sipas Associated Press, më 8 nëntor, Ministria e Brendshme deklaroi arrestimin më 5 nëntor të dy zyrtarëve të lartë qeveritarë, Spartak Gjini dhe Llambi Tarka, si dhe pronarin e kompanisë së ndërtimit Siret, Fiqiri Pali, për korrupsion; dy zyrtarët akuzoheshin se kishin akorduar një tender në mënyrë të paligjshme kompanisë duke detyruar kompani të tjera të tërhiqeshin nga konkurimi për rindërtimin e ndërtesës së ministrisë.

Deri në gusht, prokurorët kishin hapur 555 procedime penale për abuzim me detyrën qeveritare, veprime arbitrare, dhe shtrembërim të barazisë në tendera prokurimi publik. Nga këto, 36 ishin specifikisht për korrupsion dhe 28 nga këto arritën në hetime. Autoritetet ndoqën penalisht 17 zyrtarë.

Gjatë vitit, kryeministri thirri Task-Forcën Anti-Korrupsion, krijuar në vitin 2006 për të ulur krimin e organizuar, për të bashkërenduar veprimet kundër korrupsionit. Task-Forca është një organ bashkërendues, kryesuar nga kryeministri, përfshi disa ministra, krerë agjencish të pavarura shtetërore, të tilla si kompania publike e energjisë, policia dhe organizata të zbulimit.

Ligji siguron që ministrat e qeverisë nuk mund të zotërojnë një kompani që lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësitë e tyre zyrtare dhe përfshin ndalimin e kompanive të zotëruara nga pjesëtarë të afërt të familjeve të zyrtarëve qeveritarë. Afro 6,000 zyrtarë publikë dhe të afërm të afërt duhet të paraqesin deklarimin e pasurive; ligji detyroi edhe 1,500 zyrtarë të tjerë të administratës së mëparshme të paraqisnin deklarime të pasurive për vitin pas mbarimit të mandatit të tyre. Inspektorati i Deklarimit të Pasurive administron rregullat për konfliktin e interesit.

Gjatë vitit, autoritetet gjobitën 100 zyrtarë për paraqitje me vonesë të deklarimeve të kërkuara të pasurisë. Ndërkohë që statistikat për vitin 2007 nuk ishin në dispozicion, në vitin 2006, 56 punonjës ose u dorëhoqën vullnetarisht nga postet e tyre ose u shkarkuan kur u mor njoftim për konflikt të mundshëm interesi, dhe 67 të tjerë hoqën dorë nga pasuritë kundravajtëse. Nuk pati informacion në lidhje me përfundimin e pesë rasteve të profilit të lartë hetuar nga inspektorati që sipas raportimeve iu përcollën prokurorisë për ndjekje penale në vitin 2006.

Shtetasit dhe joshtetasit, përfshi median e huaj, kanë të drejtën të marrin informacion mbi veprimtaritë e organeve qeverisëse dhe personave që ushtrojnë funksione shtetërore zyrtare; megjithatë, qytetarët shpesh përballeshin me probleme serioze në marrjen e informacionit nga institucionet publike dhe qeveritare.

Ligji u kërkon zyrtarëve publikë të japin të gjithë informacioni dhe dokumentet zyrtare me përjashtim të dokumenteve të klasifikuara dhe sekreteve shtetërore. Gjatë vitit, aksesi publik ndaj informacionit u përmirësua shumë, kryesisht për shkak të përdorimit të rritur të internetit. Praktikisht të gjitha ministritë dhe agjencitë qeveritare afishonin informacionin publik drejtpërdrejt në faqet e tyre të internetit.

Seksioni 4 Qendrimi Qeveritar në Lidhje me Hetimin Ndërkombëtar dhe Joqeveritar të Shkeljeve të Pretenduara të të Drejtave të Njeriut

Një numër grupesh vendase dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut përgjithësisht vepronin pa kufizim nga qeveria, duke hetuar dhe publikuar gjetjet e tyre mbi çështje të të drejtave të njeriut. Zyrtarët qeveritarë ishin bashkëpunues dhe iu përgjigjeshin pikëpamjeve të tyre.

Qeveria bashkëpunoi me organizata ndërkombëtare, të tilla si UNHCR dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin dhe nuk kufizoi veprimet e tyre.

Avokati i të drejtave të njeriut ka autoritetin të monitorojë procedurat gjyqësore dhe të inspektojë mjediset e ndalimit dhe burgjet, si dhe të fillojë çështje kur viktima nuk ka vullnetin apo mundësinë të paraqitet. Megjithëse avokatit të popullit i mungonte fuqia për të zbatuar vendime, ai funksiononte si një roje për shkelje të të drejtave të njeriut. Rastet më të shumta përfshinin ankesat e qytetarëve për abuzim të detyrës nga policia dhe ushtria, mungesë të zbatimit të gjykimeve të gjykatave në çështjet civile, shkarkimet e gabuara, dhe mosmarrëveshjet për pronën.

Në shumë raste, qeveria ndërmori hapa konkrete për të korrigjuar problemet në përgjigje të gjetjeve të avokatit të popullit. Gjatë vitit, bashkëpunimi midis zyrës së avokatit të popullit dhe prokurorisë u përmirësua.

Seksioni 5 Diskriminimi, Abuzimet Shoqërore, dhe Trafikimi i Personave

Ligji ndalon diskriminimin e bazuar mbi racën, gjininë, etninë, paaftësinë, gjuhën, apo statusin shoqëror; megjithatë, diskriminimi ndaj grave, egjiptianëve të Ballkanit, romëve dhe homoseksualëve vazhdoi.

Gratë

Kodi Penal penalizon përdhunimin, përfshi përdhunimin martesor; megjithatë, përdhunimi martesor nuk u raportua apo ndoq në praktikë. Koncepti i përdhunimit martesor nuk ishte i ngritur mirë dhe as autoritetet e as publiku nuk e konsideronin krim. Ligji imponon ndëshkime për përdhunimin dhe sulmin në varësi të moshës së viktimës. Për përdhunimin e një të rrituri, burgimi është tre deri 10 vjet, përdhunimin e një adoleshenti 14 deri 18 vjeç është pesë deri 15 vjet dhe për përdhunimin e një fëmije nën 14 vjeç është shtatë deri në 15 vjet burg.

Dhuna në familje kundër gruas, përfshi dhunën bashkëshortore, mbeti një problem serioz. Në nëntor, OSBE vërejti që “dhuna në familje raportohej më pak se sa ndodhte, hetohej më pak se sa ndodhte, ndiqej më pak se sa ndodhte, dhe dënohej më pak se sa ndodhte” dhe që “shumica dërrmuese e kundravajtësve kanë paprekshmëri.” Qeveria ka një departament të Shanseve të Barabarta në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta që mbulon çështjet e gruas, përfshi dhunën në familje. Qeveria nuk financoi programe specifike për të luftuar dhunën në familje apo për të ndihmuar viktimat, edhe pse organizatat jofitimprurëse e bënë këtë. Organizata Gratë për Gratë, një OJQ suedeze, raportoi që ekzistonin afro gjashtë linja të përkushtuara telefonike për dhunën në familje në funksionim anembanë vendit. Linjat, që i shërbejnë kryesisht pjesës veriore të vendit, merrnin afro 24 telefonata në muaj nga gra që raportonin një formë dhune. Streheza, një OJQ që administronte dy streha për gra të dhunuara në Tiranë, raportoi një rritje në rastet e raportuara të dhunës në familje, në radhë të parë për shkak të ndërgjegjësimit të rritur për shërbimet.

Në shumë bashkësi, sidomos ato në verilindje, gratë ishin pre e diskriminimit shoqëror si rezultat i normave shoqërore tradicionale që i konsideronin gratë si të nënshtruara ndaj burrave. Në raportin për pjesëmarrjen e grave në zgjedhjet vendore të 18 shkurtit, misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i Zyrës së OSBE për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut vërejti që votimi familjar ishte problem në 30 përqind të qendrave të votimit vizituar ditën e zgjedhjeve dhe që praktika ngrinte “shqetësime serioze të mohimit të së drejtës së votës disa grave dhe anëtarëve të tjerë të familjes prekur prej kësaj.”

Në vitin 2006, parlamenti, me ndihmën e projektit për Të Drejtat Ligjore të Gruas, miratoi një shtesë në ligjin kundër dhunës në familje, duke shtuar ndëshkime të tilla administrative si urdhrat e mbrojtjes. Ky ligj ndihmoi rritjen e ndërgjegjësimit për çështjen dhe për ndihmën që ekziston për viktimat nëpërmjet sistemit ligjor dhe organizatave jofitimprurëse. Zbatimi i ligjit është në hapat e parë, dhe është zbatuar në mënyrë sporadike. Nevojiten masa të mëtejshme parlamentare dhe ekzekutive për të plotësuar skemën e plotë për mbështetjen e viktimave.

Ligji e ndalon prostitucionin; megjithatë, mbeti problem.

Ligji ndalon ngacmimin seksual; megjithatë, ligji rrallë u zbatua.
 
Ligji siguron të drejta të barabarta për burrat dhe gratë sipas ligjit të familjes, ligjit të pronës, dhe në sistemin gjyqësor. Në praktikë, traditat kulturore bënin që burrat shpesh favorizoheshin kundrejt grave.

Gratë nuk përjashtoheshin, me ligj apo në praktikë, nga ndonjë profesion; megjithatë, ato nuk ishin të mirë-përfaqësuara në nivelet më të larta të fushave të tyre. Ligji mandaton page të barabartë për punë të barabartë; megjithatë, qeveria dhe punëdhënësit nuk e zbatuan plotësisht këtë dispozitë. Sipas një raporti të Amnesty International në vitin 2006, gratë paguheshin 20 deri 50 përqind më pak se burrat. Burrat zotëronin 92 përqind të tokës dhe përftonin 84 përqind të produktit të brendshëm bruto, megjithëse gratë vazhduan gradualisht të merrnin pushtet ekonomik.
 
Fëmijët

Përkushtimi i qeverisë ndaj të drejtave dhe mirëqenies së fëmijëve është e kodifikuar në ligjin e brendshëm; megjithatë, në praktikë, angazhimi ishte i kufizuar.

Në përgjithësi, fëmijët duhet të jenë të regjistruar në të njëjtën bashkësi ku janë të regjistruar edhe prindërit e tyre. Megjithatë, sipas CRCA, fëmijët e lindur nga migrantë të brendshëm shpesh nuk kishin certifikata lindjeje apo dokumentacion tjetër ligjor dhe, për rrjedhojë, nuk kishin mundësi të ndiqnin shkollën.
 
Ligji siguron nëntë vjet shkollim falas dhe autorizon shkollat private. Pjesëmarrja në shkollë është e detyrueshme deri në klasën e nëntë ose deri në moshën 16 vjeç, cilado arrihet e para; megjithatë, në praktikë, shumë fëmijë e lane shkollën më herët se sa lejohej për të punuar me familjet e tyre, sidomos në zonat rurale. Prindërve u duhej të blinin mjete, libra, materiale shkollore dhe ngrohës për disa klasa, çka ishte e shtrenjtë deri në pamundësi për shumë familje. Gjatë vitit, World Vision Albania, që punon kryesisht në zonat rurale, raportoi që vajzat në fshatra përballeshin me trysni shtesë për të lënë shkollën sepse familjet nuk e shihnin vlerën e arsimit të mesëm për vajzat dhe, për shkak të shqetësimeve të sigurisë në lëvizjen e tyre drejt shkollave të mesme në qytete më të mëdha.

Sipas shifrave të Ministrisë së Arsimit për vitin 2006, regjistrimi në shkollat e mesme (mosha 15-18 vjeç) si për djem ashtu edhe për vajza ishte 55 përqind, ndërsa ndjekja e shkollës fillore (mosha 6-14) ishte mbi 94 përqind.

Ashtu si në vitet e mëparshme, abuzimi i fëmijëve, përfshi abuzimin seksual, ndodhte me raste por rrallë raportohej.

Si në vitet e mëparshme, disa fëmijë nuk ishin në gjendje të linin shtëpitë e tyre, përfshi edhe për të ndjekur shkollën, nga frika e ndëshkimeve për shkak të gjakmarrjes. Shifrat mbi numrin e fëmijëve të prekur nga ky fenomen variojnë; shifrat më të fundit të Ministrisë së Brendshme flasin për rreth 20 fëmijë të izoluar në mënyrë të përhershme, ndërkohë që OJQ citojnë një shifër deri disa qindra. Këta fëmijë përgjithësisht merrnin shkollim në shtëpi.

Sipas Komitetit për Pajtim Kombëtar, deri 182 fëmijë mbeteshin të rrezikuar nga gjakmarrjet që lidheshin me familjet e tyre; 86 nga këto ishin në rrethana veçanërisht të rrezikshme.

Martesa e fëmijëve mbeti problem në bashkësinë rome.

Fëmijët e zhvendosur dhe të rrugës mbetën problem, sidomos fëmijët romë. Fëmijët e rrugës lypnin apo bënin punë të vogla; shumë migronin në vendet fqinje, sidomos gjatë verës. Këta fëmijë ishin në rrezik të madh për trafikim të brendshëm dhe disa u bënë viktima.
 
Trafikimi i Personave

Ligji ndalon trafikimin e personave dhe siguron ndëshkime për trafikantët; megjithatë, persona, sidomos grad he fëmijët, u trafikuan drejt, nga, dhe brenda vendit. Qeveria nuk ndoqi penalisht viktimat e trafikimit dhe nuk ndërmori trajtim diskriminues kunëdr tyre. Ajo njohu të drejtat e viktimave dhe ndihmon që të sigurojë aksesin e tyre ndaj drejtësisë në masën e mundshme në sistemin aktualisht të dobët të gjyqësorit. Qeveria ka një bashkërenduese kombëtare për trafikimin e personave, e cila kryen edhe detyrën e zëvendës ministres së brendshme.

Shqipëria mbeti një vend burim për trafikmin e grave dhe fëmijëve për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe punës së detyruar, edhe pse më pak se vitet e fundit. Greqia është vendi kryesor i destinacionit për gratë e trafikuara. Trafikantët përdorën gjerësisht rrugët tokësore apo dokumenta të falsifikuara për të transportuar viktimat me rrugë ajrore apo tragete.

Trafikimi i fëmijëve në Kosovë dhe Greqi për të lypur apo për shfrytëzim seksual vazhdoi të ishte problem, edhe pse numri i rasteve sipas raportimeve u ul. Policia dhe përfaqësues të strehave vazhduan të raportonin një tendencë të femrave që lëvizeshin nga fshatrat dhe qytetet e vogla për në qytetet më të mëdha për prostitucion të detyruar në hotele dhe shtëpi private. Disa prej këtyre vajzave dhe grave më pas u lëvizën jashtë Shqipërisë për shfrytëzim seksual në vende të tjera europiane. Gjatë vitit, OJQ-të Terre des Hommes (TdH) dhe Arsis identifikuan 337 fëmijë shqiptarë në Selanik dhe Athinë, të Greqisë, si viktima të trafikimit.

Trafikantët trafikuan brenda vendit fëmijë nga të gjitha rajonet e vendit, dhe në mënyrë tipike i trafikonin ose në Tiranë ose në Durrës. Sipas TdH, numri i fëmijëve të trafikuar brenda vendit, sidomos nga bashkësia rome dhe egjiptianët e Ballkanit, u rrit gjatë vitit. TdH identifikoi mbi 300 fëmijë në Shqipëri që ishin viktima të dyshuara të trafikimit, shumë prej të cilëve përfunduan si lypës.

Format kryesore të rekrutimit të viktimave femra të trafikimit vazhduan të ishin martesat mashtruese apo marrëdhënie të tjera romantike të rreme për të joshur viktimat jashtë vendit për shfrytëzim seksual. Për shkak të situatës së varfër ekonomike, burra dhe gra nga grupe të organizata kriminale gjithashtu joshnin shumë gra dhe vajza nga i gjithë vendi nëpërmjet premtimeve për vende pune jashtë vendit. Jetimët dhe vajzat nga familje të varfra vazhduan të ishin veçanërisht të prekshme nga kërcënimet e trafikantëve. Në mënyrë tipike, trafikantët konfiskonin dokumentet e viktimave, i abuzonin fizikisht dhe seksualisht, dhe disa herë i detyronin të punonin si prostitute përpara se të largoheshin nga vendi. Rrjetet vendase të krimit të organizuar abuzuan, torturuan dhe përdhunuan si shtetaset ashtu edhe femrat e huaja që trafikonin. Trafikantët gjithashtu kërcënonin shumë prej anëtarëve të familjeve të viktimave.
 
Për shkak të lehtësisë së mashtrimit dhe lëvizjes, punonjësit socialë të strehave vërejtën një rritje të numrit të vajzave me paaftësi mendore që trafikoheshin si brenda vendit ashtu edhe jashtë.

Ligji parashikon ndëshkime prej pesë deri në 15 vjet burgim për trafikimin e personave; shtatë deri 15 vjet burgim për trafikim të grave për prostitucion; dhe 15 deri 20 vjet burgim për trafikimin e të miturve. Rrethanat rënduese, të tilla si rrëmbimi apo vdekja e viktimës, mund të rrisin masën e ndëshkimit në një maksimum prej burgimi të përjetshëm. Dënimet me burgim mund të shtohen me gjoba prej 4,800 deri 7,200 dollarë (400,000 deri 600,000 lekë) për shfrytëzim seksual të një minoreni dhe 3,600 deri 7,200 (300,000 deri 600,000 lekë) për shfrytëzimin seksual të një femre. Ligji parashikon që një zyrtar qeveritar dënuar për shfrytëzim të prostitucionit të marrë 125 përqind të ndëshkimit standard. Ligji gjithashtu kërkon sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që burojnë nga krimi i organizuar dhe trafikimi. Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara administron prona të sekuestruara dhe të konfiskuara, përfshi ato të personave të gjetur fajtorë për krime të lidhura me trafikimin. Në vitin 2006 pati një numër konfiskimesh me urdhër gjykate por jo raste pasurish të marra që të likuidoheshin me sukses apo fondesh të shpërndara për viktimat.

Deri në fund të vitit, policia referoi 51 çështje të reja trafikimi në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila hetoi 65 persona mbi akuza për trafikim. Autoritetet i referuan 43 raste Gjykatës së Krimeve të Rënda; gjykata ndoqi penalisht 62, nga të cilat gjykata dënoi 57 për trafikim. Gjykata dënoi katër kundravajtës me deri në dy vjet burgim; 26 u dënuan me nga pesë në 10 vjet burgim; dhe 25 me mbi 10 vjet burgim.

Megjithëse qeveria ka përmirësuar Programin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, AI raportoi që që mbrojtja e dëshmitarëve vazhdoi të ishte e dobët dhe prokurorët u ankuan që dënimet shpesh dështonin sepse në gjyq, viktimat e trafikimit tentonin të tërhiqnin dëshmitë e tyre nën presionin e familjeve të tyre nga trafikantët.

Gjatë vitit, qeveria ndërmori veprime kundër oficerëve të policisë, zyrtarëve të doganave, dhe policisë kufitare që lehtësonin trafikimin duke pranuar ryshfete, njoftonin trafikantët, apo furnizonin trafikantët me dokumente udhëtimi. Herët gjatë vitit autoritetet arrestuan dhe akuzuan oficerë në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës për ndihmë për trafikantët. Në një operacion tjetër, autoritetet arrestuan kreun e policisë antitrafik në Korçë dhe pushuan dy prej inspektorëve të tij me akuza të pranimit të ryshfeteve për të lehtësuar kontrabandën e klandestinëve. Në korrik, Ministria e Brendshme arrestoi 12 persona të akuzuar se ishin “grup i strukturuar kriminal” që merrej me trafikimin e qenieve njerëzore dhe narkotikëve në Greqi; gjashtë ishin oficerë policie me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për antitrafikimin në kufi. Asnjë prej tyre nuk ishte nxjerrë në gjyq deri në fund të vitit.

Qeveria ka një strategji dhe plan veprimi kundër trafikimit të fëmijëve bazuar mbi udhëzimet e Fondit të OKB-së për Fëmijët (UNICEF) që synojnë të parandalojnë rekrutimin e viktimave të mundshme dhe të mbrojnë viktimat, përfshi ato të kthyera nga jashtë.

Qeveria ofroi shërbime të kufizuara për viktimat e trafikimit, duke administruar një strehë pranë Tiranës. Qeveria kishte një Plan Kombëtar Veprimi deri në vitin 2007 për të specifikuar veprimet e qeverisë për ofrimin e shërbimeve për viktimat e trafikimit, i cili nuk ishte zbatuar plotësisht. Ajo menaxhonte gjithashtu edhe një Mekanizëm Kombëtar Referimi, partneritet midis Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, dhe OJQ-ve vendase, për të ndihmuar në identifikimin e viktimave dhe për të siguruar që këto viktima do të kishin strehim, vëmendje shëndetësore, dhe shërbime riintegrimi. Gjatë periudhës së raportimit vazhduan problemet me zbatimine Mekanizmit Kombëtar të Referimit dhe Planit Kombëtar të Veprimit.

Probleme të bashkërendimit dhe mungesa e burimeve vazhduan të pengonin zbatimin eplotë të Mekanizmit Kombëtar të Referimit të vitit 2005 të qeverisë, i cili krijonte partneritet mes qeverisë dhe organizatave vendase të shoqërisë civile dhe atyre ndërqeveritare ndërkombëtare për të ofruar një përqasje tërësore ndaj luftës kundër trafikimit të personave. Gjithashtu, Plani Kombëtar për Veprim për të luftuar trafikimin skadoi në fund të vitit dhe, deri në fund të vitit, nuk kishte ndonjë plan të ri të publikuar. Gjatë vitit, statistikat zyrtare të qeverisë tregonin një rënie prej 80 përqind në numrin e viktimave të dyshuara të trafikimit, por ky numër nuk ishte i verifikueshëm në mënyrë të pavarur. Qeveria raportoi 13 viktima të trafikimit gjatë vitit. Në kontrast me këtë, statistikat e OJQ-ve raportonin 140 viktima, një numër që përputhet me të dhënat e vitit 2006.

Një numër OJQ-sh ishin aktive në trajtimin e nevojave të viktimave, përfshi kujdesin shëndetësor, shërbimet e riintegrimit, dhe strehim të përkohshëm. Në përgjigje të një numri në rënie të referimit të viktimave nga policia, strehat e menaxhuara nga OJQ-të formuan një koalicion për të qenë avokate të çështjeve shqetësuese. Koalicioni i strehave ka pasur korrespondencë aktive me qeverinë për të përmbushur nevojat e viktimave.

Viktimat e trafikimit shpesh përballeshin me stigmatizim të konsiderueshëm nga familjet e tyre dhe shoqëria. Sipas disa strehave, mbrojtja e viktimave të kthyera që raportonin trafikantët e tyre vazhdoi të ishte një problem serioz. Kundravajtësit vazhduan të kërcënonin viktimat dhe, për këtë shkak, shumë viktima kishin frikë t’i ndiqnin penalisht çështjet e tyre në sistemin gjyqësor.
 
Personat me Paaftësi

Kushtetuta dhe ligji ndalojnë diskriminimin kundër personave me paaftësi; megjithatë, pati diskriminim kundër personave me paaftësi në punësim, arsim, akses ndaj kujdesit shëndetësor, dhe ofrimin e shërbimeve të tjera nga shteti. Ligji kërkon që ndërtesat e reja publike të jenë të përdorshme nga personat me paaftësi, por qeveria e zbatoi këtë ligj vetëm në mënyrë sporadike. Varfëria e shumëpërhapur, kushtet e parregulluara të punës, dhe kujdesi i dobët shëndetësor paraqitën probleme domethënëse për shumë persona me paaftësi.

Inspektimi nga Avokati i Popullit në institucionet e shëndetit mendor tregoi që spitalet kishin mungesa stafi dhe pajisjesh, me kushte të papranueshme highenike dhe sanitare si dhe mungesë pajisjesh mjekësore. Avokati i Popullit, i cili kreu inspektime në Elbasan, Shkodër dhe Vlorë, rekomandoi një rishikim madhor ligjor, organizativ dhe buxhetor të sistemit të kujdesit për shëndetin mendor në vend.

Qeveria pranoi që pranimi dhe nxjerrja e pacientëve nga institucionet e shëndetit mendor ishte problem për shkak të mungesës së burimeve të mjaftueshme financiare për të ofruar vlerësimet e duhura psikiatrike.

Kodi Zgjedhor siguron dhoma të fshehta të përdorshme nga personat me karrige si dhe përshtatje të posaçme për të verbrit, të cilat ishin në dispozicion të shtetasve në zgjedhjet e shkurtit.

Pakicat Kombëtare / Racore / Etnike

Nuk pati raportime për dhunë nga policia ndaj anëtarëve të grupeve të pakicave, por pati raportime për diskriminim shoqëror. Si pakica të dukshme, anëtarë të bashkësive rome dhe egjiptiane ballkanike vuajtën abuzim dhe diskriminim të konsiderueshëm shoqëror.

Ligji lejon status zyrtar pakice për grupet kombëtare dhe veçmas për grupet etnogjuhësore. Qeveria përkufizoi grekët, maqedonasit dhe malazezët si grupe kombëtare; grekët përbënin grupin më të madh. Arumunët (vllehët) dhe romët përkufizohen si grupe pakicash etnogjuhësore.

Në fund të vitit 2006, Ministria e Punës nënshkroi një projekt-marrëveshje me agjencitë e OKB-së të pranishme në Tiranë për të mbështetur Komitetin e ministrisë për Monitorimin e Romëve. Të dhënat fillestare mbledhur nga komiteti treguan që një shtëpi mesatare rome merrte më pak se gjysma e familjeve jo-rome që jetonin në të njëjtën zonë, që 62 përqind të romëve ishin analfabetë dhe që vetëm 28 përqind e tyre kishin akses ndaj ujit.

Në vitin 2006, pati ankesa që policia zhvendosi familje rome dhe egjiptiane ballkanike nga shtëpitë e tyre. Sipas Amaro Drom, një OJQ që punon me popullsinë rome, në vitin 2006, individë sulmuan bashkësitë rome dhe egjiptiane ballkanike në Elbasan, ku të dyja rastet buruan nga nxjerrja e tyre me forcë prej tokës që kishin zënë në mënyrë të jashtëligjshme. Në rastin e parë, autoritetet zhvendosën 45 familje dhe lanë 120 individë të pastrehë kur shkatërruan shtëpi për t’i hapur rrugën ndërtimit të një pallati banesash. Pak ditë më vonë, autoritetet shkatërruan një treg të hapur rom pa paralajmërim në mes të natës, duke u hequr 450 tregtarëve burimin e të ardhurave. Bashkia propozoi një vendndodhje të re që romët e refuzuan sepse ishte shumë larg qytetit. Disa prej të zhvendosurve gjetën shtëpi të reja në Elbasan, ndërsa pjesa tjetër lëvizi drejt qyteteve të tjera.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, nuk pati raste të zhvendosjes së romëve prej qeverisë qendrore.

Gjatë vitit, tetë familje rome në qytetin e Korçës u zhvendosën me urdhër të qeverisë vendore.

Qeveria nuk e financoi Strategjinë e saj Kombëtare për Romët, e cila synonte të përmirësonte mirëqenien e bashkësisë. Ajo nuk kishte një strategji të përkufizuar për grupe të tjera pakicash apo etno-gjuhësore.

Pakica etnike greke ngriti pakënaqësitë tek qeveria në lidhje me zonat zgjedhore, shkollimin në gjuhën greke, të drejtat e pronës, si dhe dokumentat qeveritarë. Udhëheqës të pakicës cituan mungesë vullneti nga qeveria për të njohur qytete etnike greke jashtë “zonave minoritare” të kohës së komunizmit; për të përdorur gjuhën greke në dokumenta zyrtarë dhe në tabela publike në zonat etnike greke; për të përcaktuar përmasën e popullsisë etnike greke; apo për të përfshirë një numër më të madh grekësh etnikë në administratën publike.

Në shtator, shoqata kulturore greke Omonia paraqiti një kërkesë tek kryeministri për regjistrimin e popullsisë mbi bazën e etnicitetit. Letra u bashkë-nënshkrua nga ministry i punës dhe shanseve të barabarta, si dhe një përfaqësues i Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, një parti politike me fokus grek që aktualisht është pjesë e koalicionit qeverisës.

Ndërkohë që kishte shkolla publike në gjuhën greke në pjesën jugore të vendit ku jetojnë pjesa më e madhe e grekëve etnikë, Omonia u ankua që bashkësia kishte nevojë për më shumë klasa si brenda ashtu edhe jashtë zonave minoritare, për shkak të klasave të mbipopulluara dhe kërkesave të paplotësuara. Çdo fshat në zonat greke kishte shkollën e vet fillore-tetëvjeçare (nëntë-vjeçare) që përdorte gjuhën greke, pavarësisht nga numri i nxënësve dhe në Gjirokastër kishte dy shkolla të mesme në gjuhën greke. Në vitin 2006, qeveria i akordoi një licensë funksionimi një shkolle në jug, jashtë zonës greke. Gjatë një vizite në vitin 2006 të kryeministrit në Greqi, qeveria ra dakord të bashkëpunonte për ndërtimin e një universiteti në gjuhën greke në qytetin e Gjirokastrës, financuar nga qeveria greke.

Abuzime dhe Diskiminime të Tjera Shoqërore

Ashtu si në vitet e mëparshme, OJQ-të pretenduan që policia shënjestroi bashkësinë homoseksuale për abuzim. Sipas Shoqatës Shqiptare të Homoseksualëve, policia arrestoi arbitrarisht homoseksualët dhe më pas, i abuzoi ata gjatë kohës që ishin të ndaluar, si fizikisht ashtu edhe verbalisht.

Grupi Shiqptar i të Drejtave të Njeriut raporton që gjatë vitit, policia përndoqi anëtarë të Shoqatës Shqiptare të Homoseksualëve dhe homoseksualë të tjerë të njohur, hera-herës duke bërë kontrolle në shtëpitë e tyre pa pasur autorizim.

Një raport i vitit 2006 i Programit të Zhvillimit të OKB-së (UNDP) mbi HIV/SIDA në vend deklaronte që shtetasit pikasnin pak konfidencialitet në rezultatet e tyre për HIV. Stigmatizimi shoqëror dhe diskriminimi i ashpër ndaj personave me HIV/SIDA gjithashtu ishin të zakonshme.

Gjatë vitit, dy minorenë pozitivë me HIV u larguan nga shkollat e tyre dhe u rivendosën me kërkesë të prindërve të nxënësve të tjerë të klasës, të cilët kishin frikë nga infektimi i mëtejshëm mes nxënësve.

Seksioni 6 Të Drejtat e Punëtorëve
 
a. E Drejta e Shoqatave

Punëtorët kishin të drejtën të formonin sindikata të pavarura dhe e ushtruan këtë të drejtë në praktikë; megjithatë, ligji ua ndalon anëtarëve të ushtrisë pjesëmarrjen në sindikata. Punonjësit civilë të qeverisë mund të bashkohen në sindikata, por nuk kanë të drejtën të bëjnë greva. Afro 20 përqind e fuqisë punëtore bënte pjesë në sindikata.

Ligji nuk e lejon diskrminimin anti-sindikatë; megjithatë, nuk pati raportime për diskriminim të tillë.

b. E Drejta për t’u Organizuar dhe Negociuar Kolektivisht

Shtetasit nga të gjitha fushat e punësimit civil kanë të drejtën kushtetuese të organizohen dhe negociojnë kolektivisht, dhe ligji përcakton procedurat për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve nëpërmjet marrëveshjeve të negocimit kolektiv. Megjithatë, sindikatat funksiononin nga pozita të dobëta. Në praktikë, sindikatat që përfaqësonin punonjësit e sektorit public negocionin drejtpërdrejt me qeverinë. Negocimi i efektshëm kolektiv mbeti i vështirë, dhe marrëveshjet ishin të vështira të zbatoheshin.
 
Ligji siguron që të gjithë punëtorët, përveç atyre me statusin e punonjësit civil, ushtrisë nën uniformë, policisë, dhe disa zyrtarë të gjykatave, kanë të drejtë të bëjnë grevë dhe punonjësit e ushtruan këtë të drejtë në praktikë. Ligji ndalon grevat që janë ose të deklaruara haptas ose që gjykatat gjykojnë se janë politike.
 
Gjatë vitit, Avokati i Popullit mori ankesa të shumta për shkarkime të oficerëve të policisë gjatë anembanë vendit. Zyra e tij filloi një seri inspektimesh në raste të dokumentuara pushimesh të jashtëligjshme, të cilat qeveria pretendoi se policia i kreu për të zbatuar Ligjin e ri të Policisë së Shtetit. Avokati i Popullit ia paraqiti gjetjet Ministrisë së Brendshme dhe rekomandoi që ministria të ndërmerrte një numër veprimesh për ta zbatuar legjislacionin e ri.
 
c. Ndalimi i Punës së Detyruar ose me Forcë

Ligji e ndalon punën e detyruar ose me forcë, përfshi nga fëmijët; megjithatë, pati trafikim të grave dhe fëmijëve për shfrytëzim seksual dhe punë.
 
d. Ndalimi i Punës së Fëmijëve dhe Mosha Minimale për Punësim

Ligji cakton moshën minimale të punësimit në 14 vjeç dhe përcakton sasinë dhe llojin e punës që mund të kryhet nga fëmijët nën 18 vjeç. Fëmijët midis moshës 14 dhe 16 vjeç ligjërisht mund të punojnë me kohë të pjesshme gjatë pushimeve të verës; fëmijët midis 16 dhe 18 vjeç mund të punojnë gjatë gjithë vitit në disa punë të caktuara specifike. Ligji parashikon që Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të zbatojë kërkesën e moshës minimale nëpërmjet gjykatave; sidoqoftë, nuk ka të dhëna se zbatimi është kryer. Inspektimet e punës në fabrika në 2005 gjetën 83 raste të punësimit në moshë të mitur. Megjithatë, inspektorët e punës hetuan vetëm sektorin formal të punës, ndërsa pjesa më e madhe e punës së fëmijëve ndodhte në sektorin informal. Pjesa më e madhe e fabrikave të inspektuara ishin ato të prodhimit të këpucëve dhe tekstilit. Më shumë se 70% e punëtorëve në moshë të mitur ishin vajza. Organizatat jo-qeveritare raportuan se inspektorë të punës të ngarkuar me hetimin e ankesave për punësimin e fëmijëve nuk vunë gjoba ose ndëshkime dhe as ndërmorën veprime ligjore kundër atyre që shkelnin ligjet për punësimin e fëmijëve.

CHRCA përllogariti se rreth 50,000 fëmijë nën moshën 18 vjeç punonin me kohë të pjesshme ose të plotë. UNICEF përllogariti se 23% e fëmijëve nga 5 deri në 14 vjeç në vend punonin në vitet 1999 - 2003; fëmijët që konsideroheshin si të punësuar përfshinin ata që kryenin një punë të paguar ose të papaguar për dikë që nuk ishte anëtar i familjes, ata të cilët kryenin më shumë se katër orë punë shtëpie ose që kryenin punë të tjera në familje.

Sipas CHRCA, pjesa më e madhe e fëmijëve punëtorë punojnë si shitës në rrugë ose dyqane, lypësa, fermerë ose barinj, shpërndarës droge, në lavazhe makine, si punëtorë të fabrikave tekstile, dhe lustraxhinj, dhe disa prej tyre punonin deri në 16 orë në ditë. Në Tiranë dhe qytete të tjera, fëmijët, shumica e tyre fëmijë romë, punonin si lypës ose shisnin cigare dhe sende të tjera në rrugë; në përgjithësi policia e injoronte këtë praktikë. CHRCA vuri në dukje se në Tiranë kishte rreth 1,000 fëmijë rrugësh. Një numër në rritje fëmijësh në Tiranë ranë viktima të prostitucionit dhe formave të tjera të shfrytëzimit.

Ndërkohë që praktika është e ndaluar, qeveria nuk ka ndonjë program specific që synon parandalimin e punës së fëmijëve, megjithëse ka një numër OJQ-sh dhe donatorësh ndërkombëtarë që punojnë për zhdukjen e saj. gjatë vitit, programi i TdH kundër lypjes pati sukses në edukimin e shtetasve dhe bashkësisë ndërkombëtare në Tiranë për aspektet negative të dhënies së parave fëmijëve që lypin. Gjatë vitit, një fushatë tjetër e TdH ofroi siguri për fëmijë të rrugës, përfshi ofrimin e ushqimit, strehimit, dhe shërbimeve sociale gjatë ditës.

e. Kushtet e Pranueshme të Punës

Paga kombëtare minimale ishte 169 dollarë (14,000 lekë) në muaj. Megjithatë, kjo nuk ishte e mjaftueshme për të siguruar një standard të denjë jetese për një punëtor dhe familjen e tij. Paga mesatare për punonjësit e qeverisë ishte afro 384 dollarë (31,850 lekë) në muaj. Sipas një raporti të vitit 2005 nga UNDP, 25 deri 30 përqind e popullsisë jetonte nën vijën zyrtare të varfërisë prej 57 dollarë (4,720 lekë) në muaj, ndërkohë që 30 përqind të tjerë jetonin pranë asaj vije. Instituti Shqiptar i Statistikave raportoi që pagat mesatare mujore në sektorin publik u rritën me 9.1 përqind nga viti 2006 deri në 2007.
 
Ligji përcakton javë pune 40-orëshe; megjithatë, java tipike e punës përcaktohej nga marrëveshje kolektive ose individuale. Shumë persona punonin gjashtë ditë në javë. Ligji kërkon pagesën e orëve jashtë orarit dhe periudhave të pushimit; sidoqoftë, këto parashikime nuk u zbatuan gjithmonë në praktikë. Qeveria nuk kishte caktuar standarde për minimumin e pushimit për javë, kufizime mbi maksimumin e numrit të orëve të punës për javë, ose shumën e pagesës shtesë për orët jashtë orarit dhe nuk ndalonte orët e tepruara të punës së detyrueshme jashtë orarit.

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta është përgjegjëse për zbatimin e standardeve dhe rregullave qeveritare të shëndetit dhe sigurisë; megjithatë, këto rregulla në përgjithësi nuk zbatoheshin në praktikë. Kushtet në vendin e punës shpesh ishin shumë të këqija dhe në disa raste të rrezikshme. Gjatë vitit media raportoi një numër rastesh të vdekjeve të lidhura me vendin e punës, veçanërisht në industrinë e ndërtimit dhe minierave. Brenda pesë muajve pati raportime për pesë vdekje të minatorëve në minierën e kromit në Bulqizë, e cila administrohej nga një kompani e huaj. Qeveria premtoi hetimin e çështjes dhe pezulloi punën përkohësisht, por në fund puna rifilloi pasi autoritetet zëvendësuan drejtorin e minierës. Prokuroria mori në pyetje anëtarë të tjerë të stafit, por nuk pati veprime pasuese ligjore.

Ligji nuk parashikon për punonjësit të drejtën për t’u larguar nga situata të rrezikshme pa vënë në pikëpyetje punësimin e tyre.

###