Skip Global Navigation to Main Content
Skip Breadcrumb Navigation

16 Shkurt 2006

Përfundojnë Punimet për Përmirësimin e Ujsjellësit në Gjadër, Lezhë, financuar nga Ambasada e Sh.B.A.

Ambasadorja Amerikane në Tiranë Znj. Marcie Ries, Ministri i Drejtësisë dhe Deputeti i Zonës Z. Aldo Bumçi, Zëvendës Ministri i Punëve të Brendshme Z. Ferdinant Pone, dhe Kryetari i Komunës Dajç Z. Rrok Lini morën pjesë në një ceremoni të organizuar me rastin e përfundimit të projektit të financuar nga Ambasada Amerikane, për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së ujit të pijshëm në fshatin Gjadër, Lezhë.

Ky projekt përfshinte rikonstruksionin e sistemit egzitues të shpërndarjes së ujit të pijshëm i cili më parë ishte i pashfrytëzueshëm për shkak të amortizimit të tubacioneve të ndërtuara fillimisht në vitin 1989. Shumica e 2500 banorëve të fshatit Gjadër vuanin nga mungesa e ujit të pijshëm. Rikonstruksioni i stacionit të pompimit dhe i rrjetit kryesor të tubacioneve shpërndarëse përmirëson cilësinë e ujit (higjenën dhe pastërtinë) si dhe furnizimin me ujë të banorëve të këtij fshati. Ky projekt kushtoi rreth 100,000 dollarë dhe u financua nga Komanda Amerikane në Europë nëpërmjet Zyrës së Bashkëpunimit Ushtarak të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zyra e Bashkëpunimit për Mbrojtjen (ODC) menaxhon programin e Asistencës Humanitare të Departamentit të Mbrojtjes Amerikan, duke ofruar asistencë të drejtpërdrejtë humanitare për popullin shqiptar. Ky program ka nisur në Shqipëri që nga viti 1996, duke siguruar furnizime dhe rindërtuar shkolla, mjedise spitalore, duke kryer projekte për ujësjellësat dhe shumë projekte të tjera jo-ushtarake.

###